Seanema Film Festival: Thirrja për shprehje interesi për Balkan Short Film Network e hapur deri më 27 maj

Seanema Film Festival (Ulqin, Mali i Zi) së bashku me festivalet dhe organizatat partnere nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Basta Fest (Bajina Basta, Serbi) dhe Drim Short Film Festival (Strugë, Maqedoni e Veriut) kanë themeluar Rrjetin Ballkanik të Filmit me Metrazh të Shkurtër (Balkan Short FIlm Network) i cili ka për qëllim edukimin e vazhdueshëm autorëve të rinj si edhe promovimin e filmit me metrazh të shkurtër të prodhuar në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Projekti në fjalë mbështetet nga Fondi për Ballkanin Perëndimor (Western Balkans Fund).

Në këtë fazë të projektit do të realizohet përzgjedhja e pjesëmarrësve, gjithsej pesë ekipeve, të cilët duhet të paraqiten me nga një projekt filmik të kohëzgjatjes jo më shumë se 30 minuta. Ekipet e përzgjedhura do të marrin pjesë në gjithsej tre punëtori: Basta Pitch në Basta Fest, Fund Ready ne Drim Short Film Festival dhe Festival Ready në Seanema Film Festival në Ulqin.

Në punëtorinë e parë, Basta Pitch, përmes një programi disa ditor në Bajina Basta të drejtuar nga mentorë nga Serbia, pjesëmarrësit do të kenë rastin të përgatisin një prezantim (pitch) final për secilin projekt. Në fund të punëtorisë nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse do përzgjidhet një ekip fitues i cili do të marrë edhe një çmim me vlerë prej 1000 eurosh për ta realizuar projektin e filmit me metrazh të shkurtër. Partner dhe mbështetës do jetë Ministria e kulturës dhe e informimit si edhe Qendra kinematografike e Serbisë.

Në punëtorinë e dytë, Fund Ready në Strugë, me ndihmën e mentorëve nga Maqedonia e Veriut pjesëmarrësit do të zhvillojnë strategjitë e tyre për mbledhje fondesh si edhe të mbështetjes së nevojshme për realizimin e një projekti filmik me metrazh të shkurtër.

Në punëtorinë e tretë dhe të fundit, Festival Ready në Seanema në Ulqin, pjesëmarrësit do punojnë me mentorë të shquar nga Mali i Zi në përgatitjen e strategjisë për promovimin e projektit filmik në festivale si edhe mënyrave të tjera të prezantimit të projektit në fazën e post produksionit.

Datat e punëtorisë së parë (njëkohësisht datat e Basta Fest): 30 qershor – 3 korrik 2022

Datat e punëtorisë së dytë (njëkohësisht datat e Drim Short): 6 – 9 gusht 2022

Datat e punëtorisë së tretë (njëkohësisht datat e Seanema Film Festival): 8 – 11 shtator 2022


Secili projekt duhet të ketë nga 2 përfaqësues – një regjisor/e dhe një producent/e, ose gjithsej 10 pjesëmarrës në punëtori.

Të interesuarit duhet të dërgojnë në adresën prijava@bastafest.com materialet, si vijon:

  • Skenar i një filmi me metrazh të shkurtër, me kohëzgjatje jo më shumë se 30 minuta
  • Sinopsis (1 faqe A4)
  • Deklarata e regjisorit/es ku gjendet i detajuar këndvështrimi i tij/saj rreth këtij projektit
  • Biografia e regjisorit me një fotografi (deri në 2 faqe A4)
  • Biografia e producentit me fotografi (deri në 2 faqe A4)

Kriteret për zgjedhjen e projekteve fitese në këtë fazë:

  • Komisioni I cili përbëhet nga tre anëtarë do analizojë projekt aplikimet dhe do të përzgjedhë projektet që kanë potencial më të lartë për sukses dhe produksion
  • Komisioni, gjithashtu, do kontrollojë kriteret administrative nëse projektet vijnë nga shtetet e sipërpërmendura, anëtare të rrjetit (Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si dhe nëse projekti është me kohëzgjatje deri në 30 minuta.
  • Komisioni do marrë parasysh gjatë vlerësimit të projekteve edhe cilësinë artistike dhe komerciale të secilit.

Thirrja është e hapur deri më datë 27 maj 2022.

Suksese të gjithë kandidatëve të interesuar për t’ju përgjigjur thirrjes.

Seanema Film Festival

By admini