Nga Gjekë Gjonaj
Nxënësit e Shkollës së Mesme të Kombinuar” Vëllazërim -Bashkim“ të Ulqinit shkëlqyen dje me rastin e shënimit të 7 Marsit- Ditës së Mësuesit. Ata me buzëqeshjen e tyre , talentin për këndim, recitim, argëtim dhe aktrim, para shoqeve dhe shokëve të tyre të shkollës , mësimdhënësve, prindërve dhe të ftuarve, sollën një atmosferë festive dhe një frymë të këndshme e cila, përveçse kënaqi publikun , rikujtoi rëndësinë e kësaj feste kombëtare që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare, sikurse edhe njohjen e mësuesit , kontributin e tyre dhe rolin që ata luajnë në shoqëri. Programi i përgatitur nga Aktivi i Gjuhës Shqipe këtë herë ishte i veçantë dhe u dallua nga manifestimet e tilla të ngjashme tradicionale që jemi mësuar t’i përcjellim me vite të tëra tashmë të mërzitshme për kohën. Festa e Mësuesit nisi me muzikë e këngë, recitime, pjesë skenike ( komedi), valle dhe përfundoi me një video e cila promovoi vlerat e punimeve me dorë të femrave duararta të Ulqinit me rrethinë, si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore e materiale, e cila duhet të ruhet dhe të përcillet nga brezi në brez.
Nxënësit pjesëmarrës të këtij programi festiv e argëtues dëshmuan aftësitë e tyre në fushën e muzikës, letërsisë, artit dhe folklorit. Ata tek spektatori përçuan mesazhin e respektit që kanë ndaj mësuesit e shkollës shqipe. Po ashtu ata shfaqën idetë dhe imagjinatën e tyre krijuese, të cilat përmes interpretimeve të bukura, u , u duartrokitën dhe u mirëpritën nga të gjithë ata që e kishin mbushur përplot ambientin e zbukuruar të shkollës. Meritë për suksesin e këtij programi të bukur kanë mbi të gjithë dhe veçmas mësimdhënësit që ideuan programin dhe punuan me këta nxënës të mrekullueshëm plotë vullnet, energji talent, dije dhe shkathtësi. Ky aktivitet, falë seriozitetit të punës së mësimdhënësve, krijimeve të bukura dhe interpretimeve pozitive të nxënësve, Festa e Mësuesit në këtë shkollë i tejkaloi organizimet rutinë me rastin e përkujtimit të themelimit të Mësonjëtores shqipe të Korçës, më 7 mars 1887.