DY ZEMRA

Do të doja dy zemra me pas, të parën të pandjeshme, të dytën vazhdimisht të dashuruar: këtë t’ua besoja vetëm atyre për të cilët rreh dhe me tjetrën i lumtur do të jetoja.- Amin Maluf

Nga Bernard Çobaj

Citimi Unë nuk vij nga ndonjë shtet, qytet, fis. Unë jam biri i rrugës… nga pjesa e parë e shkrimit është nxjerrë nga novela Leoni Afrikan (Léon l’Africain) botuar në vitin 1986. Novela, e shkruar në formë të memoarit të personit të vërtetë historik, Hasan al Vatanit, prekë, mes tjerash, historikun e rënies së Grënadës në vitin 1492. Shkrimtari këtu pasqyron perspektiven e re të pastrimit etnik të hebrenjve dhe myslimanëve të Andaluzit në fund të shekullit XV (më 1492 Ferdinandi dhe Izabela sollën Ediktin e përjashtimit për hebrenjë dhe myslimanë të Spanjës). Rënia e Grënadës mavare tregohet nga sytë e arabëve – temë me të cilën, po ashtu, merret autori Tarik Ali. në veprën e tij Hijet e shegës (Shadows of the Pomegranate Tree, 1992). Tarik Ali, sikur edhe Maluf, e lëshon vendlindjen e vetë për të jetuar në Londër – ku spikatet si një ndër majtistët më të njohur të botës, me shumë shkrime historiko-politike dhe pesë novela të njohura si Kuinteti Islamik (në origjinal The Islam Quintet: Shadows of the Pomegranate Tree, The Book of Saladin, The Stone Woman, A Sultan in Palermo, Night of the Golden Butterfly). 

Kënga Street Fighting Man e grupit legjendar The Rolling Stones është kushtuar Tarik Ali-t.

Në këtë frymë, novelat e Malufit që ndërlidhen me periudhën pas Kryqëzatave e deri në ditët e sotme gërshetohen me novelat e “Kuintetit Islamik” të Tarik Ali-t, që fillon në Spanjën mavare në shekullin e XV dhe përfundon në Lahorë, Londër, Paris dhe Kinë në shekullin e XXI. Tarik Ali shprehet se “Evropa ishte më e mirë ndërsa kulturat islame, hebrenjët dhe të krishterët bashkëpunonin mes vete gjithnjë e më mirë”.

Leoni Afrikan po ashtu prekë periudhën e okupimit të përgjakshme të Kajros nga ana e Osmanëve në vitin 1517 dhe të Romes gjatë momenteve më të bukura të Rilindjes, por edhe gjatë shkatërrimit dhe plaçkitjes së qytetit nga ana Karli i V më 1527.

Tema e bashkëjetesës mes kulturave dhe traditave të ndryshme është thelbësore në këtë novelë si edhe në mbarë letërsinë e tij.

Unë jam biri i rrugës, vendi im është një karvan dhe jeta ime është udhëtimi më i papritur. Unë i përkas tokës dhe zotit dhe tek ata një ditë së shpejti do të kthehem – Leoni Afrikan

Bijtë e rrugëve, frazë që i referohet mërgimtarëve, diç të njohur në mjedisin tonë shumë mirë, duke pas vale mërgimesh madje çdo 15-20 vite për shkaqe ekonomiko-politike ose anasjelltas. Mërgimi është tema që e përkufizon mjedisin tonë, kështu që novelat e Malufit, në një mënyrë, janë përshkrim i përjetimeve tona individuale apo kolektive. Nëse jeni nga trevat shqiptare në Mal të Zi, shumë lehtë e keni të identifikoheni me fatet e personazheve të novelave të Malufit ose me frymën e kohës së shtjelluar në esetë e tij socio-historike.

Maluf u largua nga Libani në fillimin e luftës civile të vitit 1975.

 “Është pothuajse sikur të gjithë kemi pësuar një tërmet të fuqishëm mendor, epiqendra e të cilit shtrihet diku afër vendit ku unë linda,” reflekton ai. “Dhe është pikërisht sepse kam lindur dhe jam rritur në këtë ‘vijë të thyerjesqë po përpiqem të kuptoj se si ndodhi tërmeti dhe pse pas goditjet janë përhapur në mbarë botën, me pasojat katastrofike tashmë të njohura për të gjithë ne.

