Nga Gjekë Gjonaj

Shkolla Fillore “ Marko Nuculloviq “ në Shtoj, krahas procesit mësimor,  organizon edhe aktivitete të  lira të ndërlidhura me plan-programet  mësimore të cilat  ngërthejnë  në vete vlerat e njëmendta kulturore, artistike e sportive , që  janë në funksion të  zhvillimit të  afiniteteve, krijimit të  shkathtësive dhe shprehive të punës.  Këto aktivitete  , siç thotë drejtori i shkollës  Dul Asllani,  ndikojnë në zhvillimin e kreativitetit, nxisin motivimin dhe kërshërinë  si dhe janë rekreative, inspiruese  dhe ngazëlluese  për nxënësit.   Përmes  organizimit të këtyre  aktiviteteve të shumta  jashtëmësimore dhe jashtëshkollore apo të lira  nxënësit kanë  mundësinë  të fitojnë  dije nga fusha të caktuara, të argëtohen   dhe t’u shërbejnë  edhe si përvojë e mirë në formimin e personalitetit të tyre. E gjithë kjo punë e mirë bëhet falë  mësimdhënësve dhe  drejtuesve të shkollës, të cilët  me përkushtim i janë qasur misionit të tyre të shenjtë- mësimit dhe edukimit të  nxënësve të tyre. 

Mësimdhënësit dhe drejtuesit e Shkollë Fillore “ Marko Nuculloviq  në Shtoj  e kanë kuptuar rolin dhe rëndësinë e   mësimit bashkëkohor, respektivisht  mësimin e bazuar në konkurse e projekte i cili jo vetëm që shton një dozë me rëndësi për modelin e mësimit standard, por ai e ndërton mësimin brenda një konteksti relevant që nga fillimi, kështu që nxënësit janë  të angazhuar natyrshëm. Ata i kanë përqafuar ndryshimet, po provojnë  me  sukses të hyjnë në botën e nxënësve të tyre dhe të dalin jashtë zonave  veta  të rehatisë, duke u treguar të gatshëm   për të provuar gjëra të reja. Si rezultat i kësaj pune me përkushtim, vullnet e zell të madh, kjo shkollë,  vetëm gjatë muajit nëntor  të këtij viti shkollor,  ka organizuar disa aktivitete  të rëndësishme. 

Aktiviteti me  i rëndësishëm i shkollës gjatë këtij viti shkollor  gjithsesi është pjesëmarrja  e nxënësve   nga klasa e parë deri në klasën e nëntë në  Turneun Ndërkombëtar “ Matematika pa kufij”, i   cili mbahet  që nga viti 2013 dhe tubon  nxënësit  nga të gjitha pesë kontinentet, njofton drejtori i shkollës Dul Asllani. “Fjala është për njërën prej garave më të rëndësishme    të kësaj fushë,  të cilën   e ka organizuar  Ambasada e Bullgarisë në  Mal të Zi.  Në këtë  garë morën pjesë 12 nxënës të kësaj  shkollë,  të cilët i kanë përgatitur mësimdhënësit, Marina Luliq dhe Zhive Matejin.  Nga ky numër i nxënësve katër prej tyre,  Lluka Popoviq, Mehmed Luceviq, Llana Zhivanoviq dhe Emil Muratoviq  fituan medaljen e bronztë, ndërsa të tjerët u shpërblyen me certifikata,” thotë Asllani.

Nxënësit matematikën e përshkruajnë si një lëndë jo të pëlqyer. Mirëpo, mësuesit e    mirë të matematikës dhe të tjerët  në këtë shkollë  imponuan  dhe motivuan tek  nxënësit e tyre  aftësi dhe potencial që vet nxënësit nuk menduan  se i kanë.  Kjo tregon se pritjet e mëdha dhe mbështetja e fortë nga mësuesit janë vendimtare. 

Sipas fjalëve të drejtorit Asllani me rastin e  kremtimit  të Ditëve të Gjuhëve Evropiane  nxënësit e  kësaj shkollë morën pjesë në Konkursin për dizajnimin   e bluzave ( fanellave)   që do të postohen në faqen elektronike të   gjuhëve evropiane të Këshillit të Evropës.  Në kuadër të  shënimin të 13  nëntorit, ditëlindjes së poetit, mendimtarit dhe filozofit të madh malazez,  Petar Petroviq Njegosh, mësimdhënësit  Sabil Kurti dhe Spase  Askrabiq-  Duroviq mbajtën  një ligjëratë kushtuar jetës dhe veprimtarisë  letrare të  Njegoshit.  Nxënësit  recituan pjesë të zgjedhura  nga opusi letrar  i Njegoshit dhe poezi   të poetëve  të tjerë kushtuar  këtij poeti.

Nxënësit e kësaj çerdhe të diturisë  do të marrin pjesë  edhe në  realizimin e projektit “ Çështja  ime” –  punëtori pedagogjike dhe  teatrore për gjuhën e urrejtjes në media dhe barazinë gjinore  dhe në Garat Ndërkombëtare   në Matematikë “ Kengur pa kufij”.  Garat Kengur  pa kufij  mbahen tash 30 vite në më shumë se 80 shtete , duke përfshirë të gjitha shtetet  e rajonit. Rreth  6 milionë  nxënës të shkollave fillore dhe të mesme  anembanë botës , në të njëjtën kohë mendojnë  për të njëjtat probleme dhe i zgjedhin detyrat e njëjta. Përfundimisht këtë  rast e kanë edhe  nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Mal të Zi, në mesin e të cilëve edhe ata  të shkollës nëntëvjeçare të Shtojit.

Mësuesit e kësaj vatre arsimore rurale, e cila numëron 105 nxënës të shpërndarë në  14 paralele, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe malazeze,  po zhvillojnë tek nxënësit aftësi për të punuar  jo vetëm  në mënyrë individuale,  por edhe   në ekip. Ky lloj mësimi u mundëson nxënësve  të jenë të vetëdrejtuar, të pavarur dhe të punojnë në mënyrë të ndërvarur.

Me punën, aftësitë  dhe idetë e tyre ata po mësojnë më mirë  nxënësit dhe po u japin atyre aftësitë për të cilat ata kanë nevojë në shkollë dhe përtej klasës. Në edukimin dhe arsimimin cilësor të nxënësve të kësaj shkollë  dhe në  arritjen e rezultateve  shumë të mira ka ndikuar edhe bashkëpunimi i mirë mes mësuesit dhe prindërve, respektivisht forcimi i partneritetit shkollë-familje.  Të gjithë së bashku ndjehen krenar për arritjet e tyre.

By admini