
Ndahet nga jeta në moshën 77-vjeçare shkrimtari dhe politikani Zyhni Beqiraj
Ndahet nga jeta shkrimtari dhe politikani I njohur durrsak, Zyhni Beqiraj.
I rritur dhe formuar në Durrës, në një familje me prejardhje nga Ulqini, Zyhni Beqiraj ka kontribuar ndër vite në jetën politike dhe kulturore të qytetit bregdetar, shkruan durreslajm, transmeton Ulqini Online.
Beqiraj u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare, ndërsa për vite me radhë ishte I prekur nga një sëmundje e rëndë, që e përkeqësoi gjendjen e tij shëndetësore.
Homazhet për të ndjerin do të mbahen ditën e martë në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në orën 10.00-12.00.

Pak muaj më parë, Zyhni Beqiraj prezantoi botimin e tij më të fundit “Mbi dallgët e jetës”, një rrëfim për jetën, momentet më të rëndësishme të mbetura në kujtesë dhe ato që kanë shenjuar rrugëtimin e tij të gjatë si mësues, funksionar shtetëror, deputet.
Botimi më i fundit i Zyhni Beqirajt ishte një autobiografi e tij, që nga fëmijëria e hershme, rinia, dashuria për rrënjët e tij, Ulqinin, angazhimet politike pranë Partisë Socialiste Durrës dhe Kuvendit të Shqipërisë, por edhe veprimtaria letraro-artistike.
Pavarësisht moshës së thyer dhe sëmundjes, në intervistën e dhënë pasditen e 22 qershorit për “DurrësLajm” Beqiraj theksonte se kishte shumë projekte të tjera për të vënë në jetë, por sëmundja nuk i la mundësinë t’i çonte deri në fund.