Kështu, tema e mërgimit përbën boshtin e novelës Shkëmbi i Taniosit (Le rocher de Tanios) të vitit 1993. U shpërbleu me çmimin më prestigjioz letrar francez Goncourt, që jepet për prozën më të mirë dhe me më imagjinatë të vitit.

Ngjarja ndodh në malin përrallor libanez, vendlindjen e Malufit, në  rrafshin e urrejtjeve shekullore mes komuniteteve fetare. Duke kombinuar historinë me legjenda, ky roman i vërtetë i mërgimit e çon lexuesin në rrugëtim magjik nëpër Levant, që për Malufin është një vend ku kulturat e vjetra mesdhetare të Lindjes takohen më kulturat e reja të Perëndimit.

Novela ku spikatet stili magjeps i Malufit duke krijuar prozë poetike – përkujton në stilin e veçantë të Selimoviqit të veprave Dervishi dhe vdekja dhe Kështjella.

Shkëmbi i Taniosit pasqyron historikun e imagjinuar të familjes së Malufit, të origjinës së tij. Vend të rëndësishëm në novelë zë Mehmet Ali Pasha, themeluesi  i Egjiptit bashkëkohorë, me prejardhje shqiptare.

Temës së origjinës autori i kthehet në vitin 2004 me esenë Origjina (Origines) për cilin fitoi çmimin letrar francez Prix Méditerranée.

Malufi aty shprehet “Ndonjë tjetër do të kishte folur për ‘rrënjët’… Por nuk bën pjesë në fjalorin tim. Fjala ‘rrënjë’ nuk më pëlqen, e aq më pak imazhi që evokon. Rrënjët ngulen në tokë, përzihen me baltën dhe zhvillohen në errësirë. E mbajnë pemën të burgosur qysh kur lind dhe e ushqejnë me një kërcënim ‘Nëse lirohesh, vdes’. Pemëve u duhet të dorëzohen, kanë nevojë për rrënjët: njerëzit, jo. Ne marrim frymë në dritë, synojmë të kapim qiellin dhe kur futemi në dhe, e bëjmë këtë për t’u kalbur.

Rrafshi tematik lidhur me origjinën dhe identitetin i trajtuar në esenë e vitit 1998 Identitetet vrastare (Les identités meurtrières) e bëri Malufin të njohur në përmasa botërore. Ky është një nga tre librat e Malufit të përkthyer në gjuhën shqipe dhe së shpejti do të jetë pjesë e ofertës së Librarisë Ulqini.

Kush mund të parashihte asokohe kthimin e çështjes së identitetit në epiqendër të debateve të kohës së sotme. Nuk kemi shembull më të mirë sesa Malin e Zi apo rajonin e sotëm. Në periudhën e avancimit të jashtëzakonshëm të mundësive për dijeni dhe përvoja të reja, jemi dëshmitarë që post-modernizmi ka sjellë ngritjen e mureve të moskuptimit në kohën e qarkullimit më të lirshëm të informacionit në histori të njerëzimit.

Identitetet vrastare Malufi shkruan:

Identiteti i çdo personi përcaktohet nga një bashkësi elementesh që patjetër nuk kufizohen vetëm në ato që përcaktohen në regjistrat zyrtarë. Sigurisht, pjesa më e madhe e njerëzve i përkasin një tradite fetare, një kombësie, nganjëherë edhe dy kombësive; një grupi etnik apo gjuhësor; një familjeje pak a shumë të madhe; një profesioni; një institucioni apo një grupi social…

Por lista është shumë më e gjatë akoma, virtualisht e pakufizuar.

Të gjitha këto përkatësi patjetër që nuk kanë të njëjtën rëndësi, gjithsesi jo në të njëjtën kohë. Por asnjëra nga ato nuk është plotësisht pa domethënie. Ata janë elementë përbërës të një personaliteti, mund t’i quajmë afërsisht “gjenet e shpirtit”, me kusht që të saktësohet se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë bashkëlindur me njeriun.

Nëse secili nga këta elementë mund të ndodhet tek një numër i madh individësh, asnjëherë nuk do të gjejmë të njëjtin kombinim tek dy individë të ndryshëm, dhe pikërisht kjo përbën pasurinë e secilit, vlerën e vërtetë, kjo bën që çdo qenie të jetë e veçantë dhe fuqimisht e pazëvendësueshme.

Malufi shqyrton aspekte të ndryshme të shtyllave të identitetit: kombin, besimin, racën, gjuhën, duke ndjekur rrjedhën e tyre nëpër histori, duke ilustruar ndikimet e tyre të këqija dhe në fund të librit bën shkrirje të mendimeve të tij në një vizion të fuqishëm, human dhe optimist, të mbështetur në një besim të fortë tek dinjiteti njerëzor.

Ai përpiqet të shpjegojë se si bota myslimane, që ka qenë në kulmin e tolerancës prej shekujsh (kujtojmë Periudhën e Arte të Islamit në Spanjë), e gjeti veten në bisht, duke u zhytur në fundamentalizëm, ndërsa Krishterimi, që ka qenë jo-tolerant prej shekujsh, është shndërruar në një fe të hapur – pra pse dhe si Perëndimi ka arritur tʼi ndërtojë shoqëritë demokratike që sot janë model për të gjithë botën.

Shkrimtari lufton kundër qëndrimit të përhapur që e sheh Islamin si burimin e të gjitha të këqijave që po ndodhin në vendet myslimane. Duke mos dashur ta ndajë religjionin nga fati i ithtarëve të tij, ai thekson se ndikimi i religjionit mbi kombet shpeshherë ekzagjerohet dhe ndikimi i kombeve në religjionet neglizhohet, gjë që është e vërtetë për të gjitha doktrinat (komunizëm, stalinizëm etj.).

Kam respektin më të thellë për njerëzit që sillen në mënyrë bujare për shkak të religjionit. Por unë vij nga një vend ku keqpërdorimi i religjionit ka pasur pasoja katastrofike. Njeriu duhet t’i gjykojë njerëzit jo nga besimi që ata përhapin, por nga ajo si veprojnë – shprehet Malufi.

Për ata që dëshirojnë të hyjnë edhe më thellë në këtë temë libri i studiueses së religjioneve krahasuese, Karen Armstrong, Beteja për Zotin (The Battle for God:A History of Fundamentalism) është referencë e domosdoshme.

Analizat delikate të Malufit thyejnë shumë paragjykime në raportin e Lindjes me Perëndimin: ai dëshmon se disa flasin me retorikën e dhunës, por në thelb janë të pafuqishëm dhe të tjerë theksojnë virtytet e tyre demokratike ndërsa në prapaskenë zbatojnë strategji të dhunshme. Ai është i sigurt për një gjë: se nuk ka rrugë të tretë.

Ose do të jemi në gjendje të ndërtojmë një qytetërim të përbashkët në këtë shekull me të cilin të gjithë do të mund të identifikohen (…) ose do të fundosemi së bashku në një barbarizëm të përbashkët.”

Imazhi shqetësues i kohës sonë, sipas Malufit, përveç indiferencës së përgjithshme të botës dhe mërzisë fatale të mendjes kritike, mund të ndriçohet vetëm nëse nuk i mbyllim sytë ndaj realitetit.

Maluf beson se bashkëveprimi i elementit fetar dhe kombëtar ushqen fanatizmin dhe luftërat, është i bindur se nuk mjafton ndarja e religjionit nga shteti, por se religjioni (besimi) duhet të ndahet nga identiteti dhe nevoja për ushqim shpirtëror të ndahet nga nevoja për përkatësi.

Maluf i kushton shumë rëndësi gjuhës si shtyllës së identitetit kulturor. Ai beson që secili prej nesh mund të ketë vetëm një besim, por mund të flasë shumë gjuhë. Sot Maluf, në rolin e presidentit të Komisionit për gjuhët pranë Këshillit të Evropës, promovon mësimin e tri gjuhëve: amtare, angleze si gjuhë kryesore e mondializimit dhe gjuhës që na e donë zemra. Në Identitetet vrastare , mes tjerash, ai e trajton çështjen e ruajtjes së gjuhës islandeze krahas ndikimit të gjuhës angleze. 

(Në këtë kontekst, hapja e Librarisë Ulqini me tituj shqip i nxitur nga shkrimi i Mentor Llunjit Libertas në gusht të vitit 2020, shtruar në kërkesë me shkrim bërë institucioneve të ndryshme, i mbështetur nga Qeveria e Shqipërisë (meritë e madhe e ish-ministrit të punëve të jashtme Gent Cakaj), i realizuar në bashkëpunim të KNSH, në veçanti Faik Nikës dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, paraqet rojtarë të denjë të gjuhës, si boshtit kryesor të identitetit kombëtar.)

Vazhdon

By admini