Nga Gjekë Gjonaj
Edhe Komuna e Ulqinit, sidomos zona e Anës së Malit, shënoi ditë të zeza që prej shpërthimit të viirust të pagëzuar tashmë me emrin SARS-coV- 2 ( COVID-19),i cili e përfshiu botën, me dhjetëra e dhjetëra jetë të humbura. Shtëpia e Shëndetit të Ulqinit do të ishte mirë dhe me interes të publikojë bilancin ( listën ) e saktë të personave të vdekur nga kjo trevë si pasojë e këtij virusi. Jemi të mendimit se ( qofsha i gabuar) Ana e Malit, në krahasim me numrin e popullatës do të ketë bilancin më negativ të humbjeve të jetëve njerëzish nga koronavirusi në Mal të Zi po se po, ndoshta edhe më gjerë. Këtë dhimbje tragjike të shkaktuar nga virusi korona , ndër shumë familje të tjera anamalase e përjetuan me pikëllim të thellë e me zemër të thyer edhe familjarët e Dritan Alajt ( 38 vjeç) dhe Dritan Kurtit ( 42 vjeç). Fluturuan drejt amshimit dy shokët dhe miqtë e mi me të njëjtin emër, dy shpirtra nga më të mirët të kësaj krahine gjeografike dhe etnografike shqiptare.
Dritan Kurti (1978-2020)
Humbja e parë dhe më e dhimbshme e cila ka prekur dhe ka tronditur jashtëzakonisht shumë të gjithë banorët e Anës së Malit padyshim ishte largimi i papritur nga kjo jetë i birit të tyre të dashur, 42 vjeçarit Dritan Kurtit nga fshati Sukubinë, më 24 tetor 2020, nga Covid-19. Ikja e tij e parakohshme preku thellë shpirtin e familjarëve, farefisit, shokëve, kolegëve, miqve dhe bashkëkombësve të tij që e njohën. Kisha kënaqësinë dhe privilegjin që e njoha Dritan Kurtin , me të cilin nga bashkëpunimi i mirë shumëvjeçar krijuam një miqësi të sinqertë. Çdoherë mu përgjigjte në kohë kur e thërrisja në telefon për të marrë ndonjë informacion nga aktivitetet e tij të shumta në fushën e arsimit në shkollë ku punonte si mësimdhënës, nga veprimtaritë e Shoqatës ” Ora” dhe të Bashkësisë Lokale – Sukubinë, të cilat i drejtonte me sukses apo për aktivitetin kulturor-artistik të Ansamblit “ Tradita”, në të cilën si valltar i shkathtë , me trupin e tij të hijshëm, i veshur me petkun kombëtar që i rrinte aq bukur, ka dhënë një kontribut të paçmuar që kjo trevë të ruajë vlerat e trashëgimisë kulturore, veçmas folklorit të saj. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike në ansambël ka interpretuar valle në shumë treva shqiptare , ku ka shkuar Ansambli “ Tradita” si brenda vendit , ashtu edhe gjatë turneve jashtë shtetit. Lëvizjet e këtij kërcimtari u cilësuan nga ekspertët e folklorit si shumë dinamike me një ritëm të admirueshëm ku kishte një harmoni të spikatur në kostumin e zonës ku ka lindur dhe ku sot prehet trupi i tij i pajetë.
Dritan Kurti ishte informatori im i besueshëm, i cili në çdo kohë dhe moment pa përtesë më jepte informata të sakta nga veprimtaria e tij e gjithanshme , e madhe dhe e frytshme. Ai ndau kohën e tij për mua sepse ishte i ndërgjegjshëm, i vëmendshëm, i kujdesshëm, i papërtueshëm, i gatshëm dhe i vullnetshëm për të bërë gjëra me vlerë në të mirën e përgjithshme . Në gjykimin tonë Dritan Kurtit duhet t’ia pranojmë këto dhe cilësi si njeri shumë ambicioz për të bërë një punë dhe shumë i përkushtuar për demonstruar sukseset dhe arritjet. Kjo është një aftësi. Për këto dhe shumëçka tjetër Dritan Kurti do t ‘na mungojë shumë dhe do ta kujtojmë përherë deri në fund të jetës.
