Nga Ismet Karamanaga

Legjenda e folklorit tonë

Si valltar i lindur, mjeshtër i vallëzimit dhe folklorit tonë burimor popullor, ndonëse pa shkollë, Rexhep Abazi ka mbetur ende sot i paarritshëm dhe i papërsëritëshëm. Ai ka qenë dhe ka mbetur unik dhe model për të gjithë ata të cilët sadopak duan ta kultivojnë folklorin popullor.
Talenti i pashtershëm dhe aftësia e tyre për të bërë muzikë në dasma dhe gëzime të tjera familjare, kultivimi i folklorit burimor popullor e kanë ngritur këtë fis dhe e kanë bërë të njohur jo vetëm në Ulqin, por edhe më gjerë. Lirisht mund të themi se ata e kanë ngritur në vendin e merituar folklorin, humorin dhe bejten te ne gjatë shekullit të kaluar.
Koha moderne dhe jeta e shpejtë, mendimet e përqendruara te biznesi, turizmi dhe përfitimi, na bën që shpesh ta harrojmë të kaluarën. Mendoj që ne nuk guxojmë t’i harrojmë kurrë personalitetet të cilët e kanë bërë të kaluarën tonë kaq të lavdishme, sidomos nëse presim që edhe pasardhësit tanë të na kujtojnë dhe mos të na harrojnë. Sepse vetëm duke i përkujtuar këto figura mund të arrijmë edhe respektin për veten në të ardhmen.
Qyteti ynë Ulqini mund të mburret me shumë njerëz të cilët nuk jetojnë më, por të cilët duhet t’i nxjerrim nga errësira, t’i kujtojmë duke shkruar për ta. Një ndër ata personazhe, emri i të cilit duhet të shkruhet me shkronja të arta në kulturën dhe trashëgiminë tonë, në veçanti të folklorit burimor popullor të shekullit të kaluar, pa dyshim është i ndjeri Rexhep Abazi. Ai është një ndër figurat më markante të shekullit të kaluar te ne, që meriton ta kujtojmë dhe mos ta harrojmë. Ka ndërruar jetë në vitin 2002, por ai do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e shumë qytetarëve të Ulqinit dhe më gjerë.
Mendoj se është mirë që gjeneratat e reja të njihen me personalitete siç ka qenë ai dhe disa të tjerë pasi që ata janë pjesa e trashëgimisë sonë të lavdishme, pjesë e jetës dhe kulturës sonë të shekullit të kaluar.
Të shkruash për Rexhep Abazin është një sfidë e madhe pasi që ai ka qenë një njeri i thjeshtë, i lindur në shekullin e kaluar, dhe i cili ka pasur një zanat, siç e kanë pasur shumë nga anëtarët e këtij fisi me një pedigre të veçantë nga qyteti ynë i bukur. Dyqani dhe zanati i trashëguar brez pas brezi nga të parët e tij, brisku dhe duart e arta kanë bërë që ky njeri si edhe shumë pjesëtarë të kësaj familjeje të bëhen të njohur në Ulqin dhe rrethinën e tij. Përpos punës së përditshme në “berberhane”, pothuajse të gjithë “Hamojt” kanë pasur shumë aftësi të tjera, të cilat e kanë karakterizuar këtë fis të njohur nga Ulqini. Talenti i pashtershëm dhe aftësia e tyre për të bërë muzikë në dasma dhe gëzime të tjera familjare, kultivimi i folklorit burimor popullor e kanë ngritur këtë fis dhe e kanë bërë të njohur jo vetëm në Ulqin, por edhe më gjerë. Lirisht mund të themi se ata e kanë ngritur në vendin e merituar folklorin, humorin dhe bejten te ne gjatë shekullit të kaluar.
Por nuk duhet të harrojmë se ata kanë qenë edhe mjekë popullorë dhe një gjë tjetër që nuk duhet lënë pa përmendur, deri para disa viteve kanë qenë ndër të rrallët dhe të fundit të cilët janë marrë edhe me synetllëkun e fëmijëve anembanë Ulqinit dhe rrethinës. Rexhep Abazi ka qenë protagonisti i fundit i kësaj mjeshtërie.
Ky është një shkrim i shkurtër kushtuar të ndjerit Rexhep Abazi me qëllim për ta kujtuar këtë personalitet, këtë burrë në kulm, këtë legjendë të artit dhe kulturës sonë. Qëllimi im është që t’i shkruaj disa rreshta për aktivitetin e tij në fushën e folklorit, si një ndër virtuozët e vallëzimit dhe folklorit tonë burimor popullor, i cili ndonëse pa shkollë e ka ngritur këtë art në nivelin më të lartë artistik. Rexhep Abazi, si valltar i lindur, si një mjeshtër i vallëzimit, ka mbetur ende edhe sot i paarritshëm dhe i papërsëritëshëm. Jam më se i bindur që i ndjeri Rexhep Abazi ka qenë një ndër artistët më të mirë të folklorit tonë në Ulqin, por edhe më gjerë. Ai ka lënë gjurmë të pashlyera dhe pa dyshim ka mbetur në kujtesën e popullit tonë përgjithmonë. Prandaj ky shkrim modest kushtuar të ndjerit Rexhep Abazi dhe përkujtimi i tij është një homazh i shkurtër, që ky njeri e ka merituar.
Edhe disa të dhëna nga biografia e tij. Rexhep Abazi rrjedh nga një fis me një pedigre të veçantë. Sipas Sabro Abazit, njërit prej pjesëtarëve të këtij fisi të njohur ulqinak, ka mundësi që të parët e tyre të jenë nga Kruja. Supozohet, pra, që “Hamojt” e kanë prejardhjen nga Kruja. Pas pushtimit të Krujës nga osmanët dhe vdekjes së Skënderbeut, Hamzaga largohet nga Kruja dhe bashkë me të afërmit e tij vendoset në Ulqin. Sipas Hamzagës, populli i ka quajtur “Hamoj”. Kështu që edhe unë dhe shumë qytetarë tanë flasin me simpati të madhe për këtë fis të lashtë nga Ulqini ynë.
“Hamojt” gjithmonë i ka karakterizuar një tipar i veçantë, që është trashëguar brez pas brezi, një humor i rrallë që ende sot ka mbetur te ne. Kështu që kur edhe ndokush tjetër bën humor dhe ka bërë humor për vetveten, thuhet që “je si me qenë ‘Hamoj’”. Ata gjithmonë kanë bërë humor në llogari të vetvetes, por u kanë thurur “thumba” edhe të tjerëve.
Përveç humorit, ky fis i njohur është marrë edhe me muzikë dhe shumë prej tyre kanë qenë moderatorët e parë dhe të pazëvendësueshëm në dasmat ulqinake dhe më gjerë. Këngëtarët dhe ahengxhinjtë e kohës ishin Osoja, Maliqi dhe Hakushi. Ende edhe sot ekziston thënia: “Venja veshin masllahatit, si ka thënë Maliqi i Dautit”.
Prandaj nuk është për t’u çuditur që edhe Rexhepi është marrë me muzikë, humor, bile sipas meje Rexhepi ka arritur që të jetë në majen e kësaj piramide. Natyrisht, sot është vështirë të krahasohet koha e veprimtarisë së pjesëtarëve të mëparshëm me kohën e Rexhepit, i cili ka pasur mundësi që nëpërmjet mediave të jetë më i pranishëm. Sidoqoftë, Rexhep Abazi këtë mjeshtëri të trashëguar nga të parët e tij e ka ngritur në një nivel më të lartë. Nuk duhet të harrojmë se “Dasma ulqinake” me “Rexhep Agën” (Rexhep Abazin) në krye ende edhe sot ka mbetur sinonim i folklorit dhe i muzikës sonë popullore. Ajo luhet edhe sot në të gjitha skenat kudo në trevat shqiptare.
“Hamojt” ishin dhe mund të thuhet se ende edhe sot janë ata që e kultivojnë këtë pasuri popullore te ne. Këtë trashëgimi sot e vazhdon edhe Munibi, i biri i Rexhepit.
Kur flitet për Rexhepin duhet të përmendet edhe babai i tij Jenuzi. Ai ka qenë një individ i rrallë, i cili është marrë me mjekësi popullore. Akoma sot flitet për veçoritë e tij. Kurse në përgjithësi, të gjithë anëtarët e këtij fisi kanë kryer ceremoninë e “synetisë”, me të cilën janë marrë deri vonë. Më duket që nuk gaboj se i fundit që është marrë me synetllëk ka qenë pikërisht Rexhepi. Këtë zanat e kanë ushtruar deri në perfeksion. Janë quajtur “berberbashë”. Edhe sot bile këndohet kënga e tyre “Berberbash të lumtë dora, na i bane djemtë si molla.”
Prandaj, një njeri i thjeshtë siç ka qenë Rexhep Abazi ka pasur shumë cilësi dhe vlera të rralla artistike, por edhe njerëzore. I thjeshtë, gjithmonë elegant i veshur me kravatë, me një të ecur karakteristike, ka mbetur i papërsëritëshëm. Gjithmonë i qeshur dhe asnjëherë askush nuk ka mundur ta vërejë që edhe ai ka mundur të ketë probleme private dhe të tjera. Është një kuriozitet që një njeri i madh, siç ka qenë ai, ka “martuar” dy motra dhe katër vajza, dhe askush nuk ka mundur ta vërejë se sa e vështirë ka qenë të rregullohen të gjitha këto martesa. Gjithmonë i ka bërë dasmat pa i munguar asgjë dhe pa lënë asgjë “mbrapa”, siç thotë populli ynë.
Bile ka mbetur në kujtim fjala e tij “peca” për disa rroba të tepruara që kanë qenë pjesë e pajës së vajzës, si pjesë e traditës sonë, për të cilat shpeshherë është dashur të shkohet në Itali apo ndokund tjetër për t’i blerë. Të gjitha këto ai i ka bërë dhe i ka përballuar me humor, gjithmonë me buzë në gaz. I tillë ka qenë ai. Kam pasur nder të rri shpesh me të në kafenenë “Bonita” dhe jam dëshmitar i këtyre vetive të veçanta të këtij njeriu të jashtëzakonshëm.
Rexhep Abazi ka lënë gjurmë të pashlyera si artist. Mjeshtëria e vallëzimit të tij ka mbetur gjithmonë në kujtesën e të gjithë atyre që kanë pasur rast ta shohin “Dasmën ulqinake” në koreografinë re tij. Ceremonia e marrjes së nuses, vallëzimi dhe kënga “Nën hije të limonit” në koreografinë e tij jam i bindur se askush tjetër nuk do ta luajë dhe interpretojë kurrë si ai. Në secilin hap, lëvizje, fjalë, në të qeshurin dhe mimikën e këtij artisti të madh popullor janë vërejtur vetitë e shkëlqyera të një artisti të lindur.
Një valltar i tillë, një talent i pashkolluar rrallë mund të lindë. Sipas mendimit tim, Rexhep Abazi ka qenë dhe ka mbetur unik dhe model për të gjithë ata të cilët sadopak duan ta kultivojnë folklorin popullor.
Trashëgimtarët e tij mundohen sadopak ta mbajnë gjallë nivelin e “Dasmës ulqinake” duke iu falënderuar të birit tij Munibit, i cili në gjene dhe gjak pa dyshim ruan gjenin e fortë të babait të tij dhe në përgjithësi të tërë kësaj familjeje.

Temë nga projekti “Shkruaj, lexo dhe fol shqip”, një pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini