Nga Hajrullah Hajdari
Gjykata Popullore e Qarkut në Cetinë si gjykatë penale, në përbërje nga kryetari i trupës gjykuese Nikolla V.Krivokapiq dhe porotëve Shime Masllovar, punëtor nga Kotorri dhe Andrija Maxhar, kryetar i Këshillit Popullor Vendor në Spiç, si anëtarë të trupit gjykues dhe Mihailo Ulama, zyrtar i Gjykatës Popullore të Rrethit të Tivarit, si procesmbajtës në çështjen penale kundër Don Nikollë Tushës, famullitarit katolik nga Ulqini, në bazë të akuzës I.nr.196/46 të dates 1 qershor 1946, më datën 22 qershor 1946, nisi shqyrtimin publik kundër të akuzuarit për shkak të vepres penale të paraparë në nenin 3, pika 3,4 dhe 9 të Ligjit mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit.
Edhe pse Prokurori Publik në akuzën, numër dhe datë sim ë lart, kishte propozuar që si dëshmitarë të thirën Marije Nuculloviq, Hakush Abazoviq, Krsto Stojanoviq, Ilija Vuçkoviq dhe Boshko Razhnatoviq, trupi gjykues si dëshmitarë kishin thirur edhe Savo Gjurishiq, Stevo Gjakonoviq, Idriz Tuliq, Pjetër Dedë Elezoviq, Gjon Zef Ivanoviq, Abdyl Buzuku, Hasan Mavriqi, Nikolla Briskoviq, Mark Luca Elezoviq dhe Don Kosanoviq, famullitar në Klezën. Të gjithë iu janë përgjigjur ftesës së gjykatës dhe kanë dhënë dëshmitë e tyre. Prokurori po ashtu kishte propozuar që në shqyrtimin kryesor publik të lexohen edhe deklaratat e 136 ulqinakëve dhënë po ashu para OZN-ës. Në kërkesë të Don Nikollë Tushës avokat mbrojtës i tij u caktua Dr. Stjepo Vukasoviq, avokat nga Kotorri.
Dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria deklarouan se mbesin përgjithësisht në ate çka kanë deklaruar në procesverbalin e OZN-ës. Ndërkaq Savo Gjurishiqi deklaroi se nuk i kujtohet se kuj ia ka dhënë paratë në dorë të akuzuarit apo Vukçeviqit, për çka reagon i akuzuari i cili deklaron se dëshmitari nuk ka ardhur të ai por vëllau i tij Nikolla, dëshmi e rrejshme e sajuar apo e imponuar, ndërsa Stevo Gjakonoviqi, 33 vjeçar, partizan që nga viti 1941, deklaroi se Tusha është një ndër organizatorët kryesor të formimit të milicisë shqiptare dhe nxitës i popullsisë katolike për rrokjen e armëve dhe futjen në milici kundër partizanëve. Dëshminë e tij e bazon në ato çka i kanë thënë popullata katolike sepse vet nuk kishte qenë prezentë. Përseri sajim apo imponim! Idriz Tuliqi, 20 vjeç, deklaroi se i akuzuari në gusht të viti 1943 kishte mbajtur një fjalim në kishën katolike dhe kishte thënë se vëllëzërit tonë italianë po ikin e po vijnë vëllëzërit gjermanë, në çka reagon i akuzuari duke thënë se kjo s’është e vërtetë sepsa s’ka pasur mundësi të di se Italia do të kapitulloi dhe shtoi se ai gjithnjë ka pasur urrejtje ndaj gjermanëve. Dëshmitari Pjetër Dedë Elezoviqi deklaroi se ai nuk din asgjë për punën e të akuzuarit gjatë okupimit, ndërkaq dëshmitari Gjon Zef Ivanoviqi, 62 vjeçar, deklaroi se i akuzuari asnjëherë nuk i ka thënë asgjë dhe puna e tij nuk i është e njohur. Abdyl Buzuku, hoxhë në Ulqin, 57 vjeçar, deklaroi se me rastin e formimit të Komitet të Ulqinit edhe ai kishte marrë pjesë në mbledhje ku është diskutua për çështje ekonomike. Ai shtoi se është larguar nga komiteti në fjalë dhe s’është takuar më me të akuzuarin. Ai shtoi se i akuzuari është parë çdo ditë në shoqëri të pushtetarëve italian dhe për këtë arsye është konsideruar armik. Konsideron se ribashkimi i Ulqinit me Shqipërinë nuk është i nëvojshëm, ndërsa Hasan Mavriqi, hoxhë, 62 vjeçarë, deklaroi se ka qenë anëtarë i komitetit dhe është larguar për të njëjtat arsye si edhe Buzuku