Procesi i liberalizmit të vizave për Kosovën, që do t’u mundësonte qytetarëve të saj lëvizje të lirë në dhjetëra vende të Evropës, zgjat tash e dhjetë vjet. Tani, duket se është në fazën finale.
Republika Çeke, e cila aktualisht ka kryesimin e Bashkimit Evropian, ka paralajmëruar se diskutimi në Këshillin e BE-së për këtë proces, do të nisë më 13 tetor. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën qysh në vitin 2018.
Në këtë datë, nëse nuk ndryshon plani, grupi punues për vizat në Këshill do të ketë në rend dite – për herë të parë – temën e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ky do të jetë fillimi i procesit në Këshill dhe jo fundi i tij, pasi në këtë datë do të nisë procedura, e cila do të çojë drejt vendimit formal për liberalizimin e vizave.
Në takimin e grupit punues për vizat në Këshill do të shqyrtohet raporti i përditësuar teknik nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës.
Nëse ka pajtim mes vendeve anëtare të BE-së, atëherë tek ambasadorët e këtyre vendeve do të bartet përgjegjësia që të japin dritën e gjelbër për nisjen e diskutimeve trepalëshe – mes Parlamentit Evropian, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian. /rtcg/