Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA ka publikuar këto ditë rezultatet e vitit 2018. Rezultatet e vendeve te ballaknit nuk janë të mira. Rezultate të mira kanë shënuar Sllovenia, Kroacia. Mali i Zi ka rritje ndërsa Shqipëria ka rënie krahasuar me rezultatet e vitit 2015. Në këtë renditje keq qendrojnë Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Në vendin e parë në botë janë shkollarët nga Kina, Singapori, Makao, Hong Kongu ndërsa nga vendet evropiane, rezultate më të mira kanë treguar nxënësit e shkollave të mesme në Estoni duke u radhitur në vendin e pestë.
PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite. PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 80 shtete. PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që ju është ligjëruar, por gjithashtu vlerëson nëse studentët mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë. Pra, ky studim mundëson krahasimin ndërkombëtar të vlerësimit të arritjes së studentëve, vlerëson dijen e lidhur me situata reale, ashtu si përgatitjen edhe aftësitë për pjesëmarrje në shoqëri. PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore duke u bazuar në rezultatet e këtij studimi.
Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës. Në secilin cikël të PISA-s, një nga fushat është në fokusin kryesor të vlerësimit, pra është “fusha kryesore”.