Nga Argëzon Sulejmani

A është Kosova e përndjekura e “treshit”? Çfarë ka sot të përbashkët Kosova dhe “Macja” e Colette-s? Po Kosova me shkëmbin e së kaluarës dhe Trekëndëshin e Bermudes?


3×3
Së fundmi, Shtëpia Botuese “Pegi” nga Tirana ka botuar romanin e autores së njohur franceze, Sidonie-Gabrielle Colette, “Macja”, përkthyer nga frëngjishtja nga shkrimtari dhe pedagogu i njohur Edmond Tupja. Me të dëgjuar për daljen në dritë të librit u bëra kurioz për përmbajtjen meqenëse nxiste shumë paralele. Romani do të mund të analizohej në shumë dimensione, si në atë kohor, qenësor, maturor, social, klasor, erotik, sensual, urban, pragmatik, etj. Nga leximi i parë dhe i përshpejtuar do të merrem vetëm me dimensionin e parë – kohor – të lartshënuar, si paralelja e parë që më shkoi ndërmend sapo mësova për librin. Romani i ka tre personazhe: Alenin, Kamilën dhe Sahanë. Numri tre e përndjekë në vazhdimësi rrëfimin që në një shpjegim numerologjie do të mund të deshifrohej si ndërrim gjendjeje ose statusi. Po cila është fabula e romanit? Dy njëzetëesavjeçarët Aleni dhe Kamila arrijnë të bëhen çift pavarësisht të kundërtave të shumta në jetët dhe karakteret e tyre. Saha, në anën tjetër, është macja e Alenit me të cilën ai kishte kaluar dhe personifikuar pjesën më të madhe të jetës. Pas martesës, Saha duhet të sakrifikohet, për arsye se çifti do të vendosë të jetojë në një banesë urbane jashtë shtëpisë familjare. Nga këtu, Saha, nisë dhe merr qendrën e dimensionit kohor të djalit – të kaluarën. Ajo (macja) stërkeqet dhe dobësohet sikurse vetë personazhi njeri, Aleni, shkaku i distancës fizike me njëri-tjetrin. Tendencat e Kamilës për t’ia fshirë Alenit të kaluarën shkon deri aty sa në një rast ajo do të kacafytet me macen dhe do ta gjuajë atë nga lartësia e ballkonit. Me destinimin nga proverbi “macet i kanë 3×3 shpirta – jetë”, macja do t’ia arrijë të shpëtojë. Për t’i rënë shkurt, Aleni me të kuptuar këtë, zgjedhë Sahanë dhe lë Kamilën.
Një Trekëndësh Bermudeje, kështu e ka përmbledhur rrëfimin Prof. Tupja, në një intervistë rasti mbi librin.


Treshi dhe Kosova
Kosova në vijimësi është gjendur si pjesë e fabulave të tilla trekëmbëshe (ku lashtësia jo rrallë herë është përkthyer si prapambeturi). Asaj në vazhdimësi i është thënë që është një bosht i fortë i një trekëmbëshi – shkëmbi. Asaj për kohë e kohë të tëra i janë vënë mbi shpatulla pesha kërrusëse dhe i është thënë pa mbarim që të ndjekë ritmin e dy këmbëve të tjera. Nëpër kohë, ato dy këmbë kanë ditur të ndryshojnë emërtim, kurse konsistente ka mbetur vetëm këmba me emrin e saj. Edhe së fundmi, Kosova (Hyjnesha e fronit!?) ndodhet po pjesë e një trekëmbëshi (shkëmbi) që përvijon lojën qindravjeçare. Është tragji-komike të shohësh gjokset e burrave dhe grave që mundohen ta mbajnë në këmbë shtyllën-boshtin me emrin Kosovë, kurse në anën tjetër të shohësh lajkatarë e striptistë të të njëjtit vend që ngjyhen e shkërryhen përreth shtyllave të tjera me pretendimin se edhe ata po “japin” gjithçka në emër të mbajtjes së shkëmbit historik. “Historia si një shkëmb” do të mund ta quanim një roman të tillë hipotetik, nisur nga një roman i ngjashëm shqiptar i Besnik Mustafajt me titullin “Historia si një mushkë”.
Në të njëjtën kohë, punohet ku e ku sa shumë në tendencën që Kosova të prezantohet si “Trekëndësh Bermudeje”, dmth si një hapësirë përmbytëse ku shpëtimi i vetëm mbetet distancimi apo largimi i faktorit ndërkombëtar dhe shqiptar nga e njëjta. Zërat që raportojnë në shqip nga kjo hapësirë të kallin datën.


Macja dhe Kosova
Kosova nuk është mace. Por, Kosova, si çdo shtet dhe çdo popull tjetër, e ka macen e vet “Saha” – të kaluarën. Çdo qëllim për stërkeqjen ose përngordhjen e saj është i kotë, qyqar. Pikërisht, tendencat e tilla e kanë sjellë Kosovën, sikurse Alenin, në dobësim dhe humbësim. Dhe sikurse në romanin e Colette-s, Aleni ka për të lënë gjithçka për Sahanë, sepse nuk është fjala thjesht për nyjen e qafores së një maceje, por bëhet fjalë për nyjen egzistenciale të person(alitet)it të tij. Kacafytjet me Sahanë e Kosovës kanë nisur tash e sa kohë. Janë së paku dy grupacione që nuk e duan të gjallë macen e Kosovës. Të parët janë ata që e kanë përdhunuar atë. Kurse të dytët janë ata që kanë ngrënë me pjatën e saj. Të dyja këto grupime, tash e sa kohë, bëjnë të pamundurën që kjo mace që ka ndier e parë gjithçka të zhduket nga faqja e dheut. Kemi parë e dëgjuar kacafytje “Kamila vs Saha” nga më të ndryshmet nëpër hapësira portalesh e televizionesh shqiptare. Ka ndodhur disa herë dhe hudhja e Sahasë nga ballkonet. Deklarata të tipit që “e kaluara në Kosovë duhet amnistuar (fshirë v.j.) sepse nuk ka asnjë logjikë dënimi pas 20 vjetësh”, është një nga hudhjet e maces nga ballkoni i katit të 21-të (nga: shekulli XXI). Por, macja, tash e sa herë ka shpëtuar dhe shpëton mrekullisht. Lehtësisht. Nëse macja Saha, që simbolizon të kaluarën e Alenit, i ka 9 jetë, macja e Kosovës, që simbolizon të kaluarën e këtij vendi, i ka së paku 900 të tilla. Stërkeqja e saj, sikurse në fabulën e Colette-s, në fakt, tregon stërkeqjen dhe përhumbjen e të zotit. Nga shoqëria e vazhdueshme me njeriun, s’do mend që macja e ka të qartë se “çka nuk të vret, të bën më të fortë”. Pyetja është nëse atentatet ia shtojnë apo shumëzojnë (900) jetët!?
Nga gjithçka që u tha, mund të vihet në përfundim se bëhet fjalë për një mace mbiqenësore e cila i amniston aktet qyqare por assesi faktet historike. Kaq (x3).

P.S.
Thonë ta kenë parë mbi një shkëmb tek dremitë e menderosë. Epo, kjo është e tepërt, paskan thënë disa. Si është ajo thënja se “kush fle me çilimi…”!? Si duket të gjithë flemë e zgjohemi me macen Saha dhe bëjmë mirë ta marrim me të mirë. Atë dhe të gjitha macet e kohëve.

By admini