Me rastin e 87-vjetorit të lindjes dhe 16-vjetorit të vdekjes
Nga Gjekë Gjonaj
Më 25 gusht 2020 Gjergj Berishaj kishte ditëlindjen. Tetëdhjetë e shtatë vjet më parë ai erdhi në jetë si çdo njeri tjetër, i thjeshtë , i zakonshëm, për të ikur në moshën shtatëdhjetë e një vjeçare si veteran i arsimit i cili la gjurmët e veta të cilat nuk mund të zhbëhen kurrë prej arsimit shqip në Mal të Zi. Ai do të mbetet gjithnjë në fokus të atyre që e duan dhe jetojnë me arsimin dhe kulturën shqiptare. Vepra dhe kontributi i tij do të përkujtohet gjithmonë , pamvarësisht se ne me pa të drejtë e kemi lënë në harresë dhe nuk ia kemi dhënë vendin që e meriton, sikur shumë personalitete tjera të njohura nga fusha e arsimit, kulturës, artit dhe shkencës.
E gjithë veprimtaria e tij, që nga viti 1954 , kur e filloi punën si mësues në Shkollën Fillore në Dinoshë, më vonë në Shkollën Fillore në Tuz, ku punoi si mësues, arsimtar i historisë dhe zëvendsdrejtor, pastaj si profesor dhe drejtor i parë shumëvjeçar i Gjimnazit ( shkollës së parë të mesme) në Tuz, ka qenë e orientuar në shkollimin dhe arsimimin në gjuhën shqipe të popullatës së Malësisë.
Puna e këtij intelektuali me dije dhe vizion në shërbim të emancipimit arsimor dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve është jashtëzakonisht e madhe, shumë e rëndësishme dhe e dobishme , sepse këto vlera për kohën e atëhershme kur numri i shqiptarëve të arsimuar ishte fare i vogël jo vetëm në Malësi por në gjithë trevat shqiptare në Mal të Zi, ishin nevojë ekzistencale e shqiptarëve.
Profesori ynë i nderuar, duke parë këtë situatë të vështirë të arsimit shqip në Malësi dhe mungesën e kuadrove në këtë fushë, nuk kurseu as kohë as mund që t’u dalë në ndihmë banorëve të të gjitha fshatrave të Malësisë. Ai ka merita të mëdha se bindi shumë prindër të Hotit, Grudës, Trieshit e Kojës dhe rrethinës për t’i dërguar vajzat e tyre në shkollë, atëherë kur ende mbretëronin fanatizmi, prapambeturia, stereotipet dhe paragjykimet ndaj femrës shqiptare. Brenda dyzet vjetësh sa punoi, si mësimdhënës me ditar në dorë e drejtues i institucionit të parë të mesëm në gjuhën shqipe në Malësi, nxori me qindra nxënës të niveleve të ndryshme të shkollimit. Duhet thënë se drejtori i dha një drejtim dinjitoz kolektivit të shkëlqyer pedagogjk të tempullit më të dashur të dijes që ka patur Malësia. Një kontribut të veçantë arsimit shqip i ka dhënë edhe si këshilltar pedagogjik për shkollat fillore e të mesme në Mal të Zi për lëndën e historisë, si bashkautorë i tekstit shkollor “ Në prehër të jetës së re” e recenzent i teksteve shkollore për shkollat e mesme në Mal të Zi.
Përveç angazhimit dhe përkushtimit të tij me gjithë shpirt për arsimin e masave në gjuhën shqipe ishte edhe atdhetar i shquar për çështje kombëtare. Si nxënës i Shkollës Normale në Gjakovë, së bashku me disa shokë të tij nacionalistë shqiptarë haptas ngriti zërin kundër politikave nacionaliste dhe shoviniste të regjimit të Aleksandar Rankoviqit në Kosovë, ndaj edhe në janar të vitit 1952 e dënojnë me përjashtim nga shkolla. Megjithathëse strukturat komuniste e larguan nga shkolla për “ fajin” e vetëm se kërkoi të drejtat nacionale në veçanti në fushën e arsimit dhe kulturës shqiptare, nuk e gjunjëzuan e nuk e frikësuan atë. Përkundrazi e forcuan edhe më shumë në drejtim të misionit të tij jetësor drejt rrugëtimit të gjatë me shumë vështirësi e sakrifica në kërkim të arsimimit intelektual. I etshëm për dituri vazhdoi dhe përfundoi me sukses Shkollën Normale në Prishtinë, në vitin 1954, Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë – grupi histori-gjeografi, në vitin 1970 , ndërsa tri vjet më vonë diplomon po të njëjtën degë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë , në temën “ Kusarët e Ulqinit”.
Profesor Berishaj ishte i mendimit se “ intelektuali duhet të dallohet edhe në luftën për demokraci, për drejtësi, për kulturë, për arsim , për shkencë dha barazi të plotë e të vërtetë të të gjithë popujve pa dallim race, ngjyre, gjuhe e veçori tjetër dalluese. ” Në këtë kontekst mjaft intensive dhe me përkushtim ishte edhe veprimtaria e tij në proceset e reja demokratike në Mal të Zi, kur u vendos pluralizmi politik dhe u shfaqën partitë e para politike. Ka qenë deputet në Kuvendin e Malit të Z në periudhën kohore 1990-1992.
E gjithë kjo veprimtari intelektuale dhe atdhetare e profesor Berishajt duhet të shërbejë si shembull për të gjithë të rinjtë studentë shqiptarë në fushën e arsimit dhe më gjerë, por edhe për të gjithë arsimdashësit tanë dhe drejtuesit e arsimit shqip. Të gjithë ne që patëm fat e privilegj të ishim nxënës të profesorit, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij, e nderojmë me pietet e dashuri dhe e respektojmë me përkulje punën dhe angazhimin e tij në fushën e arsimit shqip, duke e çmuar lartë përkushtimin e tij në edukimin e gjeneratave të reja. Kontributi i tij me punë dhe vepër që u ka dhënë shqiptarëve në Mal të Zi është një kontribut madhor, që shqiptarët s’duhet harruar kurrë.