Nga Nikë Gashaj

Epopeja “Lahuta e Malësisë” është kryevepra e Gergj Fishtës dhe njëherësh njëra ndër veprat klasike të letërsisë shqiptare të traditës. Zotësia e Fishtës si poet i cili ka lënë emër pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret e krijimtarisë letrare, shprehet sidomos në “Lahutën e Malësisë”, në të tridhjetë këngët e së cilës poetizohet historia e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit e deri në pavarësinë e Shqipërisë më 1912.

Tema e cila shtjellohet artistikisht në epopenë “Lahuta e Malësisë” është temë e rëndësishme kombëtare, është temë ekzistenciale e kombit. Me një forcë të rrallë epike, duke u mbështetur në kodin poetik popullor, në këtë vepër Fishta këndon luftën e popullit shqiptar për pavarësi të zhvilluar në dy drejtime: kundër Perandorisë Osmane në perudhën e shthurjes së saj, dhe luftën kundër coptimit të truallit etnik shqiptar nga Mali i Zi dhe nga Serbia.

Shpirtin poetik të Fishtës e preukupon sidomos coptimi i truallit të lashtë etnik, rreziku i ri kombëtar që po i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëvet nga monarkitë ballkanike, aspiratat aneksioniste të të cilave gjenin mbështetje në Rusinë cariste, e cila ushtronte presion jo vetëm ndaj Perandorisë Osmane, por edhe ndaj Europës.

Poeti në Lahutë, sidomos anatemon, sidomos mallëkon Evropën, e cila në Kongresin e Berlinit i jepte të drejtë Malit të Zi dhe Serbisë t’i coptonin tokat stërgjyshore shqiptare. Rrezikun e copëtimit të truallit etnik shqiptar në poezinë tonë të traditës në mënyrë të plotë dhe në nivel të lartë artistik e ka realizuar, e ka ngritur për herë të parë në letërsinë shqiptare Gjergj Fishta.

“Lahuta e Malësisë” është epopeja e parë në letërsinë shqiptare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës,  në kuptimin e plotë të fjalës, të cilën kohë më parë u përpoqën ta krijojnë poetët arbëreshë si Engjëll Bazile, Gavril Dara, e sidomos Jeronim de Rada. Mirëpo, Fishta  ndryshe nga De Rada, i cili në Rapsodi më 1866 i bashkoi këngët  popullore arbëreshe në mënyrë mekanike, duke u përpjekur ta rikonstruktojë një tërësi të madhe, një poemë  që dikur kishin  pasur shqiptarët, nuk e ndjek      rrugën e tij.  Ai, përkundër konceptit mistifikues romantik të Jeronim  de Radës, epopenë “Lahuta e Malësisë” e krijoj  duke u mbështetur në poetikën e modelit epik të poezisë popullore shqiptare. Prandaj, pa e njohur mirë të gjitha format e krijimtarisë gojore epike, pa e njohur mirë strukturën artistike të eposit heroik popullor, nuk mund të kuptohet sa duhet dhe si duhet as “Lahuta e Malësisë”, sepse ajo është e ndërtuar, sepse ajo është ngritur mbi këtë traditë të këndimitm epik shqiptar. Në këtë drejtim, “Lahuta e Malësisë” nuk bën kurrëfarë përjashtimi nga epopetë e vjetra e të reja të letërsisë botërore, sepse edhe ato lidhen me traditën epike popullore.

Kështu mund të thuhet edhe për Iliadën e Homerit, edhe për Këngën e Rolandit, Këngën e Sidit, Këngën e Osianit etj. Lindja e kësaj vepre letrare në truallin ku bënin jetë aktive format më të shtjelluara të epikës gojore, siç është kënga tregimtare, nuk është e rastit. Ndërtimi i Lahutës nga materia orale e zonave të mirëfillta të epikës popullore shqiptare të veriut të cilat e ushqen me lëndë epike veprën e Fishtës,  jo më kot qenë truall i hulumtimeve të fenomenit homerik. Pikërisht në këto zona, më mirë se çdo kund gjetiu në Ballkan ishte ruajtur epika gojore. Prandaj, jo më kot homerologët e njohur amerikanë, profesorë të Universitetit të Harvardit, Milman Parry dhe Albert Lordi kishin bërë gjurmime të eposit popullor në relacion me fenomenin homerik. Këta studiues, sidomos Lordi, duke u mbështetur në morfologjinë e epikës popullore sjellin në shkencë tezën mbi origjinën orale të Iliadës së Homerit.

Lahuta, e cila lindi në këtë ambient epik, edhe pse shumë e vonuar në krahasim me epopetëe letërsisë botërore, është një vepër që i mungonte më parë letërsisë shqiptare, është një vepër që e plotëson një hapësirë të letërsisë kombëtare shqiptare(Enver Mehmeti).

Fishta në Lahutë ka shfrytëzuar kryesisht dy forma të epikës popullore: këngën e lashtë epike ose këngën epike legjendare dhe këngën e re epike apo këngën historike. Përveç këtyre dy zhanreve të poezisë popullore, që kanë strukturë të qëndrueshme epike, sidomos kënga kreshnike, më rrallë është e pranishme edhe bota e baladave popullore legjendare, me syzhe të zhvilluar. Në këto dy forma kryesore të epikës popullore poeti gjeti në radhë të parë frymën heroike që është elementi kryesor i strukturës artistike të këtyre krijimeve foklorike. Përmes heroikës të shprehur në modelin epik folklorik në “Lahutën e Malësisë”, në të gjitha këngët e saj pasqyrohet lufta e popullit shqiptar për pavarësi nga Turqia dhe lufta kundër aneksimit të truallit kombëtar.

Në kët drejtim, burim i pashterrshëm i poetit ka qenë sidomos kënga historike e periudhës së Rilindjes Kombëtare, kurse nga bota e epikës së moçme popullore kënga kreshnike. Përmbajtja e heroikës në “Lahutën e Malësisë” është e njëjtë sidomos me atë të eposit popullor historik. Ndërkaq artistikisht të shumten kjo përmbajtje realizohet me mundësitë shprehëse letrare të këngës së vjetër epike, gjegjësisht të këngës kreshnike. Si në “Lahutën e Malësisë”, ashtu edhe në këngën historike kemi të bëjmë me një heroizëm të njohur historikisht, me një heroizëm historikisht të pëcaktuar, me një heroizëm me përmbajtje kombëtare dhe jo me heroizmin e lokalizuar, personal dhe fisnor të këngës së vjetër epike.

Fryma kombëtare e heroikës që reflektohet edhe në veprën e Fishtës lidhet me kohën e krijimit të këngës epike historike. Kënga popullore epike e tipit historik, edhe pse daton që nga shekulli pesëmbëdhjetë, megjithatë formën e vetë stabile dhe të përkryer e ka arritur gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, përkatësisht në periudhën e formimit të kombit. Prandaj, aspiratat kombëtare për pavarësi, tërësi tokësore dhe jetë të përbashkët shpirtërore etnike poeti i mori  nga modeli i epikës historike. Ndërkaq pasurinë e këngës epike me shtrat legjendar, e cila pas pushtimit osman e kishte përfunduar fazën produktive, Fishta në Lahutë e funksionalizon rishtas. Nga ky tip i këngës epike merr elemente të shumta të strukturës së saj artistike. Në mënyrë të posaçme shfrytëzon sidomos rezistencën kundër nënshtrimit mesjetar sllav, të cilën poeti e përdor të ndryshuar, e përdor në përputhje me kontekstin e ri historik të rrezikut sllav.

Temat dhe motivet e të tridhjetë këngëve të “Lahutës së Malësisë” para se nga Fishta, pra janë kënduar në këngët epike popullore. Fishtës i takon merita se modelin folklorik epik, se këto tema dhe motive folklorike i sintetizoi, i shkriu, i rikrioi në një tërësi prej 16.838 vargjesh, duke na dhënë kështu një vepër madhështore epike.

Edhe përmbajtja e protagonistit të poemave  të”Lahutës së Malësisë” është e njëjtë me përmbajten  e protagonistit të këngëve epike popullore. Etja për famë heroike është njëra ndër veçoritë themelore të tij. Ky tipar i heroit të Lahutës edhe këngëve epike lidhet  me ndjenjën e përjetimit epik të jetës te shqiptarët. Protagonisti i veprës së Fishtës është një sintezë e  protagonistit të këngëve historike dhe kreshnike. Nga bota e këngës historike është vetëdija e tij kombëtare, lufta për ta mbrojtur qenien kombëtare në përgjithësi, sidomos atdheun i cili  si në këngët historike është Shqipëria.

Heronjtë e Fishtës i karakterizon gatishmëria për t’u flijuar për çështjen e atdheut, element ky që njihet në këngët popullore historike dhe jo lufta për mbrojtjen e bjeshkëve e të kullotave e këngës së moçme epike. Po ashtu ata nuk i shquan fryma aventuristike që është tipar karakterogjik i heroit të epikës kreshnike. Me botën e këngëve kreshnike heroin e “Lahutës së Malësisë” e lidh legjendarizimi. Ai mbi të gjitha është një hero legjendar, portreti fizik e moral i të cilit realizohet me hipërbollën mitologjike të këngës kreshnike.

Heronjtë e Fishtës, sikurse heronjtë e ciklit të kreshnikëve, mëkohen nga zanat e malit(Ali Pashë Gucia). Heroi i tillë i madhërishëm, me fuqi kolosale fizike dhe shpirtërore si në “Lahutën e Malësisë”, ashtu edhe në eposin heroik legjendar, ushqen ndjenja të fuqishme ideoestetike, ideoemocionale dhe psikologjike te lexuesit. Kali dhe kalorimi, tagani, duelet(mejdani), respektimi i antagonistëve(shkjevet)  po ashtu janë nga epika e lashtë popullore. Protagonistë të këtillë, të njohur historikisht, të ngjajshëm me tipin e protagonistit të modelit më arkaik të epikës popullore shqiptare në “Lahutën e Malësisë” janë Oso Kuka, Ali Pashë Gucia, Tringë Smajli, Marash Uci, Çun Mula e të tjerë.

By admini