Nga Hajrudin Muja
Me shpënguljen e krajanëve në Zarë të Dalmacisë, janë marrë studjues të ndryshëm, si: S.G. Weningrand, C. Tagliavani, Terberi, S. Buzoliqi, M. Qurkoviqi, I. Ajeti, etj. Eshtë evidente se të gjitha këto studime, janë mbështetur në një numër të kufizuar dokumentesh dhe të dhënash gojore, kështu që ata janë të pakta e shpesh të pa sakta [Dragaj:1997/101-106].
Kruno Krstiq i dhuroi lexuesit: “Fjalori i të folmeve të arbëreshëve të Zarës” [Krstić:1987], dhe një monografi: “Vendosja e arbëreshëve në Zarë” [Krstić:1988]. Sipas kësaj monografie, të dhënat e para mbi shpërnguljen e arbëreshëve nga Kraja (Mali i Zi), datojnë nga viti 1726, që ishte “shpërngulja e parë e madhe”. Të dhënat e para i merr nga vikari i arqipeshkvisë së Tivarit Marko Deluchi (Lukish), i cili thotë, se shqiptarët e shpërngulur, ishin nga pjesa prendimore e Krajës, përkatësisht nga Brisku, Ljarja dhe Muriqi, ky i fundit, një vendbanim që pushoj së ekzituari që në atë kohë, pasi ata pak familje që nuk u shpërngulën, u vendosen në Vërri – fshat që e mori emrin e fshatit të vdekur Muriq i poshtëm.
Gjatë dyndjes së vitit 1726, në Zarë arritën 19 familje (dy beqarë) me 147 frymë: 4 të barkut Gjeshgjen (Petani), 11 Margjeçi (Qurkoviq), 1 Vukiq, 2 e Jelenkoviq dhe 1 e familjes Mira (Peroviq). Duket se me këtë grup erdhën edhe familjet Pinçiq (Pinçi) dhe Shestani, të cilat më vonë ndeshen vetëm në Zemunik. Familjet Gjeshgjen dhe Margjeç ishin nga Brisku. Në shpërnguljet e mëvonëshme kishte nga Dobreci, Pinçi, Muriqi, Karanikajt dhe Bujgri (Shestan).
Në vitin pasues (1727) në Zarë arritën 7 familje të ikura me 71 frymë, midis tyre dy Joviqësh (Shestan), Paloka, Gjergja, Alviri – Petani, Periq, Shestani, Prendje, Qurkoviq, etj. Ndërsa katër vjetë më pas (1731), aty u vendos familja e ikur Shenci. Edhe disa familje të tjera midis viteve 1726-1733 shpërngulën nga Shqipëria dhe Gucia, siç ishte Ivan Kampsi (Shkodër), familja Delveshi, tregtarët Angjeloviq nga Shiroka.
Megjithse data e arritjes së krajanëve në Zarë nuk dihet saktësisht, dihet se ata kanë arrijtur atje para 3 Majit 1726, sepse në librin e krezhmimeve, në këtë ditë është krezhmuar fëmiu i parë i lindur Lekë Pera (Margieçeviq) me origjinë nga Brisku. Domagoj Buljat [“Povijest Arbanasa kod Zadra”], në regjistrin e 15 gushtit 1726, ka gjetur këto të emigruar: Luca d’Andrea Gezghenovich, Nicolo di Luca Marghicevich, Nicolo d’Andrea Gasparovich, Giovanni d’Andrea Gezghenovich, Pere di Marco, Prem Vuca Marghicevich, Paolo Giech Marghicevich, Giech Prend Marghicevich, Giech Pepa Marghicevich, Marco Discialo Marghicevich, Prenz Prema Marghicevich, Petar Vuca Gianova, Nico Matessich, Luca Prend, Boso Nico Smira, Stanica Gielencovich, Visco Gielencovich, Lech Pero Marghicevich, Luca Lucich. Tulio Erber [”Kolonia shqiptare e Arbanasve pranë Zarës” (Dubrovnik, 1883)], thotë se prapashtesat sllave tek mbiemrat “ov” dhe “iq”, nuk kanë qenë në përdorim për këta shqiptarë, por janë rezultat i gabimeve të përkthyesit, ose të përshtatjes në sllavishte, të cilat nga “Luca di Andrea”, kanë bërë “Andriq”.
