Mesuesit nga ana e malit

Nga Gjekë Gjonaj

Personalitetet  e shquara të arsimit shqip në Mal të Zi, siç ishin mësuesit dhe mësueset  veteranë/e të Anës së  Malit, i duheshin popullit, ngase ata u shndërruan  në pishtarë  që përhapnin dritë kodo që vepronin.  E kjo është detyrë shumë humane dhe hyjnore. Misioni që kishin marrë  për t’u arsimuar ishte sa njerëzor, po aq edhe atdhetar. Sepse mbi  supet e  tyre  dhe mësuesve të tjerë  peshon  një barrë shumë e rëndë, në radhë të parë për zhdukjen e analfabetizmit  dhe të përhapjes së arsimit  në gjuhën shqipe  edhe në trevën e Anës së Malit, ku ata punuan  katër dekada të plota.

Shkolla Fillore “Bedri  Elezaga” në Katërkollë sivjet, me rastin e shënimit të 153 -vjetorit të saj , më 15 maj 2022, ndau mirënjohje  për 30 veteranë/e të  arsimit: Haxhi Taipi, Sadik Shaba, Syme Kokaj, Musa Maxharr, Hatixhe Maxharr, Idriz Kallaba,  Jakup Lleshi, Rexhep Lleshi, Qazim Hoti, Fadil Salaj, Bajram Sala, Ahmet Gjoni, Feride Gjoni, Hata Gjoni, Zarife Gjoni, Imer Çobi,  Kasem Çobi, Ramadan Mehmedi, Ani Kurti, Razije Maxharr, Xhevdet Astafa, Halit Avdiu, Rasim Alla,  Kasem Halili, Miliha  Ibriq, Kadri Doda, Enver Nasradini, Ramiz Nasradini , Paulina Marini dhe Roza Jankoviq.  Më i vjetri nga ata kishte 92 vjet. 

Vërtet ishte kënaqësi dhe nder të  ndodhesh në shoqërimin e  këtyre   njerëzve të shquar të arsimit, të  cilët janë më meritorët  për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të tëra, në veçanti gjeneratave të cilat sot i shohim  si kuadro shumë të mirë në çdo pore të shoqërisë sonë, veçanërisht në Komunën e Ulqinit. Duke i shikuar    të rreshtuar  për bukuri njëri-pranë tjetrit me mirënjohje në duar këta njerëz të dalluar të arsimit shqip së pari  na shkon mendja  tek sakrifica dhe mundi i madh i tyre,  në arsimimin e shqiptarëve në Komunën e Ulqinit, i cili nuk mund të kompensohet me asgjë.

Drejtoria e kësaj shkolle ishte e vetëdijshme se këtyre  meteorëve të arsimit  nuk mund t’ua kthejë aq sa duhet  mundin dhe kontributin e dhënë në fushën e arsimit , mirëpo tregoi se  nuk do ta harrojë asnjëherë atë që ata  e dhanë nga vetja për arsimimin e shqiptarëve në këtë komunë. Ajo  nderoi plejadën e krenarisë  të arsimit shqip në  Anë të Malit me  rrethinë, duke shprehur  mirënjohjen e saj për  punën shumëvjeçare dhe të pakursyer për arsimimin e gjeneratave të tëra,  të cilat  bartën misionin e shenjtë të mësuesisë . Të gjithë anamalasit  duhet  të jenë  krenar për punën e  veteranëve të arsimit, për dashurinë  që shpërndanë për dijen dhe përparimin  në kohët më të vështira, kur duhej vullnet i madh për ta arsimuar popullatën. Ata ( veteranët/et e arsimit)  bënë më të mirën  e mundshme   për popullin. Trasuan rrugën  e fatbardhësisë dhe të dinjitetit të shqiptarëve, duke nxitur dashurinë ndaj  gjuhës shqipe, edukimit  dhe arsimimit të  brezave,  trashëgimisë kulturore dhe vlerave tjera civilizuese. Të gjithë këta mësues/e  tërë jetën iu përkushtuan arsimit  pa u penduar  dhe e shkrinë veten sikur qiriri për arsim. Edukuan ndër vite  breza të tërë , të cilët sot falë punës së tyre të mbarë kanë pozita të larta në institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Veteranët/et e arsimit në Anë të Malit  ushtrimin e  profesionit të mësimdhënies nuk e kanë  shikuar vetëm nga aspekti i pagës mujore. Por si një mision fisnik, bazament i edukimit dhe arsimimit të fëmijëve për formimin intelektual, shkencor e qytetar të shoqërisë njerëzore.  Prandaj, edhe duke u frymëzuar nga ata , nga puna e tyre  vetëmohuese, shoqëria e sotme duhet të ketë  detyrim ndaj tyre, për mirëqenien e  mësimdhënësve , për një jetë më me dinjitet, ngase një jetë të tërë e dhuruan për gjenerata e reja

Mësuesit/et veteranë/e  të Anës së Malit me krenari  pohojnë se mësuesi dikur  vlerësohej  e konsiderohej si qenie hyjnore e mitike, sa që  ishte krijuar përshtypja se “ a ha bukë mësuesi?” “ Në të kaluarën  është çmuar e vlerësuar shumë  puna, përkushtimi dhe misioni i shenjtë i mësuesit, sa që ai gëzonte respektin e autoritetin më të madh të kohës.  E  sot?  Mësuesin e kanë degraduar    e nëpërkëmbur. Mësuesi sot është një personalitet që nuk respektohet e nuk nderohet sa duhet as nga shteti, as nga prindërit,  as nga nxënësit”, shtojnë me keqardhje   pishtarët e arsimit anamalas.   Institucionet shtetërore  duhet të punojnë që t’ua kthejnë dinjitetin mësimdhënësve,  duke e pasur prioritet arsimin  si në nivel vendor ashtu dhe në nivel qendror. 

By admini