Shasi i lashtë monument i kulturës shpirtërore

Nga Msgr. Zef Gashi

E nderuara Asamble,
Kur bëhet fjalë për Shasin e lashtë, mund të konstatohet me të drejtë dhe në mënyrë rea-le se monumentet e kulturës materiale mu-nd edhe të zhduken. Ato dhëmbi i kohës mund t’i shkatërrojë. Të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe dora keqdashëse e njeriut.
Ndërsa kultura shpirtërore është një kategori tjetër. Ajo zakonisht thadrohet thellë në brendinë e njeriut dhe kështu bëhet pjesë e natyrës së tij dhe si e tillë është në gjendje t’i përballojë sfidat e kohës dhe të rrjedhave historike, sepse kalon nga brezi në brez. Historia e njerëzimit ka mjaft argumente për ndërtimin e kësaj teze. Në trevat tona ka mjaft raste dhe ambiente, ku hasim në gjurmë të pashlyeshme të këtij realiteti.
Dhe mund të konstatohet se as stuhitë e mëdha të së kaluarës nuk arritën t’i zhbijnë apo asgjësojnë vlerat shpirtërore të kultivuara me kujdes nga të parët tanë gjatë shumë shekujve.
Ne, pasardhësit e tyre në të kaluarën e afërt nuk kemi ditur, por edhe nuk kemi pasur mundësi t’i vlerësojmë sa duhet e si duhet këto pasuri të trashëguara. Nuk është momenti të gjykojmë ose të paragjykojmë, tani është koha t’i drejtojmë sytë kah e ardhmja, por pa e harruar të kaluarën për asnjë moment, sepse Historia magistra vitae est (Historia është mësuese e jetës).
Ajo çka ka mbetur pa u bërë në të kaluarën për shkaqet që pak a shumë dihen, duhet kompensuar tash me përpjekjen e krejt trurit e të shpirtit. Koha dhe rrethanat në të cilat po jetojmë e bëjmë të mundshme këtë gjë. Ne si popull, me të vërtetë rrallë herë apo kurrë njëherë nuk kemi pasur mundësi më të mirë për një afirmim të gjithëmbar-shëm. Por tani gjërat kanë filluar të ndry-shojnë në të mirë.
Hapja e shtetit Amë, para dy dekadave, arritja e Pavarësisë së Kosovës, si dhe hapësira afirmative e veprimtarisë në Vendin ku jetojmë në Malin e Zi, hapin dhe zgjerojmë shtigje të reja, për një përparim të dëshiruar.
Jemi të vetëdijshëm se vet kultura materiale pa kulturën e zemrës, që mjerisht në kohën tonë është shumë deficitare, nuk mjafton përderisa njeriu është zoon politikon (Qenie shoqërore). Aq me tepër, njeriu nuk është vetëm zoon politikon, por është edhe ens religiosus (qenie fetare-shpirtërore).
Në fundin e fundit të shpirtit të tij është vendosur dëshira e pashuar për të mirën, për të bukuren, për pa-qen, për lumturinë. E gjithë kjo flet se zemra e njeriut është tempu-lli i të gjitha vlerave të imagjinueshme.
Për të gjitha këto vlera për të cilat fola deri më tani, gjejmë dëshminë në këtë lokalitet – Shas: “Na ishte njëhe-rë në Shas, një Ipesh-kvi e themeluar në vitin 1067 me bullën e dekretuar të Papës Aleksandrit II, me ipeshkvin e parë që quhej Pietro Bono, për të cilin thuhet se ka ndërtuar Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit në vitin 1030, pas të cilit pasojnë Bazili… deri me 1530.”
Çka ka ndodhur me vonë në këtë vendbanim dhe me Kishat na tregon Relacioni i vitit 1610 i Arqipeshkvit të Tivarit, Marin Bici, i cili referoi: “Shasi dikur qytet shumë i madh, dhe i fortifikuar më së miri, sikurse edhe sot e tregojnë rrë-nimet e tija. Thuhet edhe se aty pati deri në 365 kishë, dmth. aq sa janë ditët e vitit. Tashti është shndërrue e ba fshat, ashtu si ndodh zakonisht me pushtimet e turqve që çdogja shkretojnë e rrënojnë. Kishte dikur ipeshkëv, që ishte një nga sufraganët e Metropolisë së Tivarit. Gjendet i vendosur mbi një kodër përsipri një li-qeni të kandë-shëm, të gjanë e të mbushun me peshq të ndrys-hëm, me të cilët sidomos mbahen (rrojnë) ata banorë […].
Është rreth 20 milë larg prej Tivarit. Përballë, n’anë të detit, i qëndron qyteti i Ulqinit, që në luftën e kalueme ra në pushtimin e turqve bashkë me Tivarin, që ishin të republikës së Venedikut. Mund të ketë nja 80 shtëpi pothuaj të gjitha të banueme prej të krishtenësh latinë e ma pak turq. Ka kishën e shën Gjon Pagëzuesit, shumë të madhe, përveç shumë të tjerave që janë të zbulueme. Ajo [kishë] është shumë keq për çdogja. Mbi altar nuk ka asnjë pala (pala është një mbulojë e kelqit), ka vetëm një kryq druni dhe në murë, nën tribunë [balkon] disa fytyra shenjtorësh, pa batister e pa sakrar (vende të posaçme në kishë për shërbime të ndryshme fetare), sikurse janë gati të gjitha kishat tjera të Arbërisë […]. Është aty famullitar resident [i qëndrueshëm] d. Lorenzo Mezilli që disa javë ma parë e vendosa unë aty. Banorët nuk flasin gjuhë tjetër veç shqipes dhe turqishtes…”. (Marin Bizzi, Relacioni i vitit 1610, fq 73).
Sidoqoftë këto treva kanë pasur në të kaluarën shumë ndryshime si në aspektin kombëtar, ashtu edhe të atij fetar, gjë që nuk mohohet as nga gjeneratat e reja, që sot jetojnë në këto vise.
Pra, vlerat shpirtërore si kategori me dimensione eskatologjike kanë qenë realitet i këtij vendi dhe njerëzve që kanë jetuar në të.
Të vetëdijshëm për begatitë e së kaluarës të këtij vendi që quhet Shasi, ne mundohemi t’ia rikthejmë vlerat historike, arkeologjike, kulturore e shpirtërore, si njerëz që i gëzojmë dhe i posedojmë këto treva pa marrë parasysh përkatësinë fetare, sepse që të dyja religjionet që u përkasim si popull i kësaj treve e kanë si bazë dhe fundament të përbashkët monoteizmin.
Përgëzoj dhe uroj organizatorët e këtij manifestimi me dëshirë që një gjë e tillë të bëhet traditë me vlerë.

Faleminderit për vëmendje.

Shënim: Kumtesa e botuar në librin “Shasi i lashtë, monument i kulturës“

Temë nga projekti “”Shkruaj dhe lexo në gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2022”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini