Në një konferencë për shtyp para disa ditëve, OJQ Horizonti i Ri prezantoi publikimin “Zëri i qytetarëve për qeverisje të mirë”, i cili paraqiste rezultatet e një hulumtimi të organizuzar nga kjo organizatë.
Në mesin e shumë pyetjeve ishte edhe njëra që kishte të bënte se sa besojnë qytetarët në punën e këshilltarëve të përbërjes aktuale të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, shkruan Ulqini Online.
Përgjigjet në këtë pyetje ishin zhgënjese për këshilltarët aktual të Kuvendit të Ulqinit.
Tre të katërtat e qytetarëve të anketuar (74,1%, përkatësisht shuma kumulative e përgjigjeve “kryesisht nuk besoj” dhe “nuk besoj aspak”), theksuan se nuk kanë besim në punën e këshilltarëve të përbërjes aktuale të Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Një e katërta e qytetarëve të anketuar deklaruan se besojnë në përfaqësuesit e tyre të zgjedhur në Kuvendin Lokal. Nëse përmendim edhe faktin se shumica aktuale e përbërjes së Kuvendit të Komunës së Ulqinit, numëron 30 nga gjithsej 33 këshilltarë të Parlamentit Lokal (91%), mund të nxjerrim përfundimin i cili tregon se politikbërësit lokal kanë luajtur me besimin e qytetarëve dhe qytetareve të Komunës së Ulqinit.
Me rastin e hulumtimit të kryer për nevojat e këtij projekti, u shfrytëzua metoda e grumbullimit të të dhënave parësore duke përdorur pyetësorin. Rezultatet e hulumtimit u nxorën me grumbullimin e të dhënave në terren dhe përmes përdorimit të formularit të internetit, pyetësorit „Google Forms”. Hulumtimi ka përfshirë 235 qytetarë të Komunës së Ulqinit, në raportin 60:40, që do të thotë se 60% e të anketuarve (që përbën 141 persona) janë anketuar online, kurse 40% e të anketuarve (94 persona) kanë plotësuar pyetësorin gjatë punës në terren (pyetësorin face to face – ballë për ballë). Mostra, gjegjësisht përzgjedhja e të anketuarve ishte rastësore, që do të thotë se çdo qytetar i komunës së Ulqinit ka pasur mundësi të barabarta për të marrë pjesë në hulumtimin në fjalë.