Arritjet e këti viti i përmendë edhe Monsignor Bianchi [“Zara cristiana”], i cili pretendon të kenë ardhur 24 familje, nga 12 në dy drejtime. Ndërkohë, burime të tjera flasin vetëm për 16 familje. Prof Vjekoslav Klaic [“Opis zemalja u kojim stanuju Hrvati” [Klaić:1881], përmendë 1.354 arbëresh rreth vitit 1720. Më pas Jakov Slišković [“Albanija i Makedonija” [Slišković:1904], përmendë 27 familje të tilla. Ndëmjet këtyre shkrimeve plot kundëthënie, por si studime e kanë rëndësin e vet për tu theksuar
Një dokument i datur më 12 shkurt 1727, bën fjalë për të vendosurit e ca shqiptarve në Zemunik, afërsisht 14 km në lindje të Zarës: Giovanni di Giovo, Gieci d’Andrea, Pietro di Marco, Giovanni di Vucchia, Giovanni di Nica, Giovanni Prenci, Nicolo Giovi… Pasardhësit e këtyre sot nuk e pranojnë origjinen shqiptare.
Të bazuar në raporte të misionarëve katolikë, nxjerrim të dhëna të mjaftueshme që dëshmojnë se shpërngulja e këtyre krajanëve, nuk u bë nga shkaku i “ruajtjes së krishterimit”, si u pëlqen atyre që tregojnë “përralla me turqit”, përralla të cilat i ka filluar mbase Josip Rela me dramën “Nita”, dhe po i vazhdojnë sot ato që ende u pëlqejnë përrallat për një gjumë të ëmbël.
Natyrisht që shpërngulja kishte arsyet e veta. Ata që kanë pasë rastin ta shohin përshembull, vendbanimin e vjetër të Muriqit, përmbi Liqenin e Shkodrës, do të habiten ku kanë jetuar ato njerëz, në një hapsirë të tillë, të pa përshtatshme të terenit malorë, me tokë aq të kufizuar pune!?
Por, Dr. Krstiq, paraqet edhe një arsye tjetër, në lidhje me gjendjen e atëhershme Brenda Perandorisë Osmane, e cila në atë kohë, ishte në luftë me Persinë (1722-1736) dhe planifikonte të mobilizonte 5000 veta nga Shqipëria Veriore. Kështu banorët e rrethit të Shkodrës jetonin me frikë, se nga dita në ditë, mund të bëheshin pjesë e asaj ushtrie përforcuese, që do t’i bashkangjitej konfliktit me Persinë. Por, kjo gjendje zotronte në të gjitha pjesët e tjera të Ballkanit, megjithëse banorët e Krajës e kishin më të lehtë ikjen.
Dihet se ishte një “ikje e planifikuar dhe e përkrahur”, siç thuhet në letrën e Jerolim Buqës, më 30 Maj 1725. Nuk thuhet se nga kush, nuk thotë gjë Radoniq [“Rimska Kurija i Jugoslavenske Zemlje” (Beograd 1950)], që sjell të dhëna për shqiptarët, mbrenda Perandorisë Osmane, sipas dokumenteve arkivore të Vatikanit! Ndërmjet shqiptarëve të Zarës, edhe sot flitet, se ishte kryepeshkopi Vinçenc Zmajeviqi (1670-1745), ai që u mundësoj krajanëve ikjen dhe vendosjen atje. Kështu shkruante edhe Prifti Arbanas Stjepan Buzoliq, në artikullin e botuar në “Kalendarin Popullor” të vitit 1866 [N.Karuc:1985/20].
Ai për 12 vjetë (1701-1713) ushtroj detyrën e kryepeshkopit të Dioqezës së Tivarit, i njihte mirë krajanët dhe i donte ata. Ndoshta kishte dëshirë ti afronte më afër vetes!? Disa studjues mendojnë se për këtë kishte një marrëveshje sekrete në mes Zmajeviqit, përfaqësuesve sllav dhe Venedikut në vitin 1713, ku tokat e të shpërngulurve krajanë do tu ndaheshin serbëve, ndërsa shqiptarët do të vendoseshin në Zarë. Thuhet se këtu ka patur gisht edhe udhëtimi i një rregulltari: Patri Bernardin Caravaggio nëpër Krajë, në gushtin e vitit 1733 dhe dalja e kapitenit të shqiptarëve të Zarës Nikollë Margieq Curkoviqit, përpara të ikurve, të cilët kishin ardhur në Arbëresh, në tetor të vitit 1733 (pas emrigrimit të parë).
Imzot Ivan Prenda, në një simpozium për Zmajeviqin, mbajtur në Zagreb, ndërmjet 14 dhe 15 Tetor 1995, thotë se Zmajeviqi kishte dërguar pra Curkoviqin, sepse ishte i njohur për përgaditjen e ikjes. Dihet madje se edhe para shpërnguljes së parë (1726), krajanët shërbenin në Zarë si ushtarë apo oficerë (të paguar), por kishin edhe lidhje tregtare me ato përmes Adriatikut, Bunës e Liqenit të Shkodrës. Thënë shkurt, krajanët njiheshin mirë me Zarën, prandaj kishte mundësi ta kishin vënë në shenjestër qysh më parë, për të realizuar një shpëngulje kolektive atje!?
