Nga Argëzon SULEJMANI,
(Titull pune: 4.000)
*Preferohet leximi nën tingujt e këngës “Vendi im” të Rock Grupit “Troja”
Ju mund t’i besoni numerologjisë ose matematikës. Ose, mund t’i besoni politikës duke iu dhënë sa njërës sa tjetrës. Për të parën, për këdo që e matë kohën me diell, le ta shtjellojmë shkurt e shqip. Pse katër dhe përse katër mijë!? Shumë thjeshtë. Viti 2020. 2+0+2+0 bëjnë katër, apo jo!? A nuk është ky viti i mbrapshtë: një herë i mbrapshtë, dy herë i mbrapshtë, tri herë i mbrapshtë. Shtoji, pra, katrës – tri zero: 4000 dhe, nisja lexo për numrin tre, se në fund të fundit dielli nuk plaket asnjëherë.
Për politikën dhe matematikën pak më gjatë.
E lexova në shumë vende: është imperativ i kohës bashkimi i shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi, që do të mbahen të dielën e 30 gushtit, 2020.
Pyes, kur nuk ka qenë imperativ (domosdoshmëri)!?
Në fakt, shqiptarët në Malin e Zi janë bashkë. Në nivele lokale (bashkishë), në të dy komunat me shumicë shqiptare (Ulqin dhe Tuz) shqiptarët janë bashkë. Në nivel qëndror (republikan), po ashtu, të gjitha partitë shqiptare janë bashkarisht të pozicionuara tash e sa kohë.
Me logjikën e ekstremeve ndarje-bashkim, shqiptarët në Malin e Zi, së shpeshti, janë ndarë për t’u votuar, kurse janë bashkuar për të pushtetnuar. Epilog ka qenë bashkimi. I ëndërruari, i shumëkërkuari, i lartësuari. Dhe, pas epilogut, e mbyllë kopertinën e fundit dhe i futë një sy gjumë robi, do thoshit. Dhe ata (lexo: ne) këtë bënë.
Shqiptarët në Malin e Zi kanë respektuar më për së afërmi thelbin apo preambulën e demokracisë (demoNkraci e quan poetikisht një studiues): të zgjedhësh dhe të zgjidhesh, apo më saktë të zgjidhesh dhe të zgjedhësh. Tanimë numërojnë mbi dhjetë subjekte politike.
Me ritmin e këtyre tri dekadave pluralizëm dhe migrim, nuk do të jetë e largët dita kur shqiptarët në Malin e Zi, të gjithë e një për një, do të jenë në listat e votuesve dhe listat për t’u votuar. Në lokalitete të veçanta kjo mbase veç ka ndodhur.
Shkëputje.
Një nga portalet lokale të Ulqinit jep lajmin mbi deklaratën e një përfaqësuesi të një partie të a.q. qytetare, ku thotë se vetëm përmes kësaj partie garantohet gjithçkanaja idilike e Malit të Zi. Qeshem lehtë, teksa e kujtoj atë vendvotimin që pat votuar 104% për pavarësinë e Malit të Zi. -Ç’do kjo katër këtu, do pyesësh!? -Po është e vitit të mbrapshtë pra. Njëqind e katër përqind “PO”. Lumi Po. Lumenj po-shë. Dhe, ky vendvotim nuk ndodhej në Podgoricë e as Cetinë. Ky vendvotim ndodhej në komunën e Ulqinit dhe është i banuar, sipas statistikave të fundit, 100% me shqiptarë që në plebishit votojnë partitë nacionale shqiptare. -Po le mor zotni a moj zonjë tani se, idila është jona. Njëmend, nuk e kisha ditur që Cetina mbahej për kryeqytet humori në Malin e Zi. Edhe këtë e lexova diku. E besova 104%.
Nga shkëputja në hedhje.
Partitë shtetformuese malazeze gëzojnë në vazhdimësi përkrahjen e partive politike shqiptare, dhe, thuajse të të gjithë trupës votuese shqiptare në Malin e Zi. Partitë nacionale shqiptare janë më meritoret për një kanalizim të tillë. Pavarësisht që është demokratike, shul demokraci, jam i mendimit që moskoncentrimi i trupës votuese shqiptare rreth partive politike nacionale dhe, ngarendja e kësaj trupe drejt partive qytetare, në përspektivë mund ta çorjentojë votën e këtij korpusi drejt grupacioneve të tjera që, së paku për kohën, duken skeptike perëndimore. Prandaj, mendoj që egzistimi dhe mirëfunksionimi i partive nacionale shqiptare nuk është veç ajo ura lidhëse në mes të kombeve, që parapëlqehet të thuhet, por për kohën është themeli i një shteti të ri demokratik, multietnik dhe properëndimorë. Duhet bërë kujdes kur zgjedhim rrugët më të shkurtëra, sepse andejpari gjithnjë ka të papritura.
Me këmbë në tokë.
Shqiptarëve në Malin e Zi nuk u duhet më shumë këso pushteti, sepse deri më tani ata (lexo: përfaqësuesit e tyre) kanë provuar shumë nga kolltuqet e tij. Shqiptarëve në Malin e Zi, politikisht, mund t’u kenë mbetur peng veç dy poste: ai i kryetarit të qeverisë dhe ai i kryetarit të shtetit. Të tjerat i kanë konsumuar, se si e tek, me radhë, në këto tri dekada. Shqiptarët në Malin e Zi, në këto tri dekada, kanë udhëhequr me: parlamentin e Malit të Zi, ministri respektive të tij, komuna përkatëse, institucione gjegjëse, delegacione të veçanta, diplomaci dhe trupë diplomatike, etj. Kaq është shteti, apo!? Edhe policë, policë shqiptarë kemi shumë e më shumë, ditë e përditë. Polici vazhdon të mbetet pushtet më vete.
“Për kryeministrin e parë shqiptar” do të mund të ishte sllogani i listës së përbashkët shqiptare në Malin e Zi. Me këtë motivacion pat garuar një parti shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha shënimet emotive janë qesharake, thotë poeti Fernando Pessoa. Fushatat politike u ngjajnë kaq shumë çmendurive dashunore.
-Qeshja të zgjatë jetën, -ta thotë deputeti, – ma thotë.
Shpesh-herë, shqiptarëve në Malin e Zi u flasin për shqiptarët në MeV, apo Luginë të Preshevës. Ata u bënë bashkë dhe ju duhet të bëheni bashkë, – është porosia. Por, ata askurrë, dmth asnjëherë dhe kurrë, nuk u bënë bashkë aq sa për të thënë. Ata, as sa shqiptarët në Malin e Zi nuk janë bashkë. Nejse, këshilla të tilla vijnë zakonisht nga Tirana apo Prishtina zyrtare, vende ku “bashkimi” ka mbetur një emër i bukur që nuk ua vënë më as fëmijëve. Tirana, me atë parlamentin e përgjysmuar dhe përgazuar, që rrënon me sabah teatro e shpresë. Prinë fuqishëm me numrin e azilkërkuesve. Etj. etj. Kuku nënë, thotë Qosja. Kurse, Prishtina që nuk bëhet dot bashkë as kundër Covidit as kundër dreqit e të birit. Kuku nënë, prapë.
Është interesante kjo çështja e mandateve, përkatësisht numrit të tyre në parlamentin e Malit të Zi. Shqiptarët e partive të a.q. nacionale shqiptare më së shumti kanë fituar 4 (katër – prapë katër) mandate në odën më të lartë përfaqësive të Malit të Zi. E bukura është se, këtë e kanë arritur, në rastin më të mirë, kur kanë qenë të grupuar rreth një liste, pra bashkë, dhe në rastin tjetër kur kanë qenë të stërndarë, pra në katër lista (me sistem zgjedhor zonal, duhet thënë). Qytetari nuk besoj që e ka ndierë fort këtë hapërdarje numerike, megjithatë kjo tregon që politika, pikë së pari, është matematikë, është shkencë më vete. Kjo nuk ka pse të na pengojë që ta kthejmë filxhanin e kafesë përmbys.
Sipas matematikës, shqiptarëve në Malin e Zi, me këtë sistem zgjedhor, ju nevojiten 4000 vota për një mandat. Ideja që lista e përbashkët mund të grumbullojë 12.000 vota duket vetëm euforike. Në vitin 2016, tri listat shqiptare do të numëronin më pak se dhjetë mijë vota(<10.000). Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ishte lista e tretë shqiptare ajo që privoi një mandat deputeti, “dogji” më shumë se një mijë vota. Kjo listë e tretë mund të thotë për listën e dytë që “dogji” më shumë se tre mijë vota. Në këtë rast, faji është jetim, kurse djegia është evidente. Ja një diagnozë de-novo: Combustio electoralis gradus IV (shqip: djegie elektorale e shkallës IV). Prapë katër. Për këtë nuk u kujtua askush të kërkojë falje në këto katër vjet. E pse të kërkojnë falje, kështu funksionon demokracia, ne mbrujmë tharm demokracie!?
Në vitin 2020, kur me shumë gjasë, shqiptarët në Malin e Zi do të përfaqësohen me dy lista zgjedhore, duhet pasur kujdes dëmin e të tretit që në kësi dualitetesh funksionon mbi bazën e dëmit. Në këto kushte, lista e parë mund ta arrijë – aq sa mund ta rrezikojë një mandat deputeti. Lista e dytë (renditja është bërë në bazë të publikimit të koalicioneve) mund ta dëshirojë por nuk arrinë dot më shumë se një mandat deputeti. Matematika patriotike (!?) është e thjeshtë. Listë të tretë kësaj here nuk do të ketë, por dorë të tretë po. Dora e tretë mund të zgjedhë në mes të të qenit patriotike apo të qenit demo(N)kratike. Tharmi demokratik, megjithatë, duhet të ruhet. Në këso kohë krizash, mundet që bash ai na nxjerrë nga kriza. Bujrum tharm, bujrum!
Pavarësisht të gjithave, mbështes krijimin e një liste të përbashkët të partive shqiptare në Malin e Zi. Le të funksionojë, në rastin më të keq, sipas praktikës së ekstremeve ndarje-bashkim. Dmth, kësaj radhe me kah të kundërt, bashkim-ndarje: pas zgjedhjeve, dy koalicionet shqiptare le të funksionojnë si të ndara. Në këtë mënyrë sigurojmë numër maksimal mandatesh dhe kështu besoj do të mund të përmbyllej mentaliteti tridhjetëvjeçarë i spektrit politik shqiptar në Malin e Zi, që në zhargonin e këtyre ditëve, “imperativ” të kohës do duhej të kishte rifreskimin, reformimin dhe rishikimin e prioriteteve. Kjo, do të mund të niste prej shtatorit të vitit 2020, kur shqiptarët do të mund të guxonin të flijonin qeverinë për qytetarinë. Dmth, në vend të mandateve qeveritare, të merrnin mandate qytetare, dhe atë mandate mbi: punësimin, shkollat, spitalet dhe jetën kulturore. Asgjë më shumë e as më pak. Këto katër. Katër. Amen! Amin! Katër herë.
-Ti sikur do duhej të merreshe vetëm me mjekësi, – sa herë e zë veten në flagrancë tek i nënflas Çehovit.
Prishtinë, 27. korrik 2020.