Duke marrë parasysh pushtetin autoritar për tre dekada edhe në pluralizëm në Mal të Zi, idea e depolitizimit të pushtetit  do të jetë  sfidë për qeverinë e re në procesin e reformimit dhe të demontimit të strukturave ekzistuese në nivel qendror dhe ate lokal, duke vlerësuar si kriter profesionalizmin  e jo përkatësinë partiake, që do të jetë dëshmi praktike e ndryshimëve në qeverisje si kudo në botën demokratike

Nail Draga

Por, më të drejt bëhet pyetja se çka mund të bëjë në këtë drejtim Qeveria e re e cila ka obligime dhe përgjegjësi në udhëheqjen e Malit të Zi në mandatin e saj, në këtë kohë të krizës së përgjithshme ekonomike, shoqërore e shëndetësore, për të realizuar në praktikë premtimet e dhëna elektoratit votues gjatë fushatës parazgjedhore. Nuk ka dilemë se përgjegjësia kryesore bie mbi kryetarin e qeverisë, por as ministrat nuk mund të jenë pa përgjegjësi, sepse ata do të japing lloragi për veprimet në resorët përkatës. Madje opinioni pret me padurim fillimin e punës së kësaj qeverie, për të parë ndryshimin apo vazhdimësinë e qeverisë së mëparshme.

Duke marrë parasysh se koalicioni i shumicës parlamenatre është përcaktuar për qeverinë e ekspertëve, do të thot se janë mënjanuar figurat politike që është risi në skenën politike, mbetët të shihet se sa do të kenë ata mundësi praktike për ta realizuar këtë mision.

Angazhimi i personave të ndryshëm në qeveri në cilësinë e ministrave pa përkatësi partiake,  është përgjegjësi kryesisht e kryeministrit sepse ai ka zgjedhur ekipin me të cilën do të punojë, duke marrë parasysh referencat e tyre profesionale. Një veprim I tillë jep për të kuptuar se ata nuk do të jenë në presionet partiake, dukuri e cila iu mundëson autonomi personale dhe profesionale për të vendosur për të zgjedhur kuadrat e ndryshme në resorin përkatës. Dhe si të tillë ata do të jenë baza e fillimit të depolitizimit të pushtetit duke filluar nga lart që do të jetë risi në qeverisjën shtetërore në Mal të Zi.

Por,duke marrë parasysh përbërjen heterogjene të shumicës parlamentare, interesat personale si dhe animozitetin e dëshmuar, nuk ka dilemë së do të ketë divergjenca brenda tyre,  andaj mbetët të shihet se a do të jenë pengesë ne realizimin e angazhimeve konkrete  në këtë drejtim.


Sovraniteti i qytetarit

Në sajë të fitorës së opozitës në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, për të parën herë qytetari votues është sovran, ku vendosi me ndërgjegje me votën e vet ndryshimin e pushtetit. Si të tillë janë ata relaksuar duke dëshmuar  guximin e munguar vite më radhë, sepse pushteti i mëhershëm kishte monopolizuar edhe votën e qytetarëve. Ndërsa ndarjët politike dhe ata fetare në bashkësinë ortodokse  në Mal të Zi arritën nivelin më të lartë, në këtë vit zgjedhor, që u manifestu me shëtitjet fetare, ku si shkak ishte ligji për lirinë e bashkësive fetare, që definitivisht përcaktoj edhe rezultatin e tyre zgjedhjeve në favor të opozitës.


Ekipi i ekspertëve si „fushë e minuar“

Sistemi ekzistues me përvojën tridhjetëvjeçare pothuaj është „betonuar“, përmes kuadrave partiake,  andaj  qeveria e re  duhet të angazhohet ne demontimin e tij, por nuk ka dilemë  se  ekipi i ekspertëve  nuk do ta ketë të lehtë, sepse duhet të eci ne “fushën e minuar“, andaj edhe sukseset do të jenë të diskutueshme. Pikërisht në ketë aspekt duhet të dëshmohet qendrimi dhe angazhimi konkret në fushën e depolitizimit të strukturave dhe të institucionve qeveritare.

Çdo angazhim në këtë aspekt qoftë edhe minimal, duhet  mbeshtetur, sepse edhe rruga ma e gjatë fillon me hapin e parë. Andaj mbetet obligim i shumicës  së re parlamentare që të angazhohet në këtë drejtim, për të ndryshuar  status quon ekzistuese që është „prodhim“ shumëvjeçar  nga qeverisja e mëparshme.


Neoliberalizmi dhe dështimi i privatizimit


Ndërsa  nga fusha e ekonomisë, qeverisja e re duhet të merret jo vetëm me strukturën e saj por duke eliminuar konceptin e neoliberalizmit, duke ofruar qasje tjetër dhe zgjidhje në këtë drejtim. Po ashtu duhet të rishqyrtohen marrëveshjet dhe kontratat në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, të cilat në sajë të procesit të tillë janë plaçkitur  në forma të ndryshme, duke lënë pa punë një numër të konsideruar të punësuarish. Në këtë aspekt, deri më tash askush nuk ka dhënë përgjegjësi, edhe pse ka raste  të shumta të dështimit,  ku kryporja  e Ulqinit  paraqet rast të veçantë të hulumtimit, sepse ishte e vetmja fabrikë e tillë në vend, por gjoja u privatizu  dhe u plaçkit në formën ma të vrazhdë të mundur.

Partitokracia pengesë e depolitizimit

Andaj, duhet bërë përpjekje  për të filluar me procesin e depolitizimit sepse kemi të bëjmë me një të drejtë të mohuar të qytetarëve, sepse deri më tash ka dominuar autokratizmi në udhëheqje dhe sistemi i partitokratisë në qeverisje. Kemi të bëjmë pikërisht me partitë e ndryshme politike të cilat nuk zgjedhin mjete për të fituar ndonjë mandat qoftë të këshilltarit apo të deputetit, duke u bërë pjesë e qeverisjës, për përfitime të ndryshme. Dhe të tillët nuk marrin parasysh vlerat dhe parimet por interesin personal apo të klanëve të ndryshme.

Është koha e fundit për të  vlerësuar profesionalizmin  e jo përkatësinë partiake  si kriter bazë  i punësimit që do të jetë hapi vendimtar në procesin e depolitizimit të  pushtetit, përfundimisht edhe në pluralizëm, si në nivelin lokal dhe ate qendror, si kudo në vendet demokratike.

(Nëntor 2020)

By admini