
Nga Hajrullah Hajdari
Ditë më parë Qeveria Pakicë e Malit të Zi, me shumicë votash (13 nga 21) aprovoi Marrëveshjen Themelore mbi rregullimin e e marrëdhënieve nndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Orthodokse Serbe (KOS).Qeveria nuk e ka bërë publike marrëveshjen, megjithatë, ajo u botua në të përditshmen “Vijesti”. Përmbajtjen e botuar në këtë gazetë qeveria nuk e ka demantur por as e ka pohuar. Gjithsesi kjo marrëveshje është një akt obligativ i qeverisë së Malit të Zi ndaj KOS-it.
Ndaj tekstit të publikuar, qytetarë, intelektualë të fushave të ndryshme dhe OJQ-të kanë reaguar ashpër. Kanë reaguar ashpër edhe Partia Social Demokrate (SDP) e cila është pjesë e Qeverisë Pakicë të Malit të Zi si dhe përkrahësi më i madh i Qeverisë Pakicë Partia Demokrate Socialiste (DPS), e cila ndonëse ka numrin më të madh të deputetëve në parlament (30) nuk është pjesë e qeverisë, por e përkrahë pa kushte, siç thonë ata me qëllim të zbatimit të programit qeveritar për integrimin sa më të shpejtë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, pa përkrahjen e të cilës nuk do të ishte e mundur krijimi i Qeverisë Pakicë. Më i ekspozuari dhe më kritiku i marrëveshjes, në përmbajtjen e aprovuar nga qeveria, padyshim është presidenti Millo Gjukanoviq, njëkohësisht kryetar i kësaj partie. Ai këtë marrëveshje e quan të dëmshme dhe kundër interesave të shtetit të Malit të Zi.
Ndërkaq, kryeministri Abazoviq mendon se marrëveshja është në suazat e kuadrit ligjor të Malit të Zi dhe nuk është kundër interesave shtetërore dhe të asnji kombi apo kombësie në Mal të Zi. Këto kontradita ndërmjet kryeministrit dhe presidentit dhe miratimi i kësaj marrëveshjeje nga qeveria mund të shënojë fillimin e konflikteve të reja, epilogun e të cilave, tani për tani askush nuk mund ta parashikojë. A do të thotë kjo se Mali i Zi po hynë në një krizë tjetër politike, e cila thënë të drejtën viteve të fundit është konstante?! Nëse i referohemi ngjarjeve të fundit në Nikshiq, me rastin e kremtitmit të Ditës të Shtetësisë së Malit të Zi, reagimeve të qytetarëve të të dy anëve si dhe deklaratave të shumta të partive politike, të pozitës dhe opozitës, ështe e qartë se Malin e Zi e pret një krizë e re politike dhe qeveritare. Ajo çka mund të dëshirojmë është që kriza politike mos të sjellë trazira dhe prishjen e rendit publik dhe të qetësisë në vend.
Çka është kontestuese në këtë marrëveshje dhe pse është në kundërshtim me interesat e Malit të Zi dhe e bënë ate të papranueshme për shumicën e popullsisë të këtij shteti?!
Së pari, paragrafi dy i parahyrjes (preambullës) në të cilin thuhet: “Duke u nisur nga fakti se Kisha e Krishterë ka qenë e pranishme në territorin e Malit të Zi që nga koha apostolike dhe vazhdimësia-misioni i saj nëpërmjet organizimit historik ortodoksë dhe kishtarë që nga themelimi i Episkopisë Zeta, Budimlja dhe Hum të Kryedioqezës së Zhiçkës (1219- 1220)”, që do thotë nga themelimi i saj, është i papranueshem, jo vetëm për malazeëzt por edhe për shqiptarët, kroatët. Ky paragraf legjitimon praninë 800 vjeçare e KOS-it në këto territore dhe pa asnjë dëshmi matriale apo fakt të vertetuar mohohet dhe humbet çdo gjurmë e ekzistencës së malazezëve në këto territore, çka është në kundërshtim me faktet historike të krijimit dhe veprimit të shtetit të Malit të Zi. S’ka dyshim, nënçmim dhe cenim i identitetit malazez. Ky paragraf i marrëveshjes, përveçse e shlyen një pjesë të historisë se Malit të Zi dhe identitetin malazez në këto troje, prekë rëndë edhe interesat e popullit shqiptar, sidomos atyre që jetojnë në brigjet e liqenit të Shkodrës. Kishat të ndërtuara në goricat (ishujt) e liqenit të Shkodrës (Marashniku, Gorica e Plakut dhe Gorica e Besit) i përkasin shekullit të XIV dhe janë ndërtuar nga Balsha i III dhe Gjergj II Strazimiri Balsha dhe padyshim janë pjesë e trashigimisë kulturore shqiptare.
