Letërsia shqipe që krijohet dhe botohet në Mal të Zi si pjesë e korpusit të letërsisë shqiptare,është një realitet letrar i cili kërkon një vëmendje më të shtuar për ta njohur si proces, për shkak te rrethanave për të cilat do të flasim më tej në këtë artikull. Ky konstatim vlen jo vetëm për letërsinë që krijohet në bashkëkohësi, por edhe për traditën dhe rrjedhat e historisë së kësaj letërsie. 

Kur flasim për këtë letërsi është e pritshme të lindin pyetje të tilla si: Sa letërsi shqipe krijohet në Mal të Zi? Kur ka filluar të shkruhet dhe të botohet kjo letërsi? Cilët janë shkrimtarët kryesorë dhe veprat e tyre? Cilat janë revistat letrare dhe hapësira e saj krijuese dhe botuese sot. Cilat janë elementet dalluese të saj.
Ne do të paraqesim autorët dhe veprat e saj duke u nisur nga disa pika të cilat i konsiderojmë si më të rëndësishmet për ta njohur dhe kuptuar procesin letrar të kësaj letërsie duke filluar nga
Botimet e para, shkrimtarët shqiptarë në Mal të Zi, shkrimtarët që krijuan dhe jetuan në Kosovë dhe diasporë, roli i shoqatave botuese, ndryshimet e dhjetëvjeçarit të fundit, topika e letërsisë shqipe në Mal të Zi etj

Liridona Sinishtaj
-Shkrimet e para autorët i kanë botuar në periodikë të ndryshëm në Kosovë (Jugosllavinë e atëhershme), për arsye se në Mal të Zi s’kishte hapësira botimi në gjuhën shqipe.
Në Mal të Zi fillon të botohet me themelimin e revistës“Koha” (Redaktor ka qenë Gjergj Gjokaj, deri në mbylljen e saj (1978-1989). Botohej një herë në dy muaj, gjatë 11 viteve ka botuar 54 numra) në vitin 1978, ku përveçse promovoheshin krijuesit shqiptarë të Malit të Zi, botoheshin edhe përkthime nga letërsia e huaj.
Për arsye të mungesës së institucioneve dhe shtëpive botuese, deri në vitin 1990-1991, vit në të cilin themelohet Shoqata e Intelektualëve dhe Artistëve “Art Club” nga poeti Basri Çapriqi, botohej vetëm në revista, ndërsa botime si libër bëheshin në kuadër të bibliotekave shkollore, kryesisht për t’i motivuar krijuesit e rinj.
Për përcaktimin e veprave të para shqipe të botuara në Mal të Zi e kemi pak të vështirë, për arsye të mungesës së studimeve sistematike, por sipas kërkimeve në revistën “Koha”dhe sipas listës së botimeve të “Art Club-it”, autorët dhe veprat e para që botohen në Mal të Zi janë: Nol Berisha me vëllimin Fijet që lidhin kohën, Ibrahim Berjashi me Lule prej guri të botuara në revistën “Koha-Pobjeda”, Hajro Ulqinaku Fëmijëria në bregdet (Tregime, Koha, Titograd (Podgoricë 1983), Anton Berishaj me Lule mëngjesi (Podgoricë, 1986), Asllan Bisha Nusja e detarit (prozë për të rritur , “Art Club”,Ulqin, 1994, e ribotoi Toena, Tiranë, 2003), Dasma e peshqve (tregime për fëmijë, “Art Club”,Ulqin, 1996 ), Suzana Llolla Gruaja e Zezë (Art Club, Ulqin, 1995), kurse Ali Llunji me dramën Lugu i Xhemiles (“Art Club”, Ulqin,1998 ).

Pas vitit 2000 kemi rritje të numrit të botimeve dhe lëvrimin e romanit nga Fran Camaj, Anton Gojçaj, Anton Gjuravçaj, Mark Lucgjonaj dhe Edita Nimanbegu, disa nga autorët veprat e tyre i botojnë në Shqipëri, kjo është shënje e vendosjes së komunikimit letrar dhe kërkesës për një lexues përtej kufirit.
-Shkrimtarët shqiptarë në Mal të Zi më përfaqësues janë Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, Fran Camaj, Haxhi Shabani, Anton Gojçaj, Anton Gjuravçaj, Hajredin Kovaçi, Lumnije Hoxha, Suzana Llolla, Rrok Gjolaj, Nikollë Berishaj, Syme Kokaj, Mark Lucgjonaj, Argëzon Sulejmani, Flutur Mustafa,Gazmend Çitaku etj.
Do të veçonin disa me veprat e tyre si Anton Gojçaj me romanin “Passio”, i cili krijon romanin e intertekstit biblik dhe gjuhës simbolike të ëndrrës;
Fran Camaj, me romanin sagë rrëfen historinë e dhimbshme të mërgimit të malësorëve në Amerikë;
Haxhi Shabani, me “Vizatim hënor me shkëlqim yjësh”krijon një trekëndësh topikash të trishta të unit lirik;
Hajredin Kovaçi, me “Zhdukja e heshtur”është shqetësimi për humbjen e identitetit gjatë kërkimit të tij;

Mark Lucgjonaj, me “Fshati i heshtjes” është personifikimi i banorëve të tij. Të gjithë janë të ftohtë, fjalëpakë, të gjithë dinë gjithçka dhe asgjë. Ftohtësia dhe zymtësia e fshatit është e njëjtë si e njerëzve; ata janë njerëz të fortë si malet që heshtin, që kanë forcë të fshehin historitë e tyre të vogla, që brenda mbajnë tragjedi njerëzore të mëdha.
-Rast për t’u veçuar janë edhe autorët shqiptar nga Mali i Zi që jetojnë (ose kanë jetuar) dhe botojnë në Kosovë dhe diasporë si: Esad Mekuli, Nol Berisha, Rexhep Qosja, Idriz Ulaj, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Anton Berishaj, Ndue /Nokë Sinishtaj, Jaho Kollari etj. Disa nga këta autorë janë pjesë e autorëve më të mirë të letërsisë shqipe, në këtë mënyrë ata janë marrë si modele shkrimi. Mund të themi se mungesa e tyre në krijimtarinë dhe jetën intelektuale në Mal të Zi ka shkaktuar një boshllëk kulturor.
-Sot kjo letërsi ka dy qendra ku krijohet dhe botohet: Tuz dhe Ulqin.Në Tuz (Malësi) më parë ka pasur edhe disa shoqata botuese përveç revistës “Koha” që krijonin hapësira për botime si “Illyricum” dhe “Jehona”, ndërsa sot është vetëm një revistë “Malësia”.Ulqini si qendër më e madhe vazhdon të botojë, dhe çdo ditë e më shumë krijon hapësira të ndryshme për botimet letrare dhe jo vetëm. Duke filluar nga Shoqata“Art Club” me drejtues Ismet Kallaba, “DITI E OLI”, me botues Gazmend Çitakun, i cili mbështet krijuesit e rinj. Revistat: “Lemba”, “Dija” dhe “Buzuku”të cilat promovojnë zhvillimin e letërsisë dhe kulturës shqipe në Mal të Zi.

-Për një kohë të gjatë nga viti 1978 deri 2010 ishin një grup autorësh të përhershëm që krijonin dhe njiheshin, sot kjo gjë ka ndryshuar. Sot, kemi disa shkrimtarë të rinj si në krijimtari ashtu edhe në moshë si: Argëzon Sulejmani, Mark Lucgjonaj, Flutura Mustafa etj., që janë zë i ri i domosdoshëm për zhvillimin e kësaj letërsie.
Këta zëra të rinj kanë sjellë risi duke krijuar një tiplogji të re të rrëfiminit në prozë një tipar i cili vlen të përmendet është marrëdhënia me historinë e cila kryesisht nuk rrëfehet më si “fakt”, por ajo tashmë kalon në intertekst.
Në poezi vërehet që poetët janë më të orientuar kah lirikës, uni i tyre lirik ka rigjetur rrugën te vetvetja dhe poezia e tyre bëhët gjithnjë e më pak referenciale, duke u shkëputur kështu nga historia apo figurat historike. Pra, me një fjalë, krijuesit e pas vitit 2010 janë përpjekur të krijojnë një model tjetër shkrimi në raport me ato që më lart i quajtëm si periudha apo faza të zhvillimit të letërsisë shqipe në Mal të Zi.
-Element dallues në të gjithë korpusin e kësaj letërsie është prania e topikës së vendlindjes. Kjo topikë në rrugëtimin e saj letrar na vjen në disa forma si: rrëfim për vende reale, si mall për vendlindjen, si figura historike të cilat përmes traditës, fesë, vendlindjes dhe një sërë tiparesh të tjera ndërtojnë vlera estetike duke individualizuar dhe universalizuar në të njëjtën kohë këto vepra.

-Pas kësaj kësaj paraqitjeje informuese, besojmë se secili ka mundësinë që të krijojë tablonë e vet lidhur me këtë letërsi dhe botimet shqip në Mal të Zi. Ndoshta të bëjë edhe pyetjen çfarë mungon, cili është hapi tjetër i saj. Ne mendojmë se nevoja për një bibliografia të letërsisë shqip në Mal të Ziështë një hap i domosdoshëm për shkak se ende nuk ka një studim integral dhe as një bibliografi ekzistuese mbi të cilën të punohej për ta plotësuar dhe përditësuar atë, nevoja për hartimin e bibliografisë së parë për këtë letërsi bëhet gjithnjë më e ngutshme.
Kjo ekzistencë bibliografike bëhet edhe më e rëndësishme për letërsitë jo shumë të njohura, siç është kjo, prandaj pasja e një bibliografie është hapi i parë drejt receptimit të saj jashtë këtyre përcaktimeve gjeografike lokale.

Projekti ”Të lexojmë shqip” është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini