Pjesë e letrës së kongresistit Lantos dërguar kryeministrit të Mal të Zi në vitin 2005, ku në mes tjerash permendet edhe çështja e pronave në Ulqin.

Nga Xheladin Zeneli

Vendimi për kthimin e ullishtës së Valdanosit në Ulqin, pronarëve apo trashigimtarëve të tyre, pa dyshim se është një lajm i mirëpritur i cili tregon se drejtësia edhe pse vonon, më në fund vjen.Siç është tashmë e njohur,pronat në Valdanos u konfiskuan në mënyrë të padrejtë dhe arbitrare në vitin 1978 nga pushteti i kohës për nevojat e ushtrisë së atëherëshme të Jugosllavisë dhe beteja për rikthimin e tyre ka zgjatur plot 43 vite.

Fillimisht duhet theksuar se rol të rëndësishëm dhe primar në aprovimin e Ligjit për kthimin e pronës në Kuvendin e Malit të Zi me 11 Qershor 2021, ka luajtuar nënkryetari i Qeverisë, politikani shqiptar nga Ulqini, z. Dritan Abazoviq dhe partnerët e tij qeverisës ,kurse deputeti Genc Nimanbegu si propozues i këtij Ligji, bashkë me përfaqësuesit e tjerë të shqiptarëve në MZ si dhe OJQ “ Mogul” etj., kanë meritën për angazhimin e tyre të vendosur në realizimin e kësaj të drejte jetike për një pjesë të qyetarëve të Ulqinit.

Deputeti Nimanbegu në konferencën e tij për shtyp me rastin e këtij vendimi, me të drejtë potencoi faktin se çështja e Valdanosit dhe realizimi i saj nuk ka filluar tani, por shumë më herët .
Pra, ndërgjegjësimi i kësaj çështje, jo vetëm që ka filluar shumë vite më parë, por njëkohësisht nuk duhet harruar edhe fakti se përveç faktorit të brendshëm politik shqiptar dhe atij joqeveritar , një kontribut në këtë aspekt ka dhënë edhe Lobi shqiptaro-amerikan , përkatësisht Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane (LQSHA) e cila drejtohet nga ish kongresisti Joseph DioGuardi.

Ashtu si me rastin e çështjes së Komunës së Tuzit, edhe me rastin e çështjes së kthimit të pronave në Valdanos, LQSHA ka qenë vazhdimisht e angazhuar duke lobuar pranë ligjëvënësve amerikan.
Ndërgjegjësimi dhe ndërkombëtarizmi i çështjes së të drejtave të shqiptarëve duke përfshirë edhe të drejtën pronësore të tyre, ka filluar me vizitën historike të delegacionit të LQSHA të udhëhequr nga kongresisti Tom Lantos në trevat shqiptare në Mal të Zi, si vizitë e parë e tillë dhe takimit të tij me disa intelektualë dhe ekspertë të fushave të tyre përkatëse, takim ky i cili u mbajt në hotelin “Albatros “ në Ulqin në Gusht të vitit 2003 ku në mes tjerash u prezentua edhe çështja e mohimit të drejtës së pronave për një pjesë të qyetarëve të Ulqinit. Vizitën e delegacionit të LQSHA ,do ta pasojë më vonë letërshkëmbimi i kongresistit Lantos me kryeministrin e atëherëshëm të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë. Lantos përmes këtyre letrave ka potencuar qartas shqetësimet e tij lidhur me shumë çështje që preokuponin atëherë shqiptarët në Mal të Zi , ku përfshihet edhe e drejta e kthimit të pronave banorëve në Valdanos.Njëra nga këto letra mban datën e 11 Korrikut 2005 dhe është dërguar nga zyra e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan i cili drejtohej atëherë nga Henry Hyde, kryetar dhe Tom Lantos, zv/kryetar i këtij Komiteti, i bëhet me ditur kryeministrit të atëherëshëm të Malit të Zi, në mes tjerash edhe mohimi i së drejtës së zotërimit të pronës nga banorët vendas të Ulqinit, çka aludohej në ullishtën e Valdanosit.

Poashtu në vitin 2005 realizohet vizita e radhës në Ulqin dhe në Tuz e delegacionit të LQSHA , tani nën udhëheqjen e kongresistit Dana Rohhrabacker, vizitë kjo e zhvilluar në suaza të misionit të mbledhjes së fakteve dhe të informimit të drejtëpërdrejtë lidhur me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, gjithënjë me qëllim që çdo shkelje dhe padrejtësi e observuar atij misioni, ti komunikohen më vonë autoriteteve qeveritare të Malit të Zi.Edhe më këte rast një ndër temat e takimit të delegacionit DioGuardi-Rohhrabacker me ekspertët shqiptarë vendas në Ulqin ,ka qenë çështja e pronave.

Pra, lidhur me çështjen e kthimit të pronave apo arritjen e të drejtave të tjera të shqiptarëve në Mal të Zi, ligjëvënësit amerikan, miqë të LQSHA, kohë pas kohe kanë ushtruar presion ndaj qeverive të mëparshme të Malit të Zi.

Megjithate , sa herë që vjen deri te realizimi i një të drejte apo plotësimi i ndonjë kërkese të caktuar të shqiptarëve në Mal të Zi, vërehet një injorim apo mohim i rolit dhe kontributit të Diasporës shqiptare dhe Lobit të saj . Kjo ka qenë evidente edhe në rastin e realizimit të Komunës së Tuzit.
Është e paqartë nëse nënvlerësimi i punës së Lobit shqiptar në SHBA bëhet me qëllim apo në mungesë të informimit por mjafton ti hidhet një sy punës së LQSHA dhe organizatave të tjera shqiptare në SHBA,sidomos gjatë dy dekadave të fundit dhe do të shihet një veprimtari e qëndrueshme dhe konsistente e tyre në ndërgjegjësimin e çështjes së drejtave të shqiptarëve në përgjithësi në Mal të Zi, duke përfshirë pra edhe çështjen e cila është objekt i këtij shkrimi.


15 Qershor 2021

P.S.

By admini