Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

E ardhmja nuk ndërton veten, është e kaluara që ndërton të ardhmen, dhe ne jemi e ardhmja e së kaluarës. Është detyrë e virtytit që njeriu i përket atdheut dhe që për shkak të atdheut ai lind djem për ta mbrojtur atë.

***

Kam lindur dhe jetoj jashtë trojeve, por e di gjuhën amtare dhe ndihem si një prej jush. Pasi fillova të paraqitem në internetin shqiptar (2001) me shkrimet e mia, kam marrë periodikisht pyetje në forma të ndryshme nga njerëz të ndryshëm.

Disa prej tyre thjesht donin t’i bënin të rinjtë shqiptarë të ndjehen të irrituar, të tjerë ishin të bindur se vendit i duhej ndryshim, por nuk i kuptuan se cilat ishin qëllimet tona, dhe akoma të tjerë nuk besonin në të vërtetë se vendit i duhej ndryshim dhe menduan se “stabiliteti” ishte shumë i rëndësishëm, dhe se do të ishte e vështirë për të ndryshuar Shqipërinë pa hapur njëkohësisht një seri problemesh me të cilat nuk do të ishim në gjendje t’i zgjidhnim kurrë.

Mendova për këtë pyetje: “Çfarë dua unë si shqiptar?” Do të dëshiroja që këtë pyetje t`ia shtroj secilit prej jush, sepse jam i sigurt se problemet tona janë të ndryshme, edhe nëse ato kanë të njëjtin shkak.

Personalisht, do të doja të kisha mundësinë të dëgjohesha në vendin tim. Do të doja që të zgjedh kryetarin e shtetit dhe përfaqësuesit e parlamentit. Jam lodhur duke ndjerë që vota ime nuk llogaritet, dhe se mashtrimi elektoral bën që ajo të jetë e njëjta gjë pavarësisht nga ajo për të cilën unë votoj ose mendoj.

Nuk dua të vij në qendrën e votimit dhe të përshëndetem nga një turmë hajnash që thotë “Është në rregull. Ne kemi votuar tashmë në emrin tënd”. Do të doja që të kemi një demokraci të vërtetë, jo një demokraci të turpshme.

Unë do të doja që të ngrihemi kundër korrupsionit. Pse? A nuk janë paratë e popullit. Kur dikush bën vjedhje në shtëpinë tënde, a është e drejta jote të zbulosh se kush është, ta bëni që të kthejë atë që ka vjedhur si dhe të shihni se ai merr dënimin e duhur për veprën (krimin) që hajni ka kryer?

Do të doja që mësuesit të kultivojnë një dashuri të mirëfilltë të dijes dhe të mësuarit te nxënësit e tyre, jo vetëm aftësinë për të përsëritur informacionin. Do të doja që Ministri ynë i Arsimit të jetë një profesionist i ditur në sektorin e arsimit dhe që qeveria do ta mbështeste atë me një buxhet më të madh sepse arsimimi i gjeneratave të reja është shpresa jonë e vetme nëse duam ta zhvillojmë këtë vend. Ne i humbim përpjekjet (angazhimet) e njerëzve të talentuar sepse nuk kujdesemi për ata.

Do të doja që oficerët e policisë të ishin të njëjtë si ata që u portretizuan në kinema shumë kohë më parë, njerëz të respektuar me ndërgjegje të qartë që qëndronin me ndershmëri para Flamurit Kuqezi dhe Ligjit kur përdornin autoritetin e tyre, të përulur, por të vendosur. Ata nuk duhet të fyejnë njerëzit e varfër dhe të pafuqishëm por në të njëjtën kohë të tregojnë respekt të plotë për të gjithë ata që e meritojnë atë. Do të doja që ata t`i heqin të gjitha qelitë e fshehta të torturave në të gjitha stacionet e policisë, ku edhe ndodhin shumë “vetëvrasje”. Do të doja që Prokurori në Gjykatë të përfaqësojë vërtet popullin dhe të mbikëqyr Policinë.

Do të doja që ne të ndalemi së tërhequri fijet dhe të adaptojmë ligjet për t’i bërë dikujt një favor (joligjor). Nuk dua të di që djali i drejtuesit të një firme juridike është emëruar prokuror publik, edhe pse ai kishte marrë vetëm notën “mjaftueshëm” ose ka kryer vetëm shkollën fillore. Dhe as nuk do doja të dija që dikush bleu një copë tokë (për ndërtim-pranë plazhit) me një çmim qesharak të ulët vetëm pse ai ishte një mik i ministrit me të cilin dikur bashkarish vidhnin pulat e katundit.

Do të doja që ryshfeti të shihej si një veprim kriminal, i papëlqyeshëm për të gjithë ne. Dhe do të doja që njerëzit që kërkojnë ryshfet do të ishin ata që janë ndryshe nga shoqëria (qëndronin jashtë shoqërisë-hajnat), e jo anasjelltas.

Unë do të doja që autoritetet t`i kthejnë metodat e tyre të punësimit. Shumë punonjës publik me kualifikime të përsosura kanë ngecur në pozita joefektive (vende pune të papërshtatshme) dhe aftësitë e tyre profesionale janë ndryshkur me kalimin e kohës. E vetmja gjë që ata bëjnë tani (nga demoralizimi-zhgënjimi) është të lexojnë gazetat shkarravina të amatorëve dhe të vizitojnë çajtoret e llafeve të kota, nëse shkojnë fare në punë. Do të doja që njerëzit që punojnë shumë nuk do të merrnin kurrë aq pak lek në muaj – sepse ata duhet të shpenzojnë gjysmën e rrogës për transport – gjë që i detyron (nxitë) të pranojnë ryshfete, dhe që pastron (hap) terrenin për një shoqëri ku paligjshmëria është një pjesë e jetës.

