Fotot nga libri i autorit Rexhep Lleshi, “Shkolla Fillore Bedri Elez Aga”, mësimdhënsit e dërguar në Anë të Malit në rrethin e Ulqinit nga Ministria e Arsmit e Shqipërisë 1941-43), që në atë kohë drejtohej nga Profesor Ernest Koliqi

Nga Frank Shkreli                               

Kohët e fundit më ra në dorë libri monografi — Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” 1869 –2019 Katërkollë — e autorit Rexhep Lleshi, botuar në Maj të vitit 2019 në Ulqin.  Autori i librit, Rexhep Lleshi është një ndër veteranët e arsimit të Anës Malit në rrethin e Ulqinit — jo vetëm si mësimdhënës por edhe njëri prej udhëheqësve në këtë fushë, i cili ka shërbyer edhe si drejtor i shkollës fillore, që mban emrin e “Bedri Elez Aga” — shkolla e parë shqipe në këto troje shekullore shqiptare (1941-1943), për fshatrat Katërkollë, Selitë, Krythë,  Sukubinë, Amull e të tjera.

Në parathënjen e redaksisë thuhet se në monografinë kushtuar shkollës së parë shqipe në këto troje, autori ka përdorur dokumentacione arkivore të shkollës dhe të shtetit, akte, libra të botuar për këtë histori si dhe revista, fotografi dhe deklarata gojore të pjesëmarrësve që kanë luajtur role me rëndësi në mirëvajtjen e kësaj shkolle gjatë dekadave, disa prej të cilëve jetojnë ende.  Përveç rrjedhës historike të arsimit në këtë trevë shqiptare gjatë dekadave, libri “Shkolla Fillore Bedri Elezaga”, përshkruan gjithashtu edhe historinë dhe gjeografinë e rajonit që mbulonte kjo shkollë, në rrethin e Ulqinit.  Në 15 kapitujt e librit flitet për periudha të ndryshme të historikut të shkollës para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Por, për qëllime të këtij shënimi, unë do të përqëndrohem në kapitullin e pestë të librit që mbulon periudhën e vitit 1941-19143, një periudhë kjo që edhe sipas vet autorit, Rexhep Lleshit, është një periudhë që për arsye politike, “është lenë pa u përmendur deri në ditët e sotëme, e që përkon me vendosjen e parë të kurrikulës dhe punës sipas planprogramit (terësisht) në gjuhën shqipe”.   Materialin për këtë kapitull të librit mbi shkollën e parë në gjuhën shqipe në rrethin e Ulqinit, autori e bazon në “fakte të dokumentuara nga arkivat, nga fotografi, dëftesa dhe gojëdhëna nga ish-nxënsit e diplomuar nga kjo shkollë”, e të cilët më vonë kanë dhënë mësim në këtë ent arsimor.  

Autori pranon se kjo periudhë është e varfër nga pikëpamja e dokumentacionit, pasi për arsye politike që dihen, thotë se “nuk janë ruajtur dokumente pedagogjike shkollore mbi veprimtarinë e kësaj shkolle.  Por, autori përfshin disa dokumentacione shtesë në lidhje me shkollën e parë shqipe në rrethin e Ulqinit në vitet 1941-1943, duke zbardhur mëtej një histori të zhvillimit të arsimit shqip gjatë këtyre viteve, anë e mbanë trojeve autoktone shqiptare, përfshir rrrethin e Ulqinit.  “Nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, nën okupimin Italian, përkundër rrethanave që çonin drejt një gjëndjeje të rëndë jetësore, në vitet shkollore 1941/42 e 1942/43 Ministria e Arsimit e Shqipërisë — ashtu si edhe në vendet e tjera me popullësi shqiptare, edhe këtu në Anë të Malit të rrethit të Ulqinit – (ajo Ministri dërgon mësues të rinjë me bazë pedagogjike të përgatitur për punë me nxënës në gjuhën shqipe.  Kështuqë, për herë të parë mësimi organizohet dhe zhvillohet në gjuhën amtare shqipe”, shkruan autori i “Librit Shkolla Fillore Bedri Elezaga”.  

Mësimet, sipas të dhënave, u organizuan për nxënësit e disa fshtarave për rreth, përfshir Katërkollën, Ambullin, Brajshën, Këllëznën e poshtme, Selitën dhe Shasin, fillimisht, gjithsejt me rreth 30 nxënës në objektin shkollor në Katërkollë, tani shkolla e vjetër.  Në këtë kapitull jepen edhe emrat e nxënsëve të parë të shkollës shqipe dhe mësuesëve të parë të ardhur nga Shqipëria me urdhër të Ministrit të Arsimit të Shqipërisë, mësues si Prenkë Jakova, Viktor Kiçi dhe Prek Shiroka nga Shkodra, për vitin 1942/43.  Autori thekson se mësuesit kishin për detyrë zhvillimin e mësimit të rregullt e të punëdorës me nxënësit, por edhe organizimin e kurseve kundër analfabetizmit me njerëz më të moshuar. Ndërsa përgjegjës i këtyre shkollave ishte Jahja Domnori nga Shkodra, një mësues me përgatitje shkencore e kulturore, ndërkohë që shërbente edhe si drejtor i shkollës fillore në Ulqin.

