bajram-begaj

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi z. Faik Nika ka përcjellur urimet më të përzemërta në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi për zgjedhjen e SH.T. Z. Bajram BEGAJ president i Republikës së Shqipërisë.

Urimin e z. Nika mund ta lexoni më poshtë.

PRESIDENCA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRESIDENTIT, SH.T. Z. Bajram BEGAJ

I nderuar President z. Begaj,

Të lumtur për zgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë, ju përcjellim urimet më të përzemërta në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim personal, duke ju dëshiruar punë të mbarë e të suksesshme në krye të shtetit.

Si pjesë e kombit shqiptar, e konsiderojmë shumë të rëndësishëm konsolidimin dhe funksionimin sa më të mirë të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, të bindur se stabiliteti politik dhe funksionimi i demokracisë në shtetin amë është garanci dhe siguri e shtuar për të gjithë shqiptarët në rajon.

Ne shpresojmë se përveç angazhimeve Tuaja në plotësimin e detyrave në shërbim të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, do të kontribuoni edhe për çështjet e shqiptarëve në përgjithësi, përfshirë edhe shqiptarët në Malin e Zi.

Me këtë rast dëshirojmë të shprehim angazhimin dhe vullnetin tonë të plotë, që në një të ardhme sa më të afërt të fillojmë bashkëpunimin institucional ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, si institucioni më i lartë i cili përfaqëson çështjet e shqiptarëve në Malin e Zi dhe Presidencës së Republikës së Shqipërisë, në interes të shqiptarëve në të dy shtetet.

Me dëshirën e madhe që punët për zhvillimin dhe progresin e Republikës së Shqipërisë të ecin sa më mbarë, ndërsa rezultatet të forcojnë bindjen e shqiptarëve për ndërtimin e të ardhmes në trojet e tyre, ju dëshiroj suksese në detyrën e Presidentit të shtetit amë! 

Urime!

Me respekt të veçantë,

K r y e t a r i

Faik Nika

By admini