Nga Ismet Kallaba

Koncerti i paralajmëruar i këngëtarit të njohur me origjinë serbo-kroate Goran Bregoviq, me rastin e Festës së Birrës në Korçë, shërbeu edhe një herë për të shpërfaqur dallimet, ndasitë dhe përçarjet që ekzistojnë ndërmjet shqiptarëve, të theksuara sidomos mes atyre që jetojnë brenda Shqipërisë shtetërore dhe atyre të Kosovës apo ish-republikave të Jugosllavisë së dikurshme. Kjo nuk është hera e parë që Bregoviqi bëhet mollë sherri për shqiptarët pasi që ai edhe më parë ka nxitur reagime me rastin e dorëzimit të Çelësit të Tiranës, në kohën kur kryeministri i tashëm i Shqipërisë drejtonte Bashkinë e Tiranës. Askush nuk i mohon vlerat e këngës (muzikës) së Bregoviqit, dikur pjesëtar dhe vokalist i grupit të njohur “Bijello Dugme”, që konsiderohet si njëri prej grupeve më të mira në ish-Jugosllavi, por problemi qëndron se ai mbështeti politikën ekspansioniste serbe në kohën e luftrave vëllavrasëse në ish-Jugosllavi, duke e vendosur muzikën e tij në shërbim të saj, ashtu siç bënë edhe një pjesë e mirë e artistëve të tjerë, si regjisori i njohur Emir Kusturica.
Në debatin e nxitur së fundmi, në skenë u shfaqën kozmopolitët – ata që në emër të vlerave botërore pretendojnë se nuk duhet të përzihet apo ngatërruar artin me politikën, ndërsa në anën tjetër ata që e kundërshtojnë koncertin e Bregoviqit për shkak të vuajtjeve dhe dhimbjeve të shkaktuara ndaj shqiptarëve të Kosovës nga politika serbe që ai e ka mbështetur. Këto dallime janë produkt i përvojës dhe të kaluarës së ndryshme që kanë kaluar shqiptarët në ish-Jugosllavi, të cilët e kanë provuar shtypjen, diskriminimin etj. nga serbët dhe pushteti jugosllav, për dallim prej atyre që kanë jetuar në Shqipëri, të cilët të shtypur nga sistemi komunist vazhdojnë të vlerësojnë e mbivlerësojnë çdo gjë që vjen nga jashtë. Këta pseudokozmopolitë shqiptarë, të cilët vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, janë të prirur të shohin si të mirë e pozitive çdo gjë që vjen nga jashtë, çdo gjë joshqiptare, duke nënvlerësuar edhe vlerat e artit dhe kulturës shqiptare.

Kozmopolitizmi i shqiptarëve do të kishte kuptim vetëm nëse do të shoqërohej me kozmopolitizmin e palës tjetër, në rastin konkret të asaj serbe. Por këta shqiptarë duhet të dinë se përballë kozmopolitizmit të tyre qëndron etnocentrizmi serb, i cili nuk pranon asgjë shqiptare, sado me vlerë të jetë ajo. Në mendjet e shqiptarëve akoma është e freskët dhuna e ushtruar në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë më 14 tetor 2014 në Beograd, protestat e përvitshme që zhvillohen në Beograd me rastin e Festivalit të artistëve bashkëkohorë nga Kosova “Mirëdita” (Dobar dan), reagimet ndaj këngëtares Dua Lipa me rastin e një postimi të saj në rrjetet sociale etj.
Për këta gjoja kozmopolitë shqiptarë, disa pyetje: A mund të organizohet koncerti i një shqiptari/eje në Serbi, qofshin ato edhe këngëtaret me renome botërore si Rita Ora e Dua Lipa?!
A mund të dëgjoni muzikë shqipe në Beograd, pa të nxjerrë kush probleme, ashtu siç dëgjoni në pothuajse çdo qytet të Shqipërisë?! Përgjigjja është jo. Ose, nëse duan ta kundërshtojnë, le ta provojnë.
Përkundërdrejt atyre që mendojnë se pse ndodhi apo si ndodhi kjo, a kishim nevojë për një gjë (debat) të tillë që mund të thellojë përçarjet ndërmjet shqiptarëve, ose pyetjeve të ngjashme, unë them se është mirë që ka ndodhur, sepse si shqiptarë njohim më mirë njëri-tjetrin, ndasitë dhe problemet tona, i shërben debatit ndërshqiptar, por shpresoj edhe këndelljes së mendjes së disave. /Koha Javore/

By admini