Nga Gladiola Jorbus

Prolog: Ata mbanin unazat me emrat e njëri-tjetrit, dhe ideja e martesës vazhdonte të frymësonte. Ishte një mbrëmje gushti dhe të dashuruarit po kalonin pushimet në një vilë të vogël me qira, në arkipelagun e Stokholmit.

Stieg Larsson, tashmë kishte shitur një trilogji të romaneve kriminale, të cilat së shpejti do të botoheshin dhe priste me padurim të përshkallëzonte punën e tij në ‘Expo , në mënyrë që të shkruante shtatë romanet që do të përfundonin serinë.

Rruga përpara dukej më e qartë, më pak kërcënuese dhe një mbrëmje Stieg e pyeti përsëri Evën. Ajo u befasua dhe mbeti e kënaqur. Kështu vendosën që më vonë, po atë vit të organizonin një festë ditëlindjeje, të ftonin të gjithë miqtë e tyre dhe vetëm pasi mbrëmja të kishte filluar do t’u thonin se në të vërtetë kjo ishte, festa e tyre e dasmës.

Por festa nuk do të ndodhte kurrë. Tre muaj më vonë, Larsson shkoi për një takim në ‘Expo’. Ashensori ishte prishur. Ai ngjiti shtatë kate për të mbërritur në zyrë, pësoi një sulm në zemër dhe u dërgua me urgjencë në spital. Vdiq po atë ditë. Ishte 9 nëntor 2004.

Eva Gabrielsson është një arkitekte suedeze, autore, aktiviste politike, feministe dhe bashkudhëtarja e jetës së romancierit të ndjerë suedez Stieg Larsson.

Ajo ka botuar një libër të sajin, me titullin e drejtpërdrejtë dhe të qartë ” Ka gjëra që dua t’i dini”, kronika nga jeta së bashku me Stieg Larsson. Ata jetuan së bashku që nga viti 1974, deri në vdekjen e tij të befasishme në nëntor të 2004 – ës.

Gabrielsson është shprehur se ajo dhe Larssoni nuk janë martuar kurrë, pasi ai besonte që puna e tij mund ta rrezikonte Evën, (thuhet se jetoi për vite me radhë nën kërcënime me vdekje nga armiqtë e tij politikë), nëse do të ekzistonte një fill që do t’i lidhte ligjërisht apo financiarisht.

Meqenëse Larsson vdiq pa lënë testament, pasurinë e tij e përfituan i ati dhe i vëllai, në përputhje me ligjin suedez, edhe pse Larsson nuk kishte marrëdhënie të afërta me ta. Larsson është rritur nga gjyshërit e tij në Suedinë Veriore. Deri në moshën nëntë vjeç, ai ka jetuar me ta, në një shtëpi të vogël prej druri, afër fshatit Bjursele në Komunën Norsjö, Qarku Västerbotten dhe ndoqi shkollën e fshatit. Stiegu i vogël përdorte skitë për të shkuar në shkollë, në dimrat e gjatë dhe me dëborë të Suedisë Veriore.

Larssoni e donte shumë këtë përvojë të jetës së vet, por që kishte ndikuar në marrëdhënien e distancuar me të atin. Në librin “Ka gjëra që dua të dish” Stieg Larsson dhe Unë, Eva Gabrielsson e përshkruan këtë fragment të fëmijërisë, si motivimin e Larssonit për vendosjen e disa ngjarjeve të romanit të tij të parë “Vajza me tatuazh dragoi” në Suedinë Veriore, të cilën Gabrielsson e quan “vend i braktisura dhe i paarritshëm “.

Krejtësisht e qartë që për Evën është më se e dhimbshme të flasë për vdekjen e Larssonit, për shëmtinë dhe përmbysjen e ndodhur që prej asaj dite. Gabrielssonin e priste një betejë e vërtetë për të mbajtur apartamentin modest që ajo dhe Larsson kishin së bashku. Ligjërisht, asaj i takonte vetëm gjysma e tij.

 Grindja midis saj dhe familjes së Stieg ka qenë shkaku i botimit të një libri posaçërisht për këtë temë (bashkëjetesat shumëvjeçare, por të paligjëruara), i vajtjes në parlament, ku ka paraqitur propozime për ndryshime ligjore. “Njerëzit, mjerimi i të cilëve është privat, të cilët kanë humbur gjithçka për hir të familjes së partnerit të tyre të vdekur brenda natës, më brohorasin dhe më thonë: ‘Ti je edhe zëri ynë. Të lutem mos hesht”. Eva ndjen një përgjegjësi të dukshme për të përfaqësuar Larssonin.

‘Unë jam një person publik më ngurrues’, thotë ajo dhe nuk shfaqet e etur për t’u intervistuar. ‘Më duhej të qëndroja në hijen e Stiegut gjithë këtyre viteve, gjë që ishte e nevojshme, por është e çuditshme që papritmas të dal dhe jo vetëm të flas për të, por gjithashtu të provoj se jeta jonë e përbashkët ka ekzistuar’.

 Një artikull në ‘Vanity Fair’ trajton mosmarrëveshjen e Gabrielsson me të afërmit e Larssonit, e cila është pasqyruar gjerësisht në shtypin suedez dhe jo vetëm. Ajo pretendon se autori kishte kontakt minimale me babanë dhe vëllanë e tij duke kërkuar kështu, të drejtën për të kontrolluar veprën e Stieg Larssonit që ajo të paraqitet, në mënyrën që ai do të dëshironte.

 “Është sikur identiteti im të jetë fshirë. Njësoj si të shpronësohesh”, kështu është shprehur Eva në media. Duket sikur dekadat e përjetuara me Stieg nuk kanë ekzistuar kurrë. Në vitin 1983, ata kishin dy unaza të gdhendura “Stieg dhe Eva”, shqyrtuan formalitetet e martesës dhe zbuluan se shëmbëllente me një labirint burokratik. Të dy kishin detyrime të ngutshme profesionale, kështu që ideja u la mënjanë për njëfarë kohe.

Gabrielsson, e veja e fenomenit suedez të romanit thriller Stieg Larsson ka folur shumë për jetën, shkrimet dhe trashëgiminë e tij.

Eva rrëfen historinë e romancës 30-vjeçare që e quan Stieg dhe Unë, tregon luftën dhe kërkimet e pavarura të Stieg mbi ekstremizmin e djathtë në Suedi, përpjekjet e tij për të mbajtur në këmbë ‘Expo’, revistën që ai themeloi dhe marrëdhëniet e vështira të Stieg me familjen.

Ajo ka dhënë detaje mbi gjenezën e trilogjisë së Mijëvjeçarit, burimet për personazhet dhe vendet në secilin libër, misterin e vëllimit të katërt, sagën e vdekjes së Larsson dhe trashëgiminë.

Eva Gabrielsson shpjegon se fillimisht nuk ka pasur qëllim të shkruante një libër; përkundrazi, gjithçka buroi nga shënimet në ditarin e saj, ku shprehej hidhërimi për humbjen e burrit të jetës së saj.

 Titulli i librit vjen nga një letër dashurie që Larsson i shkroi Gabrielssonit, kur ai mendoi se mund të vdiste gjatë një udhëtimi në Afrikë, në vitin 1977. Letra është përfshirë në kujtimet e Evës, së bashku me detajet e udhëtimit të Larssonit në Afrikë.

Stokholm,

9 Shkurt 1977

Eva, dashuria ime,

Mbaroi. Në një mënyrë apo në një tjetër, gjithçka merr fund. Një ditë gjithçka merr fund. Kjo është ndoshta një nga të vërtetat më magjepsëse që dimë për të gjithë universin. Yjet vdesin, galaktikat vdesin, planetët vdesin. Dhe njerëzit vdesin gjithashtu. Unë kurrë nuk kam qenë një besimtar, por ditën kur u interesova për astronominë, mendoj se lashë mënjanë, gjithçka më kishte mbetur nga frika e vdekjes.

 E kam kuptuar që në krahasim me universin, një qenie njerëzore, një qenie njerëzore e vetme, unë… është pafundësisht e vogël. Epo, nuk po e shkruaj këtë letër për të mbajtur një leksion të thellë fetar ose filozofik. Po e shkruaj për të të thënë “lamtumirë”.

Thjesht po flisja me ty në telefon. Ende mund të dëgjoj tingullin e zërit tënd. Të imagjinoj, para syve të mi … një imazh i bukur, një kujtim i bukur që do ta ruaj deri në fund. Pikërisht në këtë moment, duke lexuar këtë letër, ti do ta dish që unë do të kem vdekur.

Ka gjëra që dua t’i dish. Ndërsa largohem për në Afrikë, jam i vetëdijshëm për atë që po më pret. Unë madje kam ndjesinë që ky udhëtim mund të sjellë vdekjen time, por është një eksperiencë që duhet ta përjetoj, pavarësisht nga gjithçka.

Unë nuk kam lindur të ulem në një kolltuk. Unë nuk jam i tillë. Korrigjimi: Unë nuk kam qenë i tillë … Nuk jam duke shkuar në Afrikë vetëm si gazetar, unë jam duke shkuar mbi të gjitha në një mision politik, dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se ky udhëtim mund të më çojë drejt vdekjes.

Kjo është hera e parë që të kam shkruar duke ditur saktësisht se çfarë të them: Të dua, të dua, të dua, të dua. Unë dua që ta dish këtë. Dua të dish se të dua më shumë se ç’kam dashur këdo në jetë. Dua ta dish se po flas seriozisht. Dua të më kujtosh, por të mos pikëllohesh për mua.

Nëse me të vërtetë kam rëndësi për ty, dhe e di që kam, ndoshta do të vuash kur të mësosh se kam vdekur. Por nëse vërtet dua të them diçka, mos vuaj, nuk e dua këtë.

 Mos më harro, por vazhdo të jetosh. Jeto jetën tënde. Dhimbja do të zbehet me kohën, edhe pse është e vështirë të imagjinohet tani. Jeto në paqe, dashuria ime më e dashur; jeto, dashuro, urrej dhe vazhdo të luftosh…

Unë kisha shumë gabime, e di, por edhe disa cilësi të mira, shpresoj. Por ti, Eva, më frymëzove një dashuri të tillë që kurrë nuk kam qenë në gjendje të ta shpreh …

Drejtohu, hapi shpatullat, mbaje kokën lart. Mirë? Kujdesu për veten tënde, Eva. Shko të pish një filxhan kafe. Mbaroi. Faleminderit për kohët e bukura që kemi kaluar. Më ke lumturuar shumë. Adieu.

Të jap puthjen e lamtumirës Eva.

Nga Stieg, me dashuri.

Sipas Eva Gabrielsson, partneri i saj ishte një feminist, një biznesmen i pashpresë, një gazetar që nuk mund të mbante një vend pune në një staf, një luftëtar dhe hetues i pasionuar pas kauzave sociale dhe kundër së Djathtës ekstreme.

Si shkrimtare, përveç punës me Stieg Larsson në projektet e tij letrare, ajo është bashkautore e disa librave, përfshirë një monografi mbi temën e bashkëjetesës në Suedi, një studim nga qeveria suedeze se si të krijohen banesa më të qëndrueshme dhe një studim mbi urbanistin suedez Per Olof Hallman.

 Ajo gjithashtu ka përkthyer në gjuhën suedeze librin e Philip K. Dick, ‘Swastika mbi diell’. Eva Gabrielsson është e impenjuar në kauzat e dhunës ndaj grave.

Firma e saj e arkitekturës, aktualisht është e angazhuar në ndërtimin e shtëpive dhe zyrave dhe kryeson një iniciativë të Bashkimit Evropian për të krijuar një arkitekturë të qëndrueshme në rajonin e Dalarnas.

Ç’është ‘Millennium’ ? Seria e romaneve best seller të krimit të krijuara nga gazetari suedez Stieg Larsson. Dy personazhet kryesore në sagë janë Lisbeth Salander, një haker asocial kompjuterik, me një kujtesë fotografike dhe Mikael Blomkvist, një gazetar hulumtues dhe botues i një reviste të quajtur ‘Millennium’.

Larsson planifikoi serinë që të kishte 10 vëllime, por përfundoi vetëm tri, para vdekjes së tij të papritur.

 Të tria vëllimet u botuan pas vdekjes: ‘Vajza me tatuazh dragoi’ – 2005, ‘Vajza që luante me zjarrin’ -2006 dhe ‘Vajza që trazoi folenë e grerëzave’ – 2007.

Romanet e Larsson janë përkthyer në më shumë se 50 vende. Brenda muajit mars të vitit 2015, 80 milion kopje të tri librave të tij ishin shitur në të gjithë botën.

Në vitin 2013, botuesi Norstedts Förlag propozoi autorin suedez dhe gazetarin e krimit David Lagercrantz për të vazhduar serinë ‘Millennium’, me personazhet e Larssonit. Romani i parë i Lagercrantzit në seri, ‘Vajza në rrjetën e merimangës’, u botua në vitin 2015; ‘Vajza që merr një sy për një sy’ në 2017, ‘Vajza që jetoi dy herë’ u botua në gusht 2019.

 Dy vëllimet e para të Lagercrantz të serisë ‘Millennium’ kanë arritur një rekord shitjesh mbi 100 milion kopje në të gjithë botën, deri në maj të vitit 2019, duke e bërë atë një nga seritë e librave best seller më të shitur në histori.

By admini