Në vitin 1990 prona filloi t’u kthehet qytetarëve, sepse çdo gjë ndryshoi, edhe ligji. Parcelat me ullinj dhe tokat iu kthyen pronarëve. Ndërmarrja “Agro Ulqini” falimentoi në vitin 1995. Kështu nisi edhe shkatërrimi i ndërmarrjes. Pronarët nuk iu kthyen me dashamirësi pronave. Rendimenti u zvogëlua. Fabrika më e madhe e vajit të ullirit e ndërpreu punën. Ditë të vështira ndodhën për Fushën e Ulqinit, për ullishtën e saj. Ajo filloi të betonohet, me shtëpi që lindën si kërpudhat pas shiut. Pushteti lokal nuk mori masa, ndërsa ullinjtë filluan të shkatërrohen dhe të hiqen nga ara, sepse u ndërtuan shtëpi

Nga Asllan Bisha

Fusha e Ulqinit u mor nga pushteti pas Luftës Nacional-Çlirimtare. Dora e pushtetit ishte e fuqishme. Askush s’guxoi të kundërshtojë. Pushteti trumbetonte se e bën për të mirën e popullit. Dhe ashtu u veprua. Këtu u mbollën 11 mijë rrënjë ullinj, kryesisht lloji italian. Agronomët, djem me përvojë dhe vullnet të mirë, punuan në ullishtë. Dhe Ulqini, përveç 60 mijë rrënjëve ekzistuese, tani siguroi 71 mijë ullinj.
Ullinjtë e rinj lëshuan rrënjë në Fushën e Ulqinit pasi ekspertët e bujqësisë, agronomët, i ishin përmbajtur projektit dhe kishin punuar sipas parimeve shkencore, bënë kullimin e tokës dhe sistemin e drenazhimit. Trungjet e ullinjve dhe kurorat e tyre u rritën, u mbushën plot dhe vjelja e ullinjve u bë me shkundje dhe nuk lejohej që të binte ulliri në tokë. Ishte diçka e paprovuar deri atëherë në Ulqin.
Ullishta e Ulqinit po përparonte. U ndërtua edhe fabrika e vajit të ullirit. U punësuan qindra punëtorë. Por në vitin 1990 filloi t’u kthehet prona qytetarëve, sepse çdo gjë ndryshoi, edhe ligji. Parcelat me ullinj dhe tokat iu kthyen pronarëve. Ndërmarrja “Agro Ulqini” falimentoi në vitin 1995. Kështu nisi edhe shkatërrimi i ndërmarrjes. Pronarët nuk iu kthyen me dashamirësi pronave. Rendimenti u zvogëlua. Fabrika më e madhe e vajit të ullirit e ndërpreu punën. Ditë të vështira ndodhën për Fushën e Ulqinit, për ullishtën e saj. Shumë vetë gjetën rastin e mirë për t’i shitur ngastrat, parcelat e ullishtës. Ajo filloi të betonohet, me shtëpi që lindën si kërpudhat pas shiut. Dhe u bë një privatizim i egër, i pamëshirshëm. Askush nuk ndërhyri. Pushteti lokal nuk mori masa, ndërsa ullinjtë filluan të shkatërrohen dhe të hiqen nga ara, sepse u ndërtuan shtëpi.
Komuna e Ulqinit, parlamenti lokal, i përbërë kryesisht nga shumica e shqiptarëve, votuan që kjo tokë të lejohet për ndërtim. U legalizua dhe ndërtimi u lejua. Lindën ndërtesa shumëkatëshe, ku secili i ngriti objektet sipas planit dhe interesit të tij. Dhe kjo pjesë fitoi pamje të re. Askush nuk u mërzit se plani u keqtrajtua dhe kjo pjesë nuk ka një harmoni projektimi, por secili ndërtoi dhe po ndërton sipas dëshirës. Një metër katror i tokës në këtë pjesë kushton 200 euro, por edhe më shumë. Askush s’mund ta ndalojë fenomenin e shitjes. Edhe pse Komuna e Ulqinit kishte mundësi të ndërtojë në Gjerana, në kodër. Dhe ne nuk mërzitemi, sidomos deputetët tanë, se u zu Fusha e Ulqinit dhe u shkatërrua plantacioni i ullishtës. Dhe s’u mërzitën se tokën pjellore dhe ullishtën e shkatërruan. Ata thonë: kemi mjaft tokë pjellore, askush s’e punon atë që kemi. Pra, mendohet shkurt. Dhe shkatërrohet toka pjellore. As armiqtë më të mëdhenj s’e kishin lejuar një gjë të tillë. Pra, mendohet vetëm për sot, jo për nesër, ndërsa shkenca nuk iu duhet. Harrojnë se sikur të prodhonim ushqim ekologjik do t’ia rrisnim vlerën turizmit. Sot asgjë s’kërkohet më shumë se ushqimi ekologjik.
Ne kryesisht reagojmë me vonesë. Ajo do të na kthehet bumerang. Çudi si nuk e duam vendlindjen dhe as nuk punojmë për të mirën dhe ardhmërinë tonë. Gabimet do të na kushtojnë. Ne s’jemi të vetëdijshëm se me dorën tonë po i shkatërrojmë resurset e Ulqinit. /Koha Javore/

By admini