
(Prof. Dr Simë Dobrecit 1934-2020)
Nga Argëzon Sulejmani.
“Ikja e shtërgut” është novela atipike e Kadaresë që rreket të përshkruajë (për)jetësinë e poetit të madh shqiptar Lasgush Poradeci. Vjeshta e fundit e tre emnakëve qytet, liqen, poet vjen në një format romantik që lë shije fajësie, melankolie dhe pikëllimi.
“Ku do të nisesh, shtërg i madh, dhe ku do të na lësh ne, të gjorëve!?” (Kadare)
Amshimi i Prof. Dr Simë Dobrecit është ikje me peshë apokaliptike. Sikurse në rastin e Lasgushit, ku hija e poetit e tejmbulon qytetin, ashtu dhe në rastin e Prof. Simës, rrezja e veprimtarit e tejkalon Ulqinin (dhe Prishtinën).
Mjekësia dhe kombëtarizma humbën sot një tribun vështirë të zëvendësueshëm.
“Vdekja e njërit nga këto pleq mendimtarë
për ju do të ishte si djegia e një biblioteke.” (Sanghor)
Amshimi i Prof. Simë Dobrecit është ikje e tonit të një biblioteke, të një Biblioteke Kombëtare. Ju mbetet brezave tashmë që ta kërkojnë, studiojnë e zërojnë tonin dhe frymën e tij humane, akademike dhe përparimtare.
“Kujtesa është shumë e vlerësuar nga kulturat e mëdha, si rezistencë para rrjedhës së kohës.” (Sabato)
Prof. Dobreci thirrej në kujtesë e trashëgimi, në dije e mendimtari, në punë e humanizëm. Duke e njohur mirë valën dhe rrjedhën, ai nuk u tremb për asnjë çast para të vërtetave dhe fakteve, para djepit e varrit. Kështu, ai arriti të ngre një port dhe një ishull me emrin e tij, – vende ku mund të gjejnë paqe e dije të gjithë ata që refuzojnë jetën butake.
I vlerësuar me medaljen “Nderi i Kombit” nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, Prof. Simë Dobreci nuk mund të vdesë për sa të ketë nder e vlerë mbi këtë tokë e nën këtë qiell.
“Ku po nisesh, tribun i madh, dhe ku po na lë ne, të gjorëve!?”
LAMTUMIRË PËRULËSE, PROFESOR!