Instituti i Librit dhe Promocionit Tiranë dhe Shtëpia Botuese “Toena” dhuruan libra për bibliotekat e shkollave shqipe dhe shtëpive të kulturës në Plavë dhe Guci
Donacion me vlerë dhe rëndësi të madhe
Shkruan Shaban Hasangjekaj
Plavë – Në kuadër të manifestimit “Ditët e kulturës shqiptare në Plavë-Guci”, të premten, përfaqësuesit e Shtëpisë Botuese “Toena” nga Tirana vizituan komunat Plavë e Guci, me ç’rast me qëllim të shpërndarjes së librit shqip, bibliotekave të qendrave për kulturë të komunave në fjalë dhe atyre të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, Shkollës Fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci dhe paraleles së saj katërklasëshe në Vuthaj, u dhuruan numër të konsiderueshëm librash më të rinj të autorëve shqiptarë, por edhe atyre botërorë.
Me këtë rast, paneli solemn i këtij donacioni me vlerë dhe rëndësi të madhe u mbajt në sallën e Qendrës mësimore të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, e cila ishte e mbushur me nxënës të kësaj shkolle, arsimtarë e profesorë të saj dhe të dy shkollave fillore nëntëvjeçare në Plavë e Guci, por edhe me personalitete të veprimtarive kulturore, arsimore, politiko-shoqërore nga këto komuna dhe më gjerë.
Drejtoreshën e Shtëpisë Botuese “Toena”, Irena Toçi, dhe bashkëshortin e saj Fatmir Toçi, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët i shoqëronin ish presidentët e Republikës së Shqipërisë, Alfred Mojsiu dhe Rexhep Mejdani, akademiku shqiptar nga Vuthajt e Gucisë, Rexhep Qosja, ish ministri i pakicave kombëtare në Qeverinë e Malit të Zi dhe ish kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, dy biznesmenët, Ahmet Ulaj i lindur në Vuthaj dhe nipi i tij Skender Thaçi i lindur në Guci, si dhe publicisti, përkthyesi dhe veprimtari për çështje kombëtare nga Vuthajt, Binak Ulaj, i cili jeton dhe vepron në Prishtinë, përzemërsisht i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm ndër malësorët shqiptarë, por edhe të tjerë të dy komunave Plavë e Guci, mësimdhënësi i Gjuhës shqipe dhe letërsisë në këtë shkollë, Fadil Ulaj.
Në fjalën e tij, ai ka thënë se është kënaqësi e veçantë dhe fat i madh për Shkollën e Mesme të Plavës dhe për të gjithë ata, që në mesin e tyre gjenden personalitete të ndritura të kulturës sonë nga Shqipëria, Kosova dhe Ulqini, si dhe përfaqësues të tjerë që ndihmuan dhe kontribuan në shpërndarjen e librave shqip në bibliotekat në Ulqin, Tuz, Plavë dhe Guci.
“Kjo nuk është hera e parë që ndihmoni shkollat tona i nderuari Fatmir Toçi. Ju përmes mikut tuaj dhe tonit, Gëzim Hajdinaga, në vitin 2007 i dhuruat 700 libra të autorëve të ndryshëm shqiptarë dhe të tjerë, duke plotësuar shumë zbrazëtira për nxënësit tonë. Vizita juaj dhe përkrahja që na jepni sot, na ka madhëruar shpirtin, për çka do t’u jemi gjithmonë mirënjohës. Qofshi gjithmonë të nderuar dhe faqebardhë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Mysafirët i ka përshëndetur po ashtu drejtori i kësaj shkolle Rifat Baliq.
Deputeti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Fatmir Toçi, i përshëndeti gjithë të pranishmit dhe nikoqirët i falënderoi për pritjen e ngrohtë shpirtërore dhe vëllazërore, për respektin dhe nderimin që u është ofruar, tradita këto që kultivohen me shekuj në këto zona shqiptare.
“Ne kemi ardhur me kënaqësinë më të madhe për t’u takuar me ju këtu të nderuar bashkëkombës dhe për të marrë pjesë në shënimin e disa ditëve të kulturës rajonale shqiptare Plavë-Guci-Vermosh, me qëllim të një bashkëpunimi kulturor midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Mendoj që ne jetojmë në të njëjtin rajon, në të njëjtin mjedis dhe vetëm një bashkëpunim midis popullit shqiptar, ata që jetojnë në Kosovë dhe Mal ë Zi me të gjitha pakicat kombëtare që e përbëjnë. Kështu ne mund të bëjmë jetën e njerëzve më normale, më të begatë, më të pasur, vetëm duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Pa dyshim, ne në Shqipëri kur flasim për Plavën dhe Gucinë, për krahina me histori të madhe, me tradita, me zakone, me mikpritje, e kjo pa dyshim është një e vërtetë”, është shprehur ai. Toçi falënderoi për këtë nismë gjithë miqtë e tij që kanë ardhur këtu me kënaqësinë më të madhe, por në veçanti afaristin Ahmet Ulaj, duke theksuar se gjithë ky organizim i madh për ne këtu, por edhe i kolonisë së artit pamor, ku marrin pjesë dyzet piktorët më të mëdhenj shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi, që kanë ardhur për të reflektuar në mënyrë artistike bukuritë natyrore të këtij nënqielli rrëzë Alpeve Shqiptare, janë mbështetje dhe përkrahje e tij.
Ish Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, pedagog universitar, foli për rolin e arsimimit të të rinjve dhe për ardhmërinë e tyre kulturore në të gjitha qarqet dhe sferat e jetës dhe veprimtarisë së tyre.
Ndërkaq, kolegu i tij, Alfred Mojsiu, si panelist i këtij tubimi, paraqitjen e vet e orientoi në historinë e bujshme dhe të famshme të Plavës dhe të Gucisë, të patriotëve dhe fytyrave të ndritshme kombëtare të kësaj zone.
Ish ministri i pakicave kombëtare në Qeverinë e Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga, në fjalën e vet përshëndeti gjithë të pranishmit dhe u përqendrua në rrjedhat e para të librit shqip në Mal të Zi, pikërisht në vitin 2007, kur në bashkëpunim të ndërsjellë që ka pasur me Fatmir Toçin, drejtorin e atëhershëm të Shtëpisë Botuese “Toena” në Tiranë, ka arritur që të kthejë librin shqip te nxënësit dhe te gjeneratat e reja, ngase libri shqip deri atëherë ka qenë zonë e ndaluar për kombin shqiptar.
Akademiku Rexhep Qosja, në fjalën e rastit përshëndeti të pranishmit e panelit, e në veçanti nxënësit e kësaj shkolle, arsimtarët, profesorët dhe gjithë punëtorët tjerë të shkollës, e pastaj falënderoi Irena Toçin dhe bashkëshortin e saj Fatmirin, të cilët me organizimin e kolonisë së piktorëve dhe me librat që kanë sjellë dhuratë, i kanë bashkuar personalitetet dhe artistët nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria.
Në vazhdim, ai theksoi se ka qenë profesor universitar i një lënde të rrallë që quhet estetikë. “Estetika është një përfaqësuese në filozofi, e cila merret me të bukurën. Të bukurën e gjejmë kudo në natyrë e gjetiu, e ju e keni më shumë se askush në Alpet Shqiptare, në veçanti në zonën e Plavës dhe Gucisë. Bukuria gjendet edhe në shoqëri, e bukura gjendet edhe te njeriu. Unë në fytyrat tuaja po shoh vërtet bukuri. Të bukurën sot e pashë kudo në mesin tuaj, në oborrin e shkollës, në ndërtesën e saj, e pashë duke hyrë këtu në këtë pjesë të shkollës,
e po e shoh edhe këtu në këtë mësonjëtore. E gjithë kjo bukuri është meritë e juaj, e krijuar prej duarve tuaja, prej profesorëve tuaj”, theksoi Qosja.
Sipas tij, qytetarët e Plavës dhe Gucisë kanë arsye të mburren sepse këto dy qytete kanë histori të lavdishme që nga koha e Lidhjes së Prizrenit, së cilës i kanë dhuruar shumë figura kombëtare. Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit Tiranë, dhe e Shtëpisë Botuese “Toena, Irena Toçi, në fjalën e saj tha se bashkë me librat që i ka sjellë në emër të Shtëpisë Botuese “Toena” dhe të disa shtëpive të tjera botuese shqiptare që iu bashkuan nismës së tyre, do të donte të jepte dy këshilla të vogla. “Së pari, ju studioni dhe në shkollën ku mësoni, mësohen dy gjuhë. Mos i mbyllni receptorët për të zënë dije nga të dyja gjuhët, mësoni mirë që të dyja, se të dyja u duhen shumë në jetë, por mos harroni kurrë rrënjët nga keni ardhur, mos harroni identitetin tuaj kombëtar. Këshilla e dytë do të ishte, mos harroni vendlindjen tuaj, ashtu siç bën Akademiku Rexhep Qosja apo biznesmeni Ahmet Ulaj, të cilët kontribuan dhe kontribuojnë vrullshëm dhe me dinjitet për vendlindjen. Edhe ju kur të rriteni dhe shkolloheni kudo, të ktheheni në vendlindje dhe të jepni kontribut sadopak të vogël”, theksoi ajo.
Në emër të Institutit të Librit dhe Promocionit dhe Shtëpisë Botuese “Toena”, ajo falënderoi të gjitha institucionet që iu bashkuan nismës nga Tirana dhe Prishtina për bibliotekat e sipërpërmendura të shkollave dhe qendrave kulturore në Plavë dhe Guci. Për mysafirët e lartë, pjesëmarrës të panelit, në restorantin e vet shkolla organizoi koktej. /Koha Javore/