dhe shtoi se populli pas okupimit nuk ka jetuar në dashuri dhe harmoni si më parë e sidomos pas ngritjes së flamurit shqiptar! Nikollë Briskoviqi nga Bratica, 41 vjeç, deklaroi shkurt se aspak nuk i është e njohur puna e të akuzuarit, ndërsa Mark Lucë Elezoviqi, 53 vjeç, deklaroi se ka qenë prezent kur është ngritur flamuri shqiptar por nuk i është e njohur se çka ka folur i akuzuari. Po ashtu ai deklaroi se nuk ka dëgjuar se i akuzuari ka thënë se duhet me i mbytë malazezët. Don Ivo Bushiqi, i cili në deklaratën e tij dhënë para OZN-ës e kishte rënduar rëndë të akuzuarin edhe pse ishte thirur nuk ishte paraqitur në gjykatë, kështu që ajo mori vendim që ai të mos sillet në gjykatë pasi rrethanat për të cilat ka dëshmuar janë qartësuar tërësisht.
I akuzuari, Don Nikollë Tusha, në fjalën e tij mbrojtëse deklaroi se nuk është marrë fare me politikë dhe ka menduar se puna e tij dhe e çdo anëtari në Komitetin e formar nga italianët, kryesisht për trajtimin e çështjeve ekonomike të Ulqinit, në kohën kur Ulqini ka vuajtur për furnizimin me artikuj ushqimorë dhe populli ka qenë i uritur, nuk është politikë por punë e dobishme. Pohon se e njeh Gjon Zefin dhe Pjetër Dedën por asnjëherë më ata nuk ka folur për politikë. Ai pranoi se nga data kur Stevo Gjurashkoviqi e kishte ngritur në mjedis të Ulqinit flamurin malazez nuk kishte shkuar më në mbledhjet e Komitetit. Sa i përket ngritjes së flamurit shqiptar, ai theksoi se atë e ka bërë sepse populli e kishte kërkuar një veprim të tillë. Po ashtu deklaroi se ribashkimin e Ulqinit me Shqipërinë e ka dashur vetë populli pasi shkollimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar ndërsa furnizimi i vështirësuar. Ai deklaroi, sikur edhe disa nga dëshmitarët, se kurr nuk ka bërë thirje për anëtarësim në milicin fashiste e aq më pak që populli malazez duhet të debohet nga Ulqini! Këtë se kishin dëgjuar asnjë dëshmitar i kombësisë shqiptare! Deklaroi se meqenëse ishte njohës i mirë i gjuhës italiane, ka qenë i detyruar të shkojë në komandën italiane për përkthime, por kjo nuk mund të konsiderohet bashkëpunim ose tradhëti, ndërsa gjermanët, tha ai, i ka urryer gjithmonë dhe nuk ka shkuar asnjëherë në komanden e tyre (I akuzuari nuk e ka folur gjuhën gjermane). Deklaroi se rojen personale të cilen ia ka siguruar Hasan Isufi e ka pasë për arsye personale pasi me ka ardhur një letër kërcenuese nga Komiteti Malazez i Cetinës dhe ekzistonte frika e likuidimit fizik. Ai theksoi se me intervenimin e tij, duke shkruajtur lutje të ndryshme për lirim nga burgu si është rasti i vëllaut të Nikollë Gjurishiqit nga Mozhura e të tjerëve, ka shpëtuar shumë ulqinakë nga arrestimi apo internimi.
- Dëshmitarët shqiptarë deklaruan se nuk kanë njohuri për veprimtarinë e Don Nikollës
Përkundër deklaratave të dëshmitarëve shqiptarë se nuk kanë dijeni për akuzat me të cilat ngarkohet i akuzuari dhe mos pranimit të akuzës nga i akuzuari, ndihmës prokurori public në fjalën e tij përfundimtare Nikollë Tushën e cilësoi si bashkëpunëtor të okupatorit dhe ideolog politik, sepse ai ishte udheheqës intelektual dhe inspirues shpirtëror i tentimit të fashisizimit të popullsisë me të cilët ka jetuar. Ai theksoi se tentimi i ribashkimit të Ulqinit me Shqipërinë në kohë kur Shqipëria po luftone për t’u çliruar nga fashizmi do të ishte krim i rëndë për Shqipërinë! Theksoi se për të akuzuarin nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese dhe kërkoi nga gjykata që të zbatojë dënimin më të rreptë.
- Në procedurën provuese nuk u gjet asnjë prove e kryerjes së krimit ndaj popullit
Avokati mbrojtës në fjalën përfundimtare theksoi se nuk mund të thuhet se i akuzuari ka qenë ideolog i fashizmit duke theksuar se komitete të tilla janë krijuar në çdo qytet dhe nuk ka qenë ekzekutues i asnjë vepre që do e ngarkonte me përgjegjësi. Sa i përket punës së të akuzuarit për ribashkimin e Ulqinit me Shqipërinë, ai theksoi se ai nuk ishte veprim politik pasi kishte të bënte më shumë më çështje ekonomike dhe kështu ai mendonte se nuk i bëntë asnjë krim këtij populli. Nikollë Tusha, theksoi avokati mbrojtës, si njohës i mirë i gjuhës italiane ka bërë përkthime dhe lutje në favor të shumë ulqinakve e sidomos malazezëve dhe ka shpëtuar nga burgosja apo internimi shumë malazezë ulqinakë. Në fund ai konstatoi se gjatë gjithë procedurës provuese nuk u gjet asnjë provë direkte për kryerjen e vepres penale nga ana e të akuzuarit dhe çdo gjë bazohet në parandjenja apo iluzione të caktuara. Kërkoi nga gjykata që si rrethanë lehtësuese të marrë faktin se ai ishte në lajthitje pasi shkollimin për klerik katolik e ka mbaruar në Itali dhe ndjehet shqiptar pasi është kombësia e tij. I akuzuari pajtohet me qëndrimin e avokatit të tij. Shqyrtimi publik përfundoi më datën 23 qershor në orën 9 të mbrëmjes, ndërsa aktgjykimi publikisht u shqiptua me 24 qershor në ora 6,45 paradite.
- Don Nikollë Tusha u shpall fajtor pa argumente të mjaftueshme dhe u dënua me vdekje vetëm se ishte shqiptar
Në bazë të Aktgjykimit nr. 40/46, datë 24 qershor 1946, i akuzuari Don Nikollë Tusha shpallet fajtor dhe dënohet me dënim me vdekje me pushkatim. Kundër aktgjykimit në fjalë avokati mbrojtës bëri ankesë në të gjitha instancat gjyqësore të cilat pamëdyshje u refuzuan. Presidiumi i Republikës Popullore të Malit të Zi, më 25 tetor 1946, refuzoi kërkesën e Nikollë Tushës për falje të dënimit me vdekje. Sipas procesverbalit pa numër ( dok.SPO 36/1946), më datën 14 nëntor 1946, herët në mengjes në ora 5,30, në poligonin e qitjes në Cetinë bëhet ekzekutimi i aktgjykimit. Don Nikollë Tusha pushkatohet dhe vorroset në vendin e pushkatimit meqenëse askush nga të afërmit nuk kishte paraqitur interes për marrjen e trupit të tij!
Mëkati më i madh i Don Nikollë Tushës ishte se e kishte konsideruar veten shqiptar dhe kishte kërkuar të drejtat e mohuara të popullit të vet e veçanërisht hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar. Në procedurën provuese nuk u vërtetua se ai kishte bërë ndonjë veprim konkret kundër interesave të popullit malazez në Ulqin, përkundrazi u vërtetuan disa raste që Nikolla kishte shpëtuar nga arrestimi apo internimi disa ulqinakë në mesin e të cilëve më së shumti ishin me kombësi malazeze. As dëshmitë e shqiptarëve në procedurën provuese se nuk kanë dijeni për veprimin e tij kundër popullit dhe shtetit, nuk u morën parasysh. Gjykata Popullore e Qarkut të Cetinës shpalljen fajtor të Don Nikollë Tushës e bazon në bindjen e vet dhe dëshmitë e deklaratat e dëshmitarëve malazez dhe kërkesën e 136 ulqinakëve nga të cilët vetëm 11 sish ishin të kombësisë shqiptare!
Don Nikollë Tusha u dënua me vdekje dhe u pushkatua vetëm se ishte shqiptar!