Thaci-rama-qytetar-nderi-ulqinitHistoria e Kosovës e ngjizur me Ulqinin
Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se pavarësia e Kosovës dhe pavarësia e Malit të Zi ishin një betejë e përbashkët për liri dhe barazi.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se pavarësia e Kosovës dhe pavarësia e Malit të Zi ishin një betejë e përbashkët për liri dhe barazi dhe lindja e shteteve tona, do të shënohet në një kapitull të vetëm në historinë moderne të Evropës. Ai ka thënë se historia e Kosovës është pandashëm e ngjizur me Ulqinin dhe ulqinakët. “Kur ne hapëm Universitetin e Prishtinës, u hap edhe një dritare për ulqinakët. Në konviktet tona, në menzat tona, në shoqëritë tona u përfshinë edhe ulqinakët. U krijuan lidhjet dhe shoqëritë e pandashme që e bëjnë Ulqinin po aq Kosovë, pothuajse sa edhe Peja apo Prizreni. Fëmijët tanë në shkolla fillore janë rritur me vargjet e Hajro Ulqinakut”, ka deklaruar Thaçi. Në nëntëdhjetat e tmerrshme, kur portat e botës u mbyllën dhe kur terrori i paparë u përhap tek ne në Kosovë, sipas Thaçit, Ulqini ishte oaze e ngushëllimit. “Dashuria më e madhe, dashuri e pakrahasueshme u dha mu në verën e 1999, 16 vite më herët. Atëherë pranuat qindra mijëra kosovarë që ikën nga gjenocidi dhe gjetën shpëtim tek ju. Ju shpëtuat shumë kosovarë dhe Kosova është e lirë sot edhe falë Ulqinit dhe Malit të Zi”, ka thënë Thaçi. Por, sipas tij, edhe Mali i Zi kur filloi betejën për pavarësi, ne ishim fare pranë dhe shumë përkrahës. “Kosovarët e Ulqinit dhe ulqinakët e Kosovës kanë votuar jo 50%, jo 70%, jo 90% por 100% për Republikën sovrane të Malit të Zi, të bazuar në historinë e lavdishme të popullit malazias dhe rolin e veçantë në këtë histori të shqiptarëve të Malit të Zi”, ka thënë Thaçi.

Dita e Ulqinit, ditë e veçantë për Thaçin

Komuna e Ulqinit, në një ceremoni solemne për ditën e saj, po i shpallë qytetarë nderi edhe kryeministrin e Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Edi Ramën dhe Hashim Thaçin, për rolin e tyre historik në promovimin e paqes dhe dialogut midis popujve të Ballkanit, marrëdhënieve të ngushta fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë me Malin e Zi, integrimin euro-atlantik dhe rolin shumë të rëndësishëm në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Ballkan dhe posaçërisht në Mal të Zi. “Komuna e Ulqinit dallon si komunë e pasur në Ballkan për trashëgimi kulturore, monumentale, natyrore dhe ç’ është më e rëndësishmja edhe për vlera njerëzore, prandaj edhe unë sot ndjehem i privilegjuar që më keni nderuar me këtë çmim”, ka thënë Thaçi. Sipas Thaçit, kosovarët ndihen shumë afër Ulqinit, sepse e lidhin këtë trevë me kujtimet më të bukura të tyre gjatë stinës së verës. “Përveç pushimeve verore, një tjetër urë e fortë lidhëse mes Kosovës dhe trevës suaj ka qenë edhe Universiteti i Prishtinës, në të cilin janë shkolluar me mijëra bijë dhe bija tuaja, por edhe ku kanë kontribuar dhjetëra kuadro të dala nga popullsia shqiptare e Malit të Zi”, ka thënë Thaçi.

By admini