Nga relacioni i kalorësit boshnjak Françesk Betruçit, dërguar ambasadorit të Spanjës në Romë, më 4 Korrik 1603, merret vesh se Zara, që në fillim u njoh me emrin Eriçin Varosh / Ericovo selo, e më vonë edhe Arbanasi; dhe Arbnesh, nga vetë banorët shqiptar [Illyria, 15-18.03.2002], konsiderohej qytet shumë i fortë i Venedikasve në Dalmaci [Zamputi:1989/dok.#1, f.24].
Sidoqoftë, pas shpërnguljes së 147 familjeve (1726), ngjau një shpërngulje tjetër më 1733, me 28 familje (199 veta) të tjera, nga Shestani, Ljarja, Brisku e fshatra të tjera. Sipas regjistrave të 11 marsit 1735, këto ishin: Nicolo Andre, Crasto Covac, Marco Giocca, Giocca Gionon, Giocca Giuchin, Stjepo Gjuri, Stiepo Luco, Prento Kneunichi, Lecca Marco, Prento Marcov, Paolo Marussich, Mar Mazia, Marco Nicadobrez, Pema Nichin, Nicolo Pantov, Marco Pertu, Frane Popovich, Paolo Prendi, Nicola Rose, Rado Ruco, Gen Sperc, Prento Stani, Vuco Tamartinovich, Vuksa Tancovich, Pietro Tioba, Andrea Toma, Capitano Nicolo Vlagdan dhe Jovan Vucin. Nga këto rrjedhin familjet arbëneshe Duka, Pema, Mazi, Cotiqi, Marushiqi, Ratkoviqi, Kërstiqi, Stipçeviqi, Muzhanoviqi, Marshani, Vladoviqi, Rela, Nikpali, Musapi, dhe Moroviqi (nga Petani).
Zorzi Grimani (“Dispacci…”), përmes të cilit bëhet shpërngulja e dytë e krajanëve në Kotorin e Zarës, përmendë 3.000 krajanë, që e numron “një të mirë në favor të shtetit, shtim popullsie”. Pas kësaj, këtu zu vend edhe një familje e quajtur Kalmeti, që u quajt në fillim Muriq, ndërsa familja Karuc, përmendet për herë të parë në Kadastrin e vitit 1754.
Por, le të kthehemi edhe një herë tek arsyet e ikjes. Eshtë stërthënë tashmë, se ata qenë të detyruar ti largohen “dhunës turke”, për të ruajtur fenë e tyre katolike. Kështu thotë edhe një këngë arbëreshe: “Të randa vjeteve të parve ton / Ata kur kejshin të dëbuom / Për fen krshten – katolike jon” [Illyria,15-18.03.2002]. Megjithatë, shumica e atyre që kanë mbrojtur këtë ‘tezë’, përmendin disa familje të tjera, vëllazëri të atyre që u vendosen në Zarë, që u shpërngulen në rrethet e Ulqinit e të Tivarit, por nuk u detyruan të ndrrojnë fenë?!
Kemi takimin interesant të vikarit kanonik të Tivarit Ante Beçiq, me proveditorin e jashtzakonshëm Dopit, në Herceg Novi (Kastelnovë) më 13 tetor 1733. E pyetën: Kur ke arrijtur këtu? Eshtë përgjigjur: Sot në mëngjes, me anije duke i përcjellur 120 njerëz, që t’i braktisin fshatrat e tyre! E pyetën: Kush i nxiti ata 120 njerëz, që t’i braktisin fshatrat e tyre? U përgjigj:
Ka kohë që ata kanë tentuar, për t’u strehuar në fshatin e dogjit, sepse truqit i kanë ngarkuar me tatime më të mëdha se ç’kanë mundur të durojë varfëria e tyre. I kanë bezdisur edhe malazezët. Nga Zara kanë ardhur katër njerëz arbëresh, të cilët ka kohë që banojnë në qytetit e Erizit që të angazhohen për këto 120 persona – kushërinj të tyre, të cilët m’i ka rekomanduar Mons. Shumë i ndritur, kryepeshkvi Zmajeviq dhe Mons. Shtukanoviq, duke më porositur që tua ofroj çdo të mirë brënda mundësive të mija. Kam menduar se unë, i cili e kryej detyren e Vikarit gjeneral të dioqezës së Tivarit, e kam gjithsesi për detyrë të mos i lë pas dore, të gjithë ato frymë katolike, të cilët po të mos u kisha dalë në ndihmë, do të ishin detyruar të turqizohen”!
Në fund Beçiqi u betua për dëshminë e dhënë dhe me dorë të vet u nënshkrua në procesverbal. Por ne kemi nevojë për një shpjegim. Natyrisht duhej të gjendej një shkak i madh për të arsyetuar ikjen. Vemendjen këtu, për dallim nga të tjerët, na e tërheqë: “I kanë bezdisur edhe malazezët”. Dhe raste të tilla në Krajë nuk janë të panjohura nga historiografia, por asnjëri prej atyre që shkruajn “përralla me turqit” nuk e vë në dukje.
Arsyetimin se “truqit i kanë ngarkuar me tatime më të mëdha se ç’kanë mundur të durojë varfëria e tyre”, e hedh poshtë vetë Vinçenc Zmajeviqi, i cili mbas lutjes që vetë i bëri pashait të Shkodrës – Hydaverdi Pashë Begollit, banorët e këtyre fshatrave të konsideruar “shumë të varfër”, u liruan nga pagimi i taksave [Nika:2001/16].
Arsyetimi “do të ishin detyruar të turqizohen“, na del sërish i pa besueshëm, sepse banorët e mbetur në këto fshatra, nuk u detyruan të “turqëzohen”, janë edhe sot të krishterë, njëllojë si janë edhe shumica e atyre që u shpërngulen në atë kohë, në rrethinat e Tivarit e Ulqinit, sërish nën Osmanët. Pse asnjëri që synon të tregojë “përralla me turqit”, nuk lodhet për të na shpjeguar, si mbeten ata deri sot katolikë, përballë asaj “dhune të madhe konvertuese”. Si do ta arsyetojnë ata “intolerancën turke”[Koha Javore, 27.4 dhe 4.5 2017], kur në fshatrat nga ikën arbëreshët e Zarës, atëherë, njëllojë si edhe sot, kishte së paku katër kisha për të krishterët dhe asnjë xhami për muslimanët, në numër po aq sa të krishterët ose edhe më shumë!? Cila është dëshmia se në Krajë ndonjëherë jetuan “turq”, që të kenë qenë aq “intolerantë” ndaj të krishterëve? Eshtë vetëm një absurditet i përsëritur, që nuk të lë të mendosh, se në këto fshatra, dy vëllezër u takonin dy feve të ndryshme, dhe sikur të kishte intolerancë, siç pandehin disa, ajo duhej të ishte ndërmjet vëllezërve.
Vemendjen na e tërheq shënimi i Ante Beçiqit (1733): “i kanë bezdisur edhe malazezët”, një arsye të cilën nuk e dinë, ose nuk duan ta përmendin fare, ato që tregojnë “përralla me turqit”. Kemi një provë të fortë argumentuese, në relacionin e Mark Gjorgës në vitin 1696, plot tridhjetë vjetë para shpërnguljes së parë: “Që dhjetë vjetë, Shestani plaçkitet e digjet prej hajdukëve malazias (Aiduzi Montenegrini), që nuk kursenjnë as kishat e as paisjet e shenjta në to, që të gjitha i marrin e i ndajnë mes tyre” [Istorijski Zapisi, #1-2/1994].
Pavarësisht nga arsyet që i shtyu këto krajanë të shpërngulen, ata u treguan shumë të zotë në përshtatjen e tyre në rrethin e ri, si dhe në veprimtaritë e tyre ekonomike. Ishin të parët që në Zarë kultivuan kulturën e misrit. Si vreshtarë me përvojë nga Kraja, u treguan edhe në mjedisin e ri, duke bërë vreshta dy të tretat e pronave të tyre. Buzoliqi shkruante se“…shtëpitë i kishin përdhese, por të pastërta dhe të rregulluara më mirë. Më vonë filluan të ndërtojnë kulla të rrethuara me mure të larta dhe me kopshte me lule për rreth. Këto janë, pa mëdyshje, rrejdhim i zakoneve nga viset e tyre të vjetra [N.Karuc:1985/20]. Një gjysëm shekulli u bënë kolonët më të mëdhenj të rrethinës së Zarës, duke ruajtur zakonet dhe gjuhën e Krajës. Madje edhe emrat e vendeve të Krajës i çuan atje, si përshembull: Vani i Bodranit, Shkambat, Vidhat, Bregdeti, Karma, Fusha e Vorreve, Fusha e Arbneshit, Vani i Joviqit, Vilat, Grapa, Shkambat, Kisha, Kulla, etj. Njëherish duke emërtuar edhe rrugët: “Mbretëresha Teuta”, “Gjegj Kastrioti Skenderbeu”, “Gjergj Fishta”, “Josip Rela”, etj. Por edhe duke ruajtur emrat e vëllazërive: Gjergji, Nikpali, Marseni, Çoba, Luka, Ndreka, Gjoni, Marku, Gjini, Stani, Nika, Duka, etj [Illyria, 15-18.03.2002].
Temë nga projekti “”Ruaj dhe zhvillo identitetin kombëtar duke shkruar, lexuar dhe folur shqip’’ – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptareve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2021”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.