Nga Gladiola Jorbus

R. Tagora: ‘Poezia është jehona e melodisë së universit në zemrat e njerëzve’

Dita Botërore e Poezisë çel siparin e pranverës dhe kjo stinë nuk mund të trokiste dot më bukur. Një ftesë kolektive për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të aftësive krijuese të gjithsecilit. Qëllimi i Ditës Botërore të Poezisë është të përkujtojmë rolin e poezisë në mbijetesën e gjuhëve dhe në flakërimin e botës.

Poezia daton në hieroglifet egjiptiane rreth 25 shekuj para lindjes së Krishtit. Ajo është fjala e shenjtë që i jep dritë, kuptim e plotësi – ndjenjës, perceptimit, shqisës a ndjesisë. “Par excellence” e përkufizojmë poezinë si një zhanër letrar, i cili manifeston bukurinë ose sentimentin estetik, përmes fjalës në vargje.

Ndonjëherë, ajo arratiset nga dhomëzat e shpirtit dhe ngre fole në ëndrra, në rrënoja kujtimesh, në shpresa utopike a në heshtje vetmitare sepse është fluturake, e brishtë dhe njëherazi një planet i ngujuar që frymon si qenie njerëzore.

Në një botë shifrash marramendëse, ku i kushtohet rëndësi sipërfaqësores dhe jo thelbit, akumulimit të sendeve luksoze dhe jo të vlerave, ku morali dhe virtyti vuajnë kriza identiteti, alegria e fjalës së praruar poetike ngjet me një puhizë të freskët që i dhuron frymëmarrje shpirtit të munduar nga pikëllimet, dyshimet dhe dilemat ekzistenciale.

Ndërsa festojmë poezinë, ne festojmë trashëgiminë kulturore, emocionale, linguistike dhe spirituale të të gjithë njerëzimit.

Jam poezi
Jam kurora e hënës,
Një perëndim i zhytyr thellësive.
Jam një lug i gjerë,
Murrak e vrungullues.
Mes dhembjes e lumturisë
Mes mëkatit e shenjtërisë.
Bëhem vello e gjatë
Mbi ëndrra të bardha.

Ngjizur ndër tinguj
Mes vargjesh kreshpëruar,
Si pëshpëritje dashurie
Mbi buzën e nxehtë të gruas.

Jam fantazma binjake e kupës qiellore.
Kështjella e fjalës krenare.
E brishtë,e pamposhtur,idhnake.
Jam poezi.

                                     (Festivali i Poezisë, Boras/ Suedi 2018)

By admini