Në njëvjetorin e vdekjes së kryetarit të saj, mësimdhënësit dhe veprimtarit Dritan Kurti, Shoqata “Ora” ka organizuar në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë mbrëmjen përkujtimore “Një vit pa Dritanin”. Me këtë rast Shoqata “Ora” ka ndarë mirënjohje për kryetarin e saj, Dritan Kurti, me motivacionin “për kontributin në themelimin, organizimin e aktiviteteve, drejtimin me sukses të Shoqatës ‘Ora’ dhe veprimtarinë e gjithanshme në të mirë të shoqërisë”. Po ashtu Shoqata “ Ora” ka shfaqur dokumentarin kushtuar këtij aktivisti , punonjësi të arsimit dhe intelektuali të veçantë të kulturës sonë kombëtare, Dritan Kurtit.
Dritan Alaj ( 1982-2020)
Dy javë pas humbjes së betejës nga koronavirusi të Dritan Kurtit, më 15 nëntor 2020 , në Qendrën Klinike të Malit të Zi, në moshën 38 vjeçare u nda nga jeta njeriu me zemër të madhe, punëtori e veprimtari i dalluar, atdhetari, aktivisti, politikani – sekretar i përgjithshëm i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, njëherë edhe këshilltar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, Dritan Alaj,nga fshati Katërkollë. Shkak u bë virusi korona me të cilin qe diagnostikuar disa javë më parë. Lajmi i hidhur për vdekjen e tij të parakohshme shqetësoi dhe shkaktoi dhimbje të madhe në Anë të Malit në të dyja anët e kufirit, Mal të Zi e Shqipëri, Ulqin, Tivar, Krajë, dhe diasporë. Aq më tepër kur ai la pas vetes babain, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij jetimë, Dorianin dhe Erionën.
Dritan Kurti , siç e vlerësonin bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, me punën e tij të përkushtuar në Njësinë yonale të Fondit Pensionisto- Invalidor ishte gjithmonë në shërbimin e të gjithë qytetarëve. Kishte virtyte të larta njerëzore, ishte i respektueshëm, i kujdesshëm dhe i sjellshëm për shoqëri dhe i dashur për familje. Njeri me plot pozitivit et, që të mbushte me besim dhe shpresë për një jetë më të mirë. Ai si këshilltar dhe funksionar i lartë i Unionit Demokratik të Shqiptarëve kontribuoi në zhvillimin e proceseve demokratike në vend.
Me rastin 1-vjetorit të vdekjes së këshilltarit tashmë të ndjerë Dritan Alajt, më 19 dhjetor 2021 në sallën e madhe të Kuvendit të Komunës së Ulqinit u mbajt seancë përkujtimore , në të cilën për vlerat e njerëzore dhe kontributin e tij shoqëror folën kryetari i Kuvendit Haxhi Sulejmani, kryetari i UDSH-së Mehmet Zenka, kolegët Agron Mehmedi dhe Halil Truma, ndërsa në emër të familjes falënderoi të pranishmit babai i Dritanit, Myzafer Alaj.
Kjo është shkurtimisht historia e dhimbshme e dy intelektualëve të shquar anamalas , tek të cilët vlerat qytetëruese, kulturore dhe atdhetare ishin pjesë e jetës dhe veprimtarisë së tyre. Të dy kishin një emër – Dritan, që ndriçonin kurdo e kudo dhe ishin dy anëtarë nga familjet shumë fisnike dhe të ndershme, Kurti e Alaj.
Këta të dy Dritana- dritat e Anës së Malit janë shëmbëlltyrë të qytetarëve të denjë e fisnik. Të tillë do të mbeten për shumë kohë jo vetëm për familjarët e tyre, por edhe për gjeneratat që do të vijnë . Popullata e kësaj treve do të jetojë me kujtimin për dy Dritanat, në dritën e amshimit dhe lavdisë.