
Nga Gjovalin Shkurtaj
In memoriam
Pikëllim e vlerësim për Profesor Doktor Zeki Morina
E dashur zonja Selvije,
Të dashur Arbër, Arbëresha dhe Albulena,
Fort të nderuar familjarë e farefis të Profesor Zeki Morinës,
Ngushëllime të sinqerta e vlerësime meritore për këtë humbje të rëndës e të parakohshme! Zoti ju forcoftë e ju paftë me të mirë!
Ju humbët njeriun që kishte vlera e cilësi të vyera e të shumta, por mbi të gjitha humbët një prej atyre shqiptarëve që ishte”në daç i pashëm për ka duka, në daç i ambël porsi buka”: zonja Selvije humbi bashkëshortin e pakundshoq, ti Arbër dhe Albulena e Arbëresha humbët babain shembullor e të veçantë, mbesat e nipat humbën një gjysh gjithmonë të buzëqeshur e që rrezatonte mirësi.
Po edhe unë e Leonora, me ndarjen nga jeta të Zeki Morinës, kemi humbur një mik, pak të thuash të dashur e fisnik, sepse ai ishte, së pari e kryekreje, një shqiptar i vërtetë, një gjakovar atdhetar, prej një dere të shquar për patriotizëm e qëndresë kundër pushtuesve, ishte luftëtar për dituri, kulturë e përparim. I shte një bir i denjë i Kosovës martire dhe, për të gjitha këto cilësi e vlera, ai do t’u mungojë edhe miqve, shokëve e brezave të nxënësve e studentëve që morën dije e model sjelljeje prej tij.
Unë pata fatin të isha dy herë radhazi drejtues (udhëheqës shkencor) për dy shkallët e kualifikimit të tij pasuniversitar, përkatësisht për gradën “Mastër në gjuhësi” në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku ai, përpos provimeve me rezultate të larta, paraqiti dhe një studim për Onomastikën e Gjakovës me rrethina. Mbaj mend si ishte një nga ato punime që rrallë hartohen aq bukur e mirë në kohët e reja; me prurje e lëndë burimore të pasur dhe me shtjellime e argumentime të nyjëtuara me qartësi e të shkruar me akribi që i tejkalonte kërkesat e një grade të shkallës së parë. Ishte rasti që atë temë ta zgjeronte e ta mbronte si studim doktorature. Dhe ashtu u bë. Për arsye burokratike nuk u përfshi në kuotat e doktoraturave në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Tiranë, por ai, me zellin e këmbënguljen e duhur, do të regjistrohej në Universitetin e Shkodrës “L. Gurakuqi” dhe, në vitin 2017 e mbrojti me sukses dhe mori gradën “Doktor i shkencave në gjuhësi me monografinë e gjerë me temë “Toponimia dhe antroponimia e Gjakovës me rrethinë”.
Si mësimdhënës e drejtues arsimor me përvojë të gjatë, prof.dr. Zeki Morina ka dhënë kontribute të vyera edhe si pedagog universiteti, në Universitetin e Gjakovës , po edhe ka marrë pjesë me kumtesa e diskutime në tubime e konferenca shkencore albanologjike në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut etj. Ishte, ndër të tjera, mbrojtës i zellshëm i kulturës së gjuhës dhe i pastrimit të shqipes nga ndikimet e huaja të panevojshme.
Natyrisht, në raste si ky, nuk është e lehtë t’i gjejmë fjalët që meriton t’i thuhen zotit Zeki Morina, që na la para kohe.Një poet ka thënë: “E keqja dhe e mira rrinë bashkë, prandaj nuk më duket e keqe vdekja, që na merr jetën, por na lë veprat pas.”
Si kafja e hidhur që pihet në raste morti, kjo thënie më erdhi në ndihmë për të theksuar se Profesor Zekiu na ka lënë aq shumë vlera e ndihmesa, si dhe shembullin e njeriut të mirë për hir të të cilave ai do të jetë I paharrueshëm.Ai la, së pari, kujtimin e vlerësimin meritor si burrë i mirë, si shqiptar i ndershëm e zemërbujar. Bashkë me zonjën Selvije, nënën tuaj të urtë, bujare e të ditur, ju la tre bij emërbukur: Arbër, Arbëresha dhe Albulena, që shkëlzejnë me ngjyra të arta atdhetarie e shqiptarie.
Ai ka lënë edhe shumëçka tjetër të paharrueshme, në ato që shkroi e botoi, në ligjëratat, kumtesat e tekstet universitare. Prandaj, Profesor Zeki Morina, Doktor i shkencave në gjuhësi, do të jetë midis nesh me ato që la, me atë që rrezatoi e me sa mbolli ndër vite me fjalët e veprimtarinë e tij.
I paharrueshëm qoftë (dhe do të jetë) Miku ynë i madh. I qoftë e lehtë mbi shtat lëndina e Gjakovës, për të cilën studioi e shkroi me aq pasion e dashuri, ky shqiptar e njeri i mirë.
Durrës,13 korrik 2023