Diskursi  demografik

Të dhënat e publikuara kohë më parë nga EUROSTAT-i për periudhën 2008-2020, dëshmojnë se nga Shqipëria kanë emigruar rreth 700 mijë shqiptarë apo ¼ e popullsisë në vend të cilët kanë ikur për shkak të varfërisë, e cila ka marrë përmasa shqetësuese. Nëse këtij numri i shtojmë edhe rreth 300 mijë shqiptarëve nga Kosova, del se ne botën e jashtme kanë emigruar rreth 1 milion shqiptarë, dukuri  me pasoja shumëdimensionale

Nail  Draga

Sipas të dhënave nga EUROSTAT-i gjatë vitit 2020, në vendet e BE-së janë dhënë 37.6 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë. Nga vendet mikpritëse e para është Italia, me 13.059 leje, e dyta Gjermania me 8.308 leje, pastaj Greqia me 7.768 e ndjekur nga Franca me 1.875 dhe Kroacia me 1.695 leje qendrimi  për herë të parë.

Sipas vitëve numri me i lartë  i lejeve të qendrimit është dhënë  në vitët 2008-2009, me përkatësisht me  97.3 mijë dhe 83.9 mijë, duke qenë vitët rekorde të emigrimit. Pas tyre vitëve fluksi i emigrimit pësoi rënie  duke zbritur në 30 mijë në vitin 2013, por ka ndryshuar në vitët vijuese, duke arritur ne 60.4 mijë në vitin 2019.

Shqipëria e para në regjion

Në krahasim me vendet e tjera të regjionit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Europian. Të dhënat e publikuara për periudhën 2008-2020, dëshmojnë se janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qendrimi  në një nga shtetet e BE-së. Nëdrsa për  të njëjtën periudhë (2008-2020) kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 426 mijë serbë, 337 mijë boshnjakë, 285 mijë shtetas të Kosovës, 195 mijë nga Maqedonia e Veriut dhe më pak se 20 mijë nga Mali i Zi. Nga të dhënat e tilla del qartë se procesi i emigrimit i ka përfshirë të gjitha vendet e regjionit, por numri i lartë i shtetasve shqiptarë bën përjashtim duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të banorëve në Shqipëri. Pikërisht duke marrë parasysh këto të dhëna diferenca në raport me popullsinë e përgjithshme është e lartë. Kështu gati  25% e popullsisë shqiptare (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e BE-së, pastaj vjen  Kosova (15.4%), Bosnjë-Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%).

Çështja e emigrimit përkatësisht të numrit të tyre përmes autorizimeve për lejet e qendrimit   të lëshuara për herë të parë për këto vende nga shtetet e Bashkimit Europian është trajtuar edhe nga institucionet ndërkombëtare. Kështu në një raport nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, del  se Shqipëria ka  numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për periudhën 2010-2020.

Varfëria ekonomike shkak i emigrimit

Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit sidomos në Shqipëri dhe Kosovë.

Dhe nuk ka sit ë jetë ndryshe sepse Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë sipas Bankës Botërore  që ndikon drejrpëdrejtë në nivelin e lartë të procesit të emigrimit.

Sipas Eurostat-it nga numri prej 37.592 shtetasve shqiptarëve që moren leje qendrimi në vendet e BE-së në vitin 2020, 52% e tyre janë deklaruar se e kanë marrë për arsye familjare, 16% për punë, 3% për edukim dhe me pas renditen arsye tjera.

Lejet e qendrimit në Europë

Për qytetarët jashtë BE-së  në vitin 2020 janë dhënë 2.2 milion leje qendrimi, ku nga këto vende dominon Polonia e cila ka dhënë 598 mijë leje apo 26% e tyre. Më pas leje kanë dhënë Gjermania(313.000, ose 14%) dhe Spanja(312.000, ose 14%).

Nga vendet që morën lejet e qendrim në vend të parë Ukraina ku 601.200 qytetarë të sajë  morën lejet për herë të parë, në vitin 2020, duke qenë grupi më i madh nga të gjitha shtetet tjera. Nga këto leje Polonia lëshoi 488.900 leje apo 81% të tyre. Me pas renditën shtetasit e Marokut(123.400 leje, nga të cilat 56% u dhanë në Spanjë) dhe të Indisë(79.270, nga të cilët 14% u dhanë në Gjermani. Duhet theksuar se shtetasit e këtyre vendeve përbënin mbi një të tretën(36%) të të gjitha lejeve të qendrimit të pare të lëshuara në vitin 2020.

Bëhet me dije se në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve të qëndrimit të dhëna për shtetasit shqiptarë ka rënë me 38%, i ndikuar nga situata e krijuar nga pandemia.

Sipas të dhënave për vitin 2020 në regjion, numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit  e mban Serbia, me 40.8 mijë, më pas Shqipëria (37.6 mijë), Bosna-Hercegovina (35.1 mijë), Kosova (31.6 mijë), Maqedonia e Veriut (16.3 mijë), Mali i Zi (2.7 mijë).

Duhet cekur se numri më i lartë i emigrantëve shqiptarë pas viteve pas viteve 90-ta të shekullit të kaluar janë vendosur kryesisht  në Itali e Greqi, të cilët kanë  dhënë 84% të lejeve të qëndrimit për herë të parë për periudhën 2008-2020. Në këtë aspekt rekordin e mban Italia, me 342.5 mijë leje gjithsej(49% ) dhe  Greqia ka dhënë 247.6 mijë(35%).

Përfundim

Të dhënat e prezantuara për periudhën kohore(2008-2020) nëse i përmbledhim del qartë se nga Shqipëria e Kosova kanë emigruar rreth 1 milion shqiptarë, duke qenë kombi  me emigrim me të theksuar në Europë, fillimisht duke kërkuar azil e më pas duke kërkuar leje qendrimi, që një numër i konsideruar i tyre ia kanë arritur qellimit.

Deri më tash nuk janë realizuar  hulumtime e publikime në lidhje me emigrimin e shqiptarëve sipas vendbanimeve apo krahinave si në Shqipëri e Kosovë, sepse kemi të bëjmë me dukurinë e shpopullimit te vendbanimeve proces që është me pasoja shumëdimensionale demografike në mjediset përkatëse, çështje e cila duhet të jetë preokupuese për qeveritë e dy shtetëve tona.

By admini