Ag Apolloni

Nga Argëzon Sulejmani

Këtë të shtunë, lexuesit dhe dashamirët e librit patën rastin të takohen me një prej emrave më të shquar të letërsisë sonë, Ag Apollonin. Takimi u mbajt në Librarinë Ulqini dhe interesimi i publikut ishte i kënaqshëm.

Organizatorët kishin përzgjedhur për promovim dy nga veprat e shumta të autorit, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” dhe “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”. Apolloni ishte i afërt me shtjellimet mbi librat si dhe i hapur për interesimin e lexuesve.

Udhëheqësi i kësaj mbrëmjeje, Argëzon Sulejmani, e ka quajtur shkrimtarin një autor atipik për letërsinë e gjuhës sonë, për risitë dhe riskun që ndjekë dhe promovon; ndërthurjet e shumta në veprat e tij si: poetika, dramatika, mistika, antika, muzika, kineastika, heretika, etj. e formësojnë mozaikun apo stilin brikolar me të cilin lexuesi shqiptar është njohur së voni dhe kjo vonesë s’do mend që ka ndikuar në formimin intuitiv dhe kulturor të qenjes sonë.

Apolloni ka folur gjatë e thellë për dy veprat në fjalë, të parën që në qendër ka fatin e dy nënave kosovare, të cilat ndjekin funde të ndryshme pas humbjes tragjike të fëmijëve të tyre; njëra zgjedhë t’i vë flakën vetes, kurse tjetra vendosë të jetojë gjithë jetën me pengun mbinjerëzor. “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përkthyer holandisht dhe është promovuar së fundmi në Hagë të Holandës dhe sipas Apollonit, dokumentimi i terrorit serb, është nyja neuralgjike ku duhet të punojnë shumë e më shumë sidomos akademikët e historianët.

Romani më i ri i Apollonit, “Kësulëkuqja, një përrallë për të rritur”, po ashtu në një pjesë prekë tragjiken e luftës së fundit në Kosovë, përdhunimet. Pavarësisht kësaj, autori vë në pah që këtë rrëfim do të donte ta shihnim si një histori ose përrallë dashurie, ku rrethanat e jetës janë ato që bombardojnë gjithçka. Romani është i ndërtuar me idenë e “cartoon logic” dhe kjo është ajo që e mbanë të lidhur lexuesin e stileve të ndryshme nga fillimi deri në fund.

Nga të pranishmit u cek që Apolloni është një autor i përmasave evropiane dhe si për ta vërtetuar këtë, ditën e nesërme Apolloni do të përzgjidhej në nominimet e çmimit evropian për letërsi. Kujtojmë, muaj më parë, Ag Apolloni është përkthyer në gjuhën malazeze. Ulurima e ujkut (Vučji urlik) ka marrë komente tejet pozitive nga lexuesit e gjuhëve sllave.

Mbrëmja u mbyll me poezinë që mbanë emrin e përmbledhjes së fundit me poezi nga Apolloni, Retorika e heshtjes. Jo pa qëllim, meqenëse këtë poezi autori e kishte shkruar me plot emocion më 2010 pikërisht në Ulqin.

By admini