Do të doja që qeveria të ndalojë trajtimin e të rriturve si fëmijë që mund t`i gënjejnë. Për shkak të kësaj, njerëzit kanë humbur të gjithë besimin në qeveritë, në atë masë që madje edhe lajmet e mira shpesh priten me mosbesim dhe akuza për komplot (veprime prapa shpinës).

Do të doja që shqiptarët të mund të trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë, pa ndarje në klasë, dhe që ne të ndalemi së lartësuari padrejtësisht disa njerëz si më të mirë se të tjerët. Është e vërtetë që ne u krijuam si të varfër dhe të pasur, por kjo nuk do të thotë që ne nuk mund ta trajtojmë njëri-tjetrin si të barabartë. Imagjinoni nëse do të mund të mësonim nga njerëz të vendeve tjera, ku një person që drejton një Mercedes të shtrenjtë është i barabartë me dikë që drejton një Fiat të vjetër. Askush nuk ka përparësi ose respektim më të madh në lidhje me të drejtat e njeriut. Arroganca godet njerëzit kur ndjehen se të tjerët u japin atyre një pamje më të lartë se sa meritojnë.

Unë do të doja që autoritetet të kuptojnë se pjesa më e madhe e të ardhurave të qeverisë janë paratë e taksave që vijnë nga popullata, dhe se pagat e një nëpunësi publik gjithashtu vijnë nga popullata. Prandaj, paratë që ju dhe unë i paguajmë çdo muaj kompanisë (d.m.th. qeverisë) janë të njëjtat para që paguan rrogën e tij. Atëherë ai mund të fillojë të veprojë si ai që ofron shërbime për njerëzit, dhe jo si eprorët e njerëzve. A keni thirrur ndonjëherë mbështetje teknike në një kompani të telefonisë celulare dhe jeni trajtuar si inferior? Jo, sepse e humbën klientin.

Do të doja që të shpëtojmë nga ajo e të qenit negativ dhe pasiviteti, dhe në raport me të huajt – inferioriteti. Pyes veten nëse ata (qeveritarët e korruptuar antikombëtarë) na e kanë mbjellë këtë me qëllim? Dhe nëse po, si vepruan? Ne jemi bërë një komb që varet nga gjithçka që bëjmë. Vetëm në informacionet negative jemi përpara kombeve të tjera. Por pse? Sepse të gjithë themi: “Kjo tokë u përket atyre. Le të digjet. Pse duhet të kujdesem? Unë nuk mund të korrigjoj gjithçka që është e keqe në vendin tonë, por ama mund të korrigjoj gjithçka që është e keqe në të gjithë botën”.

Unë do të doja që të mësojmë të kemi mendime të ndryshme, pa pasur nevojë të ndryshojmë njëri-tjetrin. Do të doja që ne, pavarësisht feve të ndryshme, të mund të trajtojmë njëri-tjetrin me respekt dhe të supozojmë se të tjerët kanë qëllime të mira, dhe të mos kenë frikë nga fantazma e grindjeve fetare mes nesh, për të cilën jemi mashtruar të besojmë se ekziston. Do të doja që të mund ta kuptojmë se të gjithë ne jemi shqiptarë, dhe që të gjithë kemi të drejta dhe detyrime të barabarta në botën tonë.

Do të doja që të mund ta duam njëri-tjetrin. Do të doja që të gjithë t’i lëmë mënjanë ndjenjat e dyshimit të pabazuar. Faktikisht nuk mund të jetë e vërtetë që kur dikush lufton për të arritur diçka të mirë për vendin e tij, ai duhet të jetë spiun ose i përkrahur nga forcat e huaja, ose, në rastin më të mirë, të ndjek famën. Pse hidhërimi, urrejtja dhe shikimi në më të keqen tek bashkëkombësit e tjerë ka mbizotëruar ndaj solidaritetit, besnikërisë, vëllazërimit, unitetit dhe besimit në më të mirën?

***

Kombet e mëdha gjithmonë kanë qenë të veshur si gangsterë dhe të vegjlit si prostituta.

Tokat tona na janë grabitur-copëtuar e pushtuar nga fqinjët gjakatarë me ndihmën e të mëdhenjve. Përveç vrasjeve masive, terrorit dhe gjenocidit na u rrëmbye edhe liria dhe pavarësia e Vendit. Do të doja që ëndrra e të gjithë neve të jetë ribashkimi, Shqipëria e vërtetë. 

Ajo që është patetike është të gërmoni kokën në rërë dhe të shpresoni që problemi do të kalojë nga vetvetja, në vend që të merrni disa përgjegjësi dhe të përpiqeni të ndihmoni në zgjidhjen e problemeve.

Meqë ra fjala(…) Është e drejta ime të jem në gjendje të ëndërroj dhe të përpiqem të ndjek ëndrrën time. Dhe, është e drejta jote të ëndërrosh dhe të përpiqesh të ndjekësh ëndrrën tënde. Nëse ndalemi së ëndërruari, të gjithë do të vdesim.

By admini