Nga Ismet Kallaba
Kalaja e Ulqinit është një ndër monumentet më të rëndësishme të së kaluarës dhe pjesë e trashëgimisë sonë historike-kulturore. Ajo është simbol dhe dëshmi e qytetërimit të hershëm të këtij qyteti, rrënjët urbane të të cilit supozohet të jenë 2500-vjeçare. Shumë breza kanë ndërtuar duke e bërë Kalanë ajo që është sot. Secili pushtues, pavarësisht qëllimit për ta përvetësuar atë, ka lënë gjurmët e veta në Kala.
Përgjatë historisë Kalaja është përballur me shumë furtuna. Ajo ka shërbyer si mburojë nga armiqtë e ndryshëm. Sa e sa dallgë e tërmete e kanë lëkundur Kalanë, por ajo ka treguar se i ka rrënjët e forta. Tërmeti i vitit 1979 e shkatërroi pothuajse tërësisht Kalanë e Ulqinit, por ajo sërish u ringrit. Përkundër vështirësive infrastrukturore, Kalaja e Ulqinit sot gjallëron falë banorëve të saj, të cilët nuk e kanë lëshuar atë.
Çdokush që ka lindur në Ulqin mburret me Kalanë. Ajo na bën të ndjehemi krenarë. Kalaja është ndër pjesët më tërheqëse dhe pasuritë më të mëdha të qytetit të Ulqinit. Kalaja është pjesë e të gjitha panoramave fotografike të Ulqinit. A e keni përfytyruar ndonjëherë se si do të dukej Ulqini pa Kalanë?! Ulqini pa Kalanë e tij do të ishte si mishi pa asht!
Po ne, brezi ynë, çfarë kemi bërë për Kalanë? Jo vetëm se nuk jemi në gjendje të ndërtojmë as për së afërmi një vepër të tillë arkitektonike, por as ta ruajmë atë. Ne nuk jemi në gjendje madje të rindërtojmë as kur prishet ndonjë pjesë e mureve të saj. Sot Kalaja po shkatërrohet para syve tanë, kurse ne nuk jemi të zotë ta mbrojmë dhe t’i bëjmë ballë shkatërrimit të saj. Banorët e Kalasë vërtet e kanë ruajtur atë, por në të njëjtën kohë një pjesë e tyre janë edhe përgjegjës për shkatërrimin e saj përmes ndërtimeve të paligjshme, duke bërë që ajo t’i humbë vlerat që posedon.
Sot Kalasë i janë vërsulur lakmitarët, të cilët e shikojnë atë si burim përfitimi vetjak, jo si një pasuri dhe e mirë e përbashkët. Ndërsa pushtetarët vendorë dhe shtetërorë bëjnë sehir, të pashqetësuar nga papërgjegjësia, padituria, paaftësia etj., sepse ka kohë që “e kanë hëngër turpin me bukë”. Turistët dhe miqtë i kemi “pritur” gjatë verës në Kala me rrugë të pakalldrëmuara, puseta të mbuluara me dërrasa etj., duke u ndier me turp për fajin e të tjerëve.
Kalaja e Ulqinit është shndërruar sot në dhimbjen tonë. Si një vajzë (femër) e bukur, Kalaja ka nevojë për dashuri. E dashuria ndaj Kalasë nuk tregohet me fjalë, por me vepra. Deri tani si komunitet nuk kemi dëshmuar se e duam (sa duhet) Kalanë. /Koha Javore/