Studiuesja e njohur Pranvera Bogdani konstaton se shumë autor, të kombësive të ndryshme, i konsiderojnë Balshajt të një kombësie me popullsinë e viseve ku ata vepruan. Për origjinën shqiptare të Balshajve flasin shumë dokumente dhe autor e në këtë rast po përmendim vetëm studiuesin A.Gegaj i cili në vepren e tij “L’Albanie et l’invasion turqueau XV siecle” botuar në Paris më 1937, sjell pohime të shumë autorëve për kombësinë shqiptare të kësaj familjeje dhe tregon se sa pa bazë janë pretendimet për origjinën e saj sllave.
Nga ana tjetër është botërisht e njohur se goricat në fjalë, deri në vitin 1984, kur është themeluar Parku Nacional” “Liqeni i Shkodrës”, kanë qenë pronë dhe janë shfrytëzuar nga banorët shqiptarë të fshatrave të Krajës, buzë liqenit të Shkodrës. Përfundimisht me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje pretendimet e shqiptarëve për t’i kthyer këto objekte në pronësi të tyre dhe ruajtjen e trashigimisë kulturore-fetare përfundojnë njëherë e përgjithmonë. Prandak kjo kontratë për shqiptarët është e papranueshme.
Së dyti, Në bazë të kësaj marrëveshjeje shteti i garanton KOS-it paprekshmërinë e pronës dhe dhe të drejtën mbi manastirët, tempujt, ndërtesat dhe pronat e tjera të patundshme dhe hapësirat në pronësi të saj (neni 7/2) dhe obligohet, në përputhje me rendin ligjor, se do të regjistrojë të gjithë pasurinë e patundshme të paragjestruar në pronësi të Mitropolisë malazeze-bregdetare dhe personava kishtare-juridike të cilës i përkasin (7/3). Në bazë të këtij neni të gjitha ndërtimet e egra që nga viti 1990 e këndej dhe devastimet e vazhdueshme të KOS-it në kishat në territorin e Malit të Zi në përgjithësi e në veçanti në liqenin e Shkodrës do të mund të legalizohen e regjistrohen si pronë e KOS-it, çka është e dëmshme dhe si e tillë e papranueshme jo vetëm për malazeztë, por edhe për shqiptarët dhe kroatët.. Është e vërtetë se kjo dukuri si edhe veprimet devastuese në objektet krishtere fetare në Mal të Zi për 30 vite janë lejuar nga pushteti i DPS-it dhe vetë Millo Gjukanoviqit. Sipas portalit “Analitika” datë 8 nëntor 2017, KOS-i, që nga fundi i shekullit XX me veprimet konstante, me devastimet e objekteve dhe ndërtimet e egra, sidomos në basenin e liqenit të Shkodrës, po e ndryshon trashigiminë kulturore malazeze, e ne po shtojmë trashigiminë fetare-kulturore të shqiptarëve. Natyrisht, ky formulim është i dëmshëm dhe i papranueshëm për shqiptarët.
Së treti, KOS-i kurr nuk ka qenë e regjistruar në Mal të Zi dhe nuk mund të konsiderohet si subjekt fetar juridik në Mal të Zi. Megjithate, në Mal të Zi janë të regjistruara katër eparhi (dioqeza) të cilat me dekada kanë fituar pasuri të patundshme anembanë Malit të Zi. Branisllav Radulloviq, nga Shoqata e Juristeve të Malit të Zi, konsideron se Marrëveshja për Rregullimin e Marrëdhënieve me KOS-in duhet të nënshkruhet me dioqezat e rgjistruara në Mal të Zi, në mënyrë identike si është vepruar në Kroci, ku qeveria e Kroacisë një marrëveshje të tillë e ka nënshkruar me Mitroplitin e Zagrebit dhe Lublanës Jovanin e jo me KOS-in. Atëherë, pse ne Mal të Zi kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet direkt me KOS-in?!
Nga ana tjetër Vlladimir Jokoviq, nënkryetar i qeverisë dhe kryetar i Partisë Popullore Socialiste me orientim proserb, ka deklaruar se nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore me KOS-in është arsyeja kryesore pse ajo parti është në qeveri. “Çfarë kontrate do të jetë, ajo varet nga KOS-i. Nëse është e pranueshme për KOS-in, është e pranueshme edhe për ne.Neve nuk na intereson që dikush i kundërshton disa vendime” në mënyrë kategorike shprehet Jokoviqi. Ky qendrim u kundërshtua ashpër nga zëdhënisi i DPS-it Millosh Nikoliqi, i cili kërkoi që Jokoviqi të përjashtohet nga procesi i vendimmarrjës sepse ai përfaqëson interesat e KOS-it e jo të qeverisë, zëvënkryeministër i të cilës është. Nga kjo del haptas se nënshkrimi i marrëveshjes varet nga diktati i KOS-it ndërsa qeveria dhe kryeministri Abazoviq iu nënshtruan këtij diktati pasi me këtë akt e tërë trashigimia kristiane po i falet KOS-it e nga ana tjetër trashigimia kulturore malazeze dhe shqiptare po tjetërsohen.
Ndërkaq, partitë politike dhe ministrat shqiptarë, si në shumicën e rasteve, edhe këtë herë janë në disharmoni të plotë, të ndara në mendime dhe veprime. Përderisa Fatmir Gjeka, ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave e mbeshtetë pa rezervë nënshkrimin e marrëveshjes themelore, ministri për Administratën Publike Marash Dukaj nuk votoi, duke e braktisur mbledhjen pak para nisjes së procesit të votimit. Vlen të përmendet se asnjëri nga ata nuk kishin bërë asnjë vërejtje e as nuk kanë dhënë asnjë amandament edhe pse ka shumë arsye për një veprim të tillë. Pra ata vrapojnë pas pushtetit e jo për nevojat e atyre me votat e të cilëve i mbajnë postet e lertëpërmendura.
Kriza politike në Mal të Zi është evidente. Ekzistojnë së paku tre opsione për tejkalimin e saj.
Opsioni i parë është që Mali i Zi mos të braktisë rrugën e përmbushjes se detyrimeve nga agjenda e integrimeve evropiane dhe për këtë arsye kjo qeveri duhet të vazhdojë punën deri në zgjedhjen e Këshillit gjyqësor, gjyqtrëve të Gjyqit Kushtetues dhe të përgadisë infrastrukturën ligjore për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në tetor të këtij viti;
Opsioni dytë i mundshëm është krijimi i një shumice të re ose thënë më mirë kthimi i Frontit Demokratik proserb dhe Demokrateve për të krijuar përseri shumicën qeveritare:
Opsioni i tretë është që URA dhe Fronti Demokratik mos të jenë pjesë e qeverisë të cilën do të krijonin DPS-SDP-SD-Demokratet dhe partitë e popujve pakicë;
Opsioni tjetër dhe sipas të gjitha gjasave më i preferueshmi është shkurtimi i mandatit të kësaj qeverie dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas shumë mendimeve edhe pse racionalë, një opsion i tillë do të ndikojë për keq në agjenden e integrimeve evropiane të Malit të Zi. Rrëzimi i Qeverisë që akoma si ka plotësuar 100 ditë të punës për një nguti e papjekuri që tregoi qeveria për një çështje që nuk është aq thelbësore për proceset e integrimit dhe zhvillimit, do të ishte një avanturë e radhës me pasoja të paparishikueshme për momentin. Sidoqoftë, çkado që të ndodhë, politikanët duhet të bëjnë çmosin për ruajtjen e qëtësisë dhe rendit publik me qëllim të shmangiës se trazirave eventuale.