Nga Shaban Maxharraj*
Zyrtarisht, me koncertin e maestros Ramë Lahaj me shokë, Ulqini ka hapur sezonin turistik. Por zëri i tenorit botëror nuk ka jehuar vetëm me kryevepra botërore e perla të muzikës shqipe. Ka lënë mesazhe dhe vetë ai koncertin e ka cilësuar si obligim a mision. Një ngjarje si kjo ka bashkuar edhe politikanët. Në rendin e parë, kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i janë bashkuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Por kapitulli kryesor është muzika. Harmonia e saj. E, ajo e lë në hije politikën. Së paku për aq sa zgjat koncerti, që ka kulmuar me “Vendi im”. Dhe kënga ka një mesazh
Ulqini merr hov në fundpranverë e fillim të verës. Se qyteti po ngjallet, fillimisht merret vesh te pjesa e vjetër, Kalaja. Por sivjet hapja e sezonit turistik ka pasur krejt tjetër atmosferë.
Në Molën e Madhe rrëzë Kalasë – monument që identifikon qytetin bregdetar – ka ditë që është punuar për të akomoduar një koncert jo të zakonshëm. Skena e ngritur aty, veç si pamje, ka dëshmuar se qyteti që besohet se i ka bërë konak edhe Miguel de Servantesit, do të jetë edhe nikoqir i arieve operistike, midis të cilave edhe asaj me autor bashkëkombësin e Servantesit, Pablo Sorozabal, “La tabernera del puerto” nga opera “No puede ser”.
Qysh pasditen e së premtes, kur orkestra simfonike “Ramë Lahaj” është ngjitur për prova në skenë, është vërejtur se mbrëmja do të ketë të tjera ngjyra: ato të muzikës. Ramë Lahaj, tenori i skenave më të mëdha botërore prej Sydneyt, në Los Angeles e gjithandej ka testuar veten dhe Orkestrën për gati një orë. Bashkë me dirigjentin orkestruesin e pjesës më të madhe të programit, Gridi Kraja, janë tërhequr për t’u bërë gati për koncert, pasi janë siguruar se gjithçka është gati.
Por siç ndodh në Ballkan, aty ku pritet politika, gjithnjë ka çalime. Me pjesën e publikut plot, Orkestra bashkë me kryefjalën e mbrëmjes Ramë Lahaj e interpretuesit e tjerë, kanë pritur gati një orë për t’ia nisur mbrëmjes. Fiks në 20:41 është plotësuar edhe radha e parë e karrigeve me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama e atë të Shkodrës, Benet Beci. Ka pasur edhe të tjerë politikanë e zyrtarë, në mesin e të cilëve edhe Genc Nimanbegu, deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi.
Hyrja në një tjetër botë
Por muzika klasike bashkë me perlat shqiptare e kanë një veti: kur nis mbrëmja bëjnë që të harrohet ajo çfarë ka ndodhur paraprakisht. Kur janë ndezur dritat e qytetit bashkë me ato të skenës dhe Gridi Kraja i ka dhënë sinjal Orkestrës që të nisë interpretimi i “Cavalleria Rusticana” të Mascagnit, pjesa e vjetër e qytetit bashkë me publikun kanë hyrë në tjetër botë. Atë të muzikës, që shoqërohet me dallgët e lehta të Adriatikut të qetë. E ngjitja në skenë e Ramë Lahajt i ka dhënë tjetër ritëm krejt mbrëmjes. Virtuoziteti i tij është i njohur gjithandej botës. Madje edhe nga legjenda e skenave operistike, Placido Domingo. Arien “Tosca” të Puccinit e ka interpretuar si një intro duke paralajmëruar publikun se tashmë po hyjnë në një tjetër dimension.
Ulqini ka pritur mbrëmje të muzikës klasike disa herë. Midis tjerash në shtatorin e vitit 2018 edhe sopranon me nam Inva Mula. Por koncerti i së premtes mbrëma ka qenë tjetër rrëfim.
Lundrimi me perlat shqipe
Sopranoja malaziase, Olivera Tiçeviq, është kombinuar me Lahajn duke sjellë arie e këngë tradicionale malazeze. Por për publikun, që në shumicë qe shqiptar, koncerti ka marrë tjetër ritëm kur orkestra ka nisur të interpretojë meloditë e këngëve shqiptare. “Pranvera filloj me ardhë” nën interpretimin e Egzona Salajt ka hapur një tjetër kapitull. Ndërsa këngët si “Kroi i fshatit tonë”, “Po ti çka i ke thanë dikuj” e “M’ka shku menia” me u fejue” të interpretuara nga Ramë Lahaj kanë çuar atmosferën në tjetër nivel. Sidomos të e fundit, ku storia e këngës flet për vajzat nga Ulqini, ka bërë që të pranishmit pos të shpërthejnë në ovacione edhe ta shoqërojnë këngën me duartrokitje e edhe me vallëzim të lehtë. Një pjesë e madhe e publikut ka qenë në këmbë. Lahaj, si mjeshtër i interpretimit, ka nxjerrë në pah edhe bukurinë e këngëve shqipe. Me Gidi Krajën në krah, orkestrues e dirigjent i dëshmuar, ai ka bërë që ngjyrat e Kalasë së moçme të shkëlqejnë me fort. Dhe këtë nëpërmjet këngëve të vjetra shqipe.
Maestroja i operës në mision
Për Lahajn, interpretimi në Ulqin shkon përtej një performance. Viteve të fundit i ka vënë vetes synim që përvojën e tij në skenë ndërkombëtare ta shfaqë edhe në skenat e popullit të vet.
“Për mua performancat para audiencës shqiptare janë gjithmonë më të veçanta. Kam pasur fatin që të interpretoj në teatrot më të mëdha dhe e kam ndier për obligim që edhe në zonën tonë shqipfolëse duhet filluar një rrugë e re solide e aktiviteteve serioze artistike. Kjo është veçantia dhe ky është synimi ose dëshira ime e radhës”, ka thënë ai. Për Lahajn është audienca ajo që e obligon. Ka thënë se ambienti ishte përgatitur për rreth një mijë veta e në audiencë kishte më shumë se dy mijë.
“Kjo është forma që çdo ditë e më shumë më bën të ndihem i obliguar. Qëllimi im tash e tutje është që të shtrohet kjo lloj rrugë e infrastrukturës, fillimisht duke improvizuar, por duhet shtruar kjo rrugë pasi jam i vullnetit për ta shtyrë përpara”, ka thënë ai.
Kapitull i ri i kulturës dhe artit
Ramë Lahaj paraprakisht është pritur edhe nga kryetari i Ulqinit, Omer Bajraktari. Ai ka thënë se qyteti bregdetar është vend i gërshetimit të kulturave e i lidhjes me botën. Sipas Bajraktarit, gjithçka në Ulqin pulson si Mesdheu.
“Përgjatë shekujve kemi dëgjuar këtu tingujt dhe ritmet më të bukura, sepse muzika lartëson zemrën e njeriut e është pasqyrë e gjendjes së shoqërisë për të cilën është krijuar”, ka thënë ai. Ka përmendur se Ulqini është vend ku janë punuar violinat e ku ka jetuar e punuar Prenkë Jakova, autori i operës së parë shqiptare, “Mrika”.
“Ta shijojmë këtë natë dhe ta përgëzojmë këtë fillim të ri të kulturës dhe artit në Komunën e Ulqinit”, ka thënë ai, duke bërë një hapje të pazakontë të sezonit turistik.
Komuna në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë të Ulqinit, Qeverinë e Malit të Zi dhe me Organizatën Turistike të Ulqinit, që udhëhiqet nga drejtori Qazim Hoxhiq, kanë pasur për synim që sivjet hapja e sezonit të jetë tjetër.
“Të flasim për Ramë Lahajn, mund të flasim një orë. Një shqiptar nga Kosova i njohur në botë, interpreton në Ulqin. Kjo ishte një dhuratë e tij për ne dhe e jona për të gjithë qytetarët e Ulqinit dhe pushuesit tanë këtu”, ka thënë Hoxhiq. Koncertin e ka përshkruar jo veç emocionues, por edhe historik.
Kontrapunkti i politikës
E historia në këto anë nuk është edhe bash për këngë kohëve të fundit. Ka muaj që përplasjet politike, edhe midis politikanëve shqiptarë nuk janë aq të vogla. Tensionet në veri të Kosovës midis autoriteteve shtetërore dhe serbëve lokalë bashkë me ata të sjellë nga Serbia nuk janë të vogla. Për këtë arsye, me ndikime jo të vogla nga presioni ndërkombëtar, muajin e kaluar nuk është mbajtur as mbledhja e përbashkët midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Qe anuluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Madje ka një kohë që Rama e udhëheqësit shtetërorë të Kosovës i çojnë porosi njëri-tjetrit nëpërmjet mediave dhe nuk takohen.
Por Ramë Lahaj në koncert ka bashkuar presidenten e Kosovës, kryeministrin e Malit të Zi e atë të Shqipërisë. Madje vetë Lahaj në skenë ka thënë se uron ditë më të mira për shqiptarët. “Sidomos për ne matanë kufirit”, ka thënë ai midis interpretimeve.
“Vendi im” si porosi
“Moj e bukura Arbëri” interpretuar nga Adhurim Grezda, sikur ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh midis shqiptarëve. Kurse qytetit të kapedanëve, Grezda ia ka kënduar edhe këngën “Kapedan o djal i ri”. Pavarësisht që bëhet fjalë për koncert të muzikës klasike, atmosfera i ka kaluar kufijtë.
“Bishtalecat palë, palë”, interpretuar nga Ramë Lahaj, e ka efektin e një feste. Bash ashtu siç e përjeton Ulqini sezonin turistik. Virtuoziteti i Lahajt jep tjetër efekt energjie për publikun. Shpesh të pranishmit i janë bashkuar si kor, përderisa duartrokitjet qenë dëshmi e përjetimeve nga të pranishmit. Lahaj ka vendosur që bashkë me Grezdën koncertin ta mbyllin me këngën “Mallëngjimi” e njohur edhe si “Vendi im”, kënduar dikur nga Muharrem Qena. Dyshja këtë këngë nuk e ka interpretuar thjesht për efekt arti. Në njëfarë forme edhe u është bërë thirrje të pranishmëve – midis të cilëve shumica e udhëheqësve të shqiptarëve në përjashtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti – që të punojnë më seriozisht për vendet e tyre. Këtë thirrje e kanë bërë prej një vendi që është dëshmi e traditës shqiptare në këto anë. Prej Kalasë së Ulqinit, hapësirë ku historia është përplasur fort. Por gjithnjë ka mbledhur e u ka dhënë zemër ngjarjeve a nismave të mëdha, sikurse u dëshmua nëpërmjet koncertit të së premtes mbrëma.
/Koha Net/