Nxënësit kl. I dhe mësuesi Prenkë Jakova, para gërmadhës së Kishës së Shën Gjonit në Shas – monument i lashtë i kulturës shpirtërore iliro-arbërore – afër shkollës së parë shqipe në Katërkollë –

Megjithëse jetojmë në një periudhë “lirie e demokracie”, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, të pakën komunizmit zyrtar enverist dhe atij jugosllav, gjithnjë ekziston një heshtje zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë për këtë periudhë historike të arsimit shqiptar, kur u hodhën hapat e parë dhe të pazevëndsueshëm të mësimit të gjuhës shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare, nga Sanxhaku, në Kosovë e deri në Manastir, Ulqin e Çamëri.  Ishte një periudhë kur Ministria e Arsimit të Shqipërisë, e drejtuar nga Ministri Ernest Koliqi, kishte vendosur të dërgonte nga Shqipëria, në krahinat me popullsi shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, rreth 400 mësues për hapjen e një numri të madh shkollash fillore e të mesme në trojet shqiptare.

Nuk e di se pse heshtet gjithnjë për të vërtetat e kësaj historie. Si një ish-nxënës I mësuesev të mi që kanë marrë mësimet e para nga këta arsimtarë të ardhur nga Shqipëria në vitet 1941/43, më vjen shumë keq për këtë heshtje zyrtare, pasi brezi im dhe shumë të tjerë kemi përfituar aq shumë nga këta patriotë të vërtetë, të cilët përball mundimeve dhe sakrificave të mëdha dhe kushteve jashtzakonisht shumë të vështira veprimi — me një atdhetarizëm të vërtetë due përkushtim shqiptarizmi, përhapën gjuhën, kulturën dhe historinë në rininë shqiptare të asaj kohe duke hedhur, për herë të parë, bazat për zgjimin dhe forcimin e identitetit kombëtar në trojet shqiptare.  Unë dhe brezi im si dhe breza të tërë pas nesh, kemi përfituar nga nxënsit e parë vendas të këtyre mësuesve të dërguar nga Shqipëria, të cilët vite më vonë u bënë mësuesit tanë. Nuk di se ku do kishim përfunduar — unë dhe brezi im – pa kontributin e këtyre burrave më të mirë të Kombit.  Për hir të punës së tyre, shumë prej nesh flasim dhe shkruajmë sot shqip. Prandaj, kontributi i tyre duhet të pranohet zyrtarisht dhe të kujtohet si një kapitull i ndritur në historinë e arsimit kombëtar. Libri i Rexhep Lleshit është një vepër e rëndësishme për të mos harruar kontributin e tyre historik.  Si të tillë, të gjithë këta meritojnë falënderimet tona dhe mirënjohje të thellë kombëtare për kontributet e tyre dhe jo heshtje dhe abuzim të vazhdueshëm nga Tirana dhe Prishtina zyrtare.  Heshtja ndaj punës dhe kontributit të tyre nuk na nderon si komb!

Autori Rexhep Lleshi shkruan se gjatë historisë së saj emri i kësaj (Bedri Elezaga) është ndryshuar disa herë.   Bedri Elezaga mund të ketë meritat e tija dhe mund të nderohet ndryshe, por nuk besoj që ai të ketë merita në fushën e arsimit dhe aq më pak në zhvillimin dhe program mësimin shqip në shkollat e Anës së Malit, në rrethin e Ulqinit. Prandaj, besoj se sot do të ishte me vend që këta burra të arsimit shqiptar në trojet tona që hoddhën themelet e para të gjuhës shqipe në ato troje – jashtë konsideratave politiko-ideologjike të së kaluarës — të kujtohen duke i ndryshuar emrin kësaj shkolle dhe t’i jepet emri i njërit prej atyre burrave të guximshëm që urdhëruan hapjen e saj në gjuhën shqipe ose të ndonjërit prej mësuesve të parë që kanë dhenë aty mësim në shqip, siç ishte i madhi Prenkë Jakova.

Kujtesa dhe “Mirënjohja na ndihmon të kuptojmë më mirë të kaluarën tonë, sjell paqe për sot dhe krijon një vizion për të ardhmen”, ka thënë autorja amerikane Beattie Melodi.

Temë nga projekti “Shkruaj, lexo dhe fol shqip”, një pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini