Nga Xheladin Zeneli
Kam shkruar disa herë në të kaluarën lidhur me rëndësinë e qendrimit të paanëshmëm të Diasporës që ajo duhet të mbaj në raport me faktorin politik në vendlindje. Konkretisht e kam fjalën për faktorin politik shqiptar në Mal të Zi. Nëse organizatat apo shoqatat e komunitetit në diasporë bëjnë thirrje për unifikimin e faktorit politik shqiptar, përkatësisht thirrje për një listë të përbashkët zgjedhore, këtë duhet bërë duke mos shfaqur preferenca për ndonjë subjekt apo grupim të caktuar politik,por duke mbajtur një qendrim të paanshëm në këtë aspekt.Ndërhyrjet e pabalancuara dhe të njëanëshme nga ana e Diasporës,përkatësisht oganizatave të saja, në hapësirën politike në vendlindje, së pari e humbin kredibilitetin e saj si faktor i rëndësishëm unifikues që ajo do të duhej të ishte. Së dyti, nëse Diaspora synon të luaj rolin e ndërmjetësuesit dhe të arrijë një kompromis eventual në mes përfaqësuesve (udhëheqësve) partiak nga vendlindja ,atëherë kjo duhet bëhet pa favoritizëm për njerën palë apo tjetër .
Si pjesëtarë të diasporës edhe mund të kemi preferenca individuale lidhur me një subjekt apo lider të caktuar politik në vendlindje, por organizatat e diasporës dhe përfaqësuesit e tyre nuk e kanë komoditetin që opinionet, bindjet apo qendrimet e tyre personale t’i shfaqin në emër të Diasporës apo në emër të organizatave dhe shoqatave që ata përfaqësojnë.
Vlerësimet apo paragjykimet personale , nuk i shërbejnë bashkimit apo unifikimit , përkundrazi ato i ndikojnë përçarjeve të mëtejshme në radhë të parë vet faktorit politik shqiptar në vendlindje, por njëkohësisht edhe ndarjeve dhe përçarjeve në vetë Diasporën .Në këtë aspekt kjo Diasporë mund të mësoj shumë nga e kaluara e saj.
Si pasojë e mos vullnetit dhe gatishmërisë së disa liderëve partiak (duke përfshirë edhe inatet dhe huqet e tyre personale), dështuan të gjithë tentimet e bashkimi të spektrit politik shqiptar në Mal të Zi për një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 30 Gushtit dhe si rezulltat tani në këto zgjedhje do të kemi dy lista shqiptare, duam ne apo nuk duam, ky është realiteti,i hidhur.
Për mendimin tim, tani do të ishte gabim që organizatat e Diasporës shqiptare të marrin anën apo të promovojnë njërën nga dy listat shqiptare, sepse një gjë e tillë jo vetëm nuk do të ishte aspak produktive, por siç e theksova më lart, do të kishte pasoja negative dhe do të ndikonte në përçarjen e mëtejshëm të elektoratit shqiptar në Mal të Zi por edhe në përçarjen e vetë pjesëtarëve të komunitetit tonë në mërgatë.
Gjithashtu,do të ishte fatale sikurse dy grupimet (listat) shqiptare në tre javët e ardhshme të bëjnë fushatë kundër njëra tjetrës, diçka që ka ndodhur me rastin e zgjedhjeve në të kaluarën.
Mos të harrojmë se më në fund, qëllimi kryesor është që vota e elektoratit shqiptar të mbetet brenda faktorit politik shqiptar dhe që kjo votë mos të kalojë te partitë joshqiptare apo te ato të ashtuquajturat qytetare.
Atëherë, deri në zgjedhjet e 30 Gushtit, mezazhi i Diasporës por jo vetëm i saj, do të duhej të ishte apeli ndaj zgjedhësve shqiptar që të votohen dy kualicionet (listat) shqiptare si opcione të vetme të përfaqësimit autentik të shqiptarëve në legjislacionin e ardhshëm të Malit të Zi.
6 Gusht 2020