Unë nuk vij nga ndonjë shtet, qytet, fis. Unë jam biri i rrugës… të gjitha gjuhët dhe të gjitha lutjet më përkasin mua. Por unë nuk i përkas asnjërit prej tyre- Amin Maluf
Nga Bernard Çobaj
Drama historike Mbretëria e qiellit (Kingdom of Heaven, 2005) e regjisorit Ridley Scott me Orlando Bloom, Eva Green, Edward Norton,Liam Neeson, Jeremy Irons u bazua në shkrimin Kryqzatat, parë me sy të Arabëve (Les Croiades vues par les Arabes) të vitit 1983, të autorit Amin Maluf.
Shkrimi i Amin Malufit tregon anët e panjohura të konfliktit dy shekullor që ende është prezent mes myslimanëve dhe krishterëve në Levant, me pasoja deri në ditët e sotme. Njohja e tij e gjuhës dhe burimeve istoriografike arabe i mundëson të na pasqyroj si u përjetuan vërshimet e ushtarëve nga Evropa, me arsyetimin se po shkonin me çlirua varrin e Jezusit, në mendësinë e Arabëve. Malufi çdoherë tenton të pasqyroj në veprat e tija shikimin nga ana tjetër, perspektivën e kundërt ndaj diskursit të standardizuar.
Amin Malufi është autor i formatit të gjerë intelektual, i cili në mënyrë analitike deshifron historinë e botës dhe ekzistencën njerëzore në tërësi, duke theksuar ngjarjet kyçe, vendimtare për fatin e qytetërimit. Çdoherë në shkrimet e tij tenton të tregojë perspektivat e kundërta të cilat janë me qëllime të harruara, të falsifikuara, të fshehura.
Familja e Malufit është e veçantë se përbëhet nga komunitete pakicash të shumëfishta – kombinim i melkitëve dhe maronitëve, grekokatolikët arabë apo katolikët e ritit lindor dhe të traditës ortodokse, dy komunitete të afërta dhe të vogla numerikisht në mjedis me shumicë myslimane arabe. Libani është shtet i organizuar në formë komunitare, bashkësi e komuniteteve fetare të ndryshme. Çdonjëra prej tyre e ka versionin e vetë të historisë, ku shpesh bëjnë shantazhe njëra tjetrës. Në Liban familjarët e Malufit ishin pakicë, në mjedis me shumicë myslimane, por kur u shpërngulen në vendet me shumicë krishtere, u trajtonin si arabë apo turq.
Në vitin 1976 Malufi largohet nga vendlindja për shkak të luftës civile dhe vendoset në Francë ku jeton dhe shkruan. Fati i vendit të tij ka lënë vulën e vetë në veprimtarinë e tij letrare.
Malufi është arab krishterë, diç paradoksale apo vështirë e pranueshme nga shumë. Antiklerik i përbetuar, sikur dhe shkrimtari i njohur britaniko-pakistanez Tarik Ali, i përkushtuar idesë humanizmit dhe shtrirjes së miteve pozitive të bashkëjetesës.
Fakti që njëkohësisht është krishterë me gjuhë amtare arabe, gjuhë të shenjtë të Islamit, paraqet një nga paradokset kryesore që kanë formësuar identitetin tim – shprehet Malufi.
Maluf përkujton bashkëvendësit në Perëndim se rajoni nga i cili ai vjen ishte krishterë para Evropes, se krishterimin në Perëndim e sollën misionarët nga Levanti. As Jezusi, as Marija, Pjetri, Pala, Avgustini, askush nuk u lind në brigjet e Tibrit por në këtë rajon mitik, në djep të religjioneve të mëdha monoteiste, ku janë takuar dhe zëvendësuar qytetërimet dhe besimet. Si antiklerik, Maluf shpreh keqardhje që termi besimtar u përvetësua nga religjionet.
Për mua besimtar është ai që beson në disa vlera bazë, që mund të ngushtohet në respektimin e dinjitetit të çdo qenie njerëzore. Shprehet se nuk ka simpati për shoqëri të njëtrajtshme ku flitet “për të tonët’ dhe “për të tyret”.
Maluf në veprat e veta shpreh keqardhjen se bota ka humb tendencën kah universalja si fuqinë më të madhe të trashëgimisë intelektuale të Iluminizmit.
Sikur termi kafkian që u bë sinonim për situata absurde, të pakuptueshme, tronditëse, jam i sigurt që termi malufian, në të ardhmen, do të përdoret si sinonim për frymë kozmopolite, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.
Mërgimi si temë e madhe e shekujve XX dhe XXI, temë e çdo narracioni të madh epik dhe religjioz, temë që ka përcaktuar jetën e vetë Malufit dhe familjes së gjerë të tij, vjen e përsëritet në të gjitha shkrimet e tija me nuanca të veçanta dhe kërkime të përgjigjeve humaniste kundrejt shikimeve të dhunshme kleriko- dogmatike.
Personazhet e novelave të tij, Leoni Afrikan, Baldasari, Mani, Omar Hajami e kanë të përbashkët ndjenjën e mërgimit, të brendshëm apo të jashtëm, dhe i karakterizon ndjenja e humbjes – të gjithë ata janë në kërkim të identitetit të vetë, përgjigjeve metafizike mbi ekzistencën dhe botën e shohin jashtë kufizimeve të komuniteteve të veta, duke ngrit zërin ndaj çdo ekstremizmit dhe fanatizmit.
Novela e parë që lexova nga Malufi, që padyshim luajti rol vendimtar për të lexuar veprat e tjera, ishte Shtegtimi i Baldasarit (Le Périple de Baldassare, 2000). Detari gjenovez Baldasari, me origjinë nga Levanti, niset në fund të vitit 1665 për kërkim të librit misterioz që përmban emrin e 100 të Zotit që mund tʼi sjellë shpëtim botës që ndodhet në kaos. Viti 1666 u konsiderohej si viti i Bishës, nga klerikë fetarë anembanë dhe Baldasari gjatë novelës lufton me vetveten mos të bie pre e besëtytnive dhe urrejtjes. Në një moment gjatë udhëtimit, miku i tij shprehet “kur besimi nxihet nga urrejtja, të bekuar janë ato që dyshojnë”. Gjatë aventurave të tij, Baldasari, mes tjerash, takohet me Shabatai Zevin në Smirna (Shabatai Zevi kaloi vitet e fundit të jetës në Ulqin).
Kërkimi i një libri në rrafshin simbolik paraqet kërkimin e vetvetes, kërkimin për njohjen e absolutes dhe dashurisë si vlerë fisnike. Detari niset nga porti Biblos (porti më i vjetër në botë në Libanin e sotëm) dhe kthehet në Biblos – pra, në rrafshin simbolik, fillon dhe përfundon me libër. (Në këtë frymë i uroj punë të mbarë librarisë Ulqini që sot ka hapjen solemne).
Në vitin 2020, Amin Maluf u nderua me Urdhrin Kombëtar të Meritës nga qeveria franceze si simbol i urës së komunikimit mes Lindjes dhe Perëndimit.
Amin Maluf u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze më 23 qershor të vitit 2011 për të plotësuar vendin e 29-të, të mbetur bosh nga vdekja e antropologut Claude Lévi-Strauss (Klod Levi Shtros).
Në shkrimin e tij Karriga në Senë të vitit 2017, Malufi jep historinë e themelimit të Akademisë Franceze dhe kush ishin figurat që uleshin gjatë historisë në karrigen e 29.
Në vitin 2010, ai mori çmimin prestigjiozspanjoll për letërsi Princi i Asturias, një vit pas Kadaresë. Juria u shpreh se autori përmes fiksionit historik dhe reflektimit teorik, ka arritur të trajtojë qartë kompleksitetin e gjendjes njerëzore. Duke përdorur një gjuhë intensive, sugjestive, Maluf na vendos në mozaikun e madh mesdhetar të gjuhëve, kulturave dhe besimeve për të ndërtuar një hapësirë simbolike për takime dhe mirëkuptim. Ndryshe nga dëshpërimi, dorëheqja apo viktimizimi, vepra e tij gjurmon një rrugë të vetën drejt tolerancës dhe pajtimit, një urë që shtrihet thellë në rrënjët e përbashkëta të popujve dhe kulturave.
Në fjalimin e vetë të vitit 2010, Malufi u shpreh:
Ky diversitet i botës, diversiteti i jashtëzakonshëm kulturor që karakterizon çdo shoqëri njerëzore, është përgjithësisht objekt lavdërimi, por ndonjëherë edhe shkak i vuajtjes; sepse, megjithëse është burim pasurie për vendet tona, është edhe burim tensionesh. Ato kombe të bazuara në diversitetin etnik dhe imigracionin figurojnë ndër më dinamikët në planet – mjafton të shikohet në anën tjetër të Atlantikut për të konfirmuar se është kështu. Megjithatë, ky dinamizëm shpesh shkon paralelisht me pakënaqësinë, diskriminimin, urrejtjen dhe dhunën.
Në vetvete, diversiteti nuk është as bekim dhe as mallkim. Është thjesht një realitet, një fakt i jetës. Bota është një mozaik nuancash të panumërta dhe vendet tona, provincat dhe qytetet tona marrin gradualisht imazhin dhe pamjen e kësaj bote. Çështja nuk është a mund të jetojmë së bashku pavarësisht dallimeve tona në ngjyrë, gjuhë apo besim; çështja është të dimë si të jetojmë së bashku, si ta shndërrojmë diversitetin tonë në një përfitim dhe jo në një fatkeqësi.
Të jetuarit së bashku nuk është e lindur për njerëzit, reagimi spontan i të cilëve zakonisht është i refuzimit të tjetrit. Kapërcimi i refuzimit kërkon përpjekjen e gjatë të edukimit të qytetarëve, duke përsëritur pandërprerë – për të gjithë – se identiteti i një vendi nuk është as një fletë e zbrazët në të cilën mund të shkruhet ndonjë gjë dhe as një faqe e shkruar dhe e shtypur tashmë, por një faqe që është në proces të të shkruarit. Ekziston një trashëgimi e përbashkët – institucionet, vlerat, traditat, një mënyrë jetese – pjesë e së cilës cilido prej nesh duhet tʼi përkasë, por secili prej nesh duhet gjithashtu të ndjehet i lirë të japë kontributin e vetë në varësi të talenteve dhe ndjeshmërisë sonë. Siç e shoh unë, që ky mesazh të zërë rrënjë në mënyrën se si njerëzit mendojnë është një prioritet për njerëzit e arsimuar sot.
Kultura nuk është një luks që ne mund ta përballojmë vetëm në kohë të bollëkut. Detyra e tij konsiston në parashtrimin e pyetjeve thelbësore: Kush jemi ne? Ku po shkojmë? Çfarë shpresojmë të ndërtojmë? Çfarë lloj shoqërie? Çfarë lloj qytetërimi? Në bazë të çfarë vlerash? Si të përdorim burimet e mëdha që na ofron shkenca? Si t’i shndërrojmë këto në instrumente lirie dhe jo skllavërie?
Roli i kulturës është edhe më vendimtar në kohë konfuzioni. Po kështu, epoka jonë është një epokë konfuzioni. Shekulli që sapo ka nisur do të jetë një shekull i prapavajtjes morale nëse do rrimë duarkryq – dhe këtë e them me trishtim dhe meditim për fjalët e mia. Një shekull përparimesh shkencore dhe teknologjike pa dyshim; por edhe një shekull i prapavajtjes morale,afirmimeve të identiteteve, të përkeqësuara, herë të dhunshme, herë reaksionare; zvogëlimi i solidaritetit midis kombeve dhe brenda zemrës së vetë kombeve; zbehja e ëndrrës evropiane; erozioni i vlerave demokratike; përdorimi i tepruar i ekspeditave ushtarake dhe i ligjeve të jashtëzakonshme… Simptomat janë të panumërta.
Përballë kësaj prapavajtje fillestare, ne nuk mund të jemi symbyllur apo t’i hapim rrugë dëshpërimit. Sot, nderi i letërsisë – nderi ynë – qëndron në përpjekjen për të kuptuar kompleksitetin e epokës sonë dhe në gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë që bota jonë të vazhdojë të jetë e banueshme. Ne nuk kemi planetë rezervë, kemi vetëm Tokën tonë të lashtë dhe detyra jonë është ta ruajmë dhe ta bëjmë vend sa më human për jetesë.