Nga Gladiola Jorbus

Ibrahim Berjashi, modeli i një poeti që me talent e konseguencë rrezaton fuqishëm me një sërë botimesh, ku gjejmë thesarin e shpirtit njerëzor dhe triumfin e së mirës mbi të keqen. Ai me të drejtë synon të meritojë emrin Ikonë e letërsisë shqipe për fëmijë.

Poezia për fëmijë e këtij autori synon të edukojë dëgjimin dhe leximin e teksteve poetike, përmes të cilëve vocërrakët mund të zbulojnë aspektet fonetike dhe vizuale të poezive, të reflektojnë mbi kuptimin e fjalëve dhe lidhjen që qëndron mes tyre. Poezia shpreh emocione dhe ndjenja përmes një gjuhe origjinale, të përfshirë në tekst duke evokuar imazhe dhe tinguj familjarë në figura të dashura për ta si: delfini, deti, pelikani, varka etj.

Poeti kupton se kur shkruan poezi, lind dhe paradoksi i madh. Nuk shkruhet ajo që ti di, por ti fillon të dish, kur nis të shkruash. Poezia është vetëdije, zgjim,rikthim; ajo gëlon, formësohet, kërkon të flasë dhe ngarkesat emocionale duan vazhdimisht hapësira të reja për t’u shprehur. Ndjesitë e harruara, për të mos thënë të harruara, rikthehen në jetë, kur ne bëjmë pikërisht këtë udhëtim brenda vetes. Dhe poeti Berjashi e realizon më së miri këtë.

Poezia e këtij autori të bën më të ndjeshëm, më të dëlirë, më vulnerabël; është si një lloj procesi krijimi ku poeti shfaqet si një lloj perëndie krijues, kompozon fjalë të unifikuara nga tingujt e muzikaliteti.

Poezia e Berjashit është liri, pavarësi, dashuri, nuk njeh limite; poeti misionar, poeti që shkrihet për të dhuruar dritë si qiriri naimjan, poeti që ushqen me gjakun krijues lasgushian – nositët e tij lexues.
Për të shkruar një poezi të çiltër, të bukur, të ndjerë nuk të shërbejnë as diplomat, as titujt shkencorë, as studimet akademike; mjafton thjesht të dish, të njohësh veten, (siç shprehej dhe Sokrati shekuj më parë) e më pas të deshifrosh sekretet e fshehura në meandret e shpirtit.

 Poeti Berjashi rrëmon gjithçka, shfaqet herë shenjtor, herë profet, sheh me sytë e shpirtit, ka intuitë artistike, është një medium që frymëzon, shëron, rrëfen, parandjen, endet në hapësirat e lirizmit, mih fjalën, kadencën, vargun, poezinë vetë.

 Çdo poet mbart gurgullimën e vendlindjes brenda zemrës dhe vargjeve të veta; dhe poeti ulqinak Ibrahim Berjashi e end poezinë në pëlhurën e çmueshme të gjuhës shqipe duke na bërë të kuptojmë se poezia është zëri i botës, një lashtësi pa kronologji apo siç shprehet Octavio Paz: “Meriton atë që ëndërron”, kurse unë do të deduktoja se “Duhet të shkruajmë bukur, që të ndihemi bukur, e kështu do të jetojmë më bukur”.

By admini