Më 18 qershor 2022 janë bërë 17 vite nga vendosja e objektit metalik në Malin e Rumisë, në organizim të Kishës Ortodokse Serbe(KOS), në mënyrë ilegale, pa leje të punës si dhe duke irituar qytetarët. Shumica e partive shqiptare kanë kontestuar këtë veprim të njanshëm të KOS-it. Qeveria e Malit të Zi, e cila ndonëse ka marrë vendim për zhvendosjen e objektit nga mjedisi përkatës, por deri më tash vendimet e tilla janë injoruar nga KOS-i duke u sjellur si shteti në shtet, Kjo çëshje mbetet aktuale edhe tani kur kemi një polarizim dhe politizim të skenës politike në Mal të Zi sa i përket edhe çështjeve fetare, shkruan Ulqini Online.
Në këtë kohë ku qeveria aktuale po përgadit nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KOS) ku siç raporton rel, tashmë veç është harmonizuar në parim versioni punues, do të ishte e udhës që edhe partitë shqiptare që janë pjesë e kësaj qeverie të pakicës të kërkojnë zgjidhjen edhe të problemit të kishës në malin e Rumisë.
Mali i Rumisë, i lartë 1593 metra, është njëri ndër malet më të larta në Mal të Zi dhe më i larti që e ndan Detin Adriatik me Liqenin e Shkodrës. Rumia për banorët e Krajës është një vend i shenjtë. Maja e Rumisë ka qenë me shekuj vend takim i njerzëve të kombësive dhe konfesioneve të ndryshme. Janë shoqëruar, kanë luajtur lojëra popullore, siç janë hedhja e gurit nga krahu, kërcime të ndryshme dhe shumë lojra popullore të këtyre trojeve. Të gjithë i janë gëzuar lindjes së diellit në agimin e kthjelltë. I janë gëzuar rrezes së parë të diellit, ngrohtësisë njerëzore, vegimit të agut veror. Atë kënaqësi e kanë ndier të gjithë.
Njerëzit nga këto anë me shekuj kan dalur në majën e Rumisë dhe atje kanë marrë me vete nga një gurë, sipas traditës, që bjeshka të bëhet më e lartë. Me qindra metra kub gurë janë grumbulluar në majë të bjeshkës. Panorama qe te ofron maja e Rumise eshte magjepse ku shifet nga njëra anë Kraja, Liqeni i Shkodrës dhe në horizont Shkodra dhe Podgorica, ndërsa nga ana tjetër Deti Adriatik dhe Tivari.