“Kur dua të kuptoj se çfarë po ndodh sot apo të përcaktoj se çfarë do të ndodhë nesër, atëherë shikoj prapa” – Omar Khayyam-i

 Ndryshimi i strukturës kombëtare të vendbanimeve shqiptare në Mal të Zi,qëllim i përhershëm i pushteteve sllavo- malazeze!

      Dihet tashmë se aspiratat dhe tendencat pushtuese të sllavëve ndaj territoreve me popullsi shqiptare në hapësirën ballkanike kanë qenë të bazuara në elaboratet dhe projektet e tyre të shumta të cilat kanë pasur për qëllim, fillimisht për dëbimin e shqiptarëve e më pas kolonizmin e trojeve të tyre me popullsi sllave. Prej një distance kohore  prej një shekulli e gjysëm me urdhër dhe me aprovimin e shtetit zyrtar të Serbisë,u përpunuan më shumë se 20 plane të tilla . Po përmendin vetëm disa,ata më famëkeqet: “ Naçertania” (Projekti) e Ilia Garashaninit e vitit 1844,duke vazhduar me ate të Vasa Çubriloviqit me titull “Iseljavanje Arnauta” (Shpërngulja e Shqiptarëve),e vitit 1937, “Elaborati për Shqipërinë” i Ivo Andriqit i vitit 1939 (i cili në at kohë ishte z/ministër i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene),deri te “Memorandumi” i Akademisë e Arteve dhe Shkencës së Serbisë i vitin 1985  i cili u zyrtarizua me ardhjen në pushtet të diktatorit Slobodan Millosheviq dhe kishte  për qëllim krijimin e “Serbisë së Madhe “ në dëm të territoreve të popujve të tjerë që jetonin atëherë brenda Federatës së Jugosllavisë.

      Planet dhe projektet antishqiptare të lartpërmendura kanë lën pasoja të rënda në aspektin e zbrasjes së trojeve etnike shqiptare,asimilimin dhe çkombëtarizimin e banorëve autokton shqiptar dhe efektet e këtij gjenocidi po i shohim gjithënjë në ditët e sotme. Shembulli më i mirë i kësaj janë trojet etnike shqiptare nën Mal të Zi.

Plava dhe Gucia në vitin 1908 ka pasur 82.5% banorë me përkatësi kombëtare shqiptare, kurse sipas regjistrimeve të fundit të vitit 2011, shqiptarët përbëjnë vetëm 19.69% . Kurse Rozhaja,poashtu në vitin 1908 kishte 86.5% shqiptarë,kjo përqindje në vitin 2011 bjen në rreth 5%.

      Edhe Ulqini ka pasur një histori të ngjajshme, dhe tentime që t’i ndryshohet struktura kombëtare e këtij qyteti të lashtë iliro-arbnor . “Kur i’u dorëzua Malit të Zi (nëntor 1880), qyteti me rrethinë kishte rreth 7000 banorë dhe Ulqini ishte tërësisht qytet shqiptar dhe të gjithë udhëpërshkruesit e vjetër thonin se atje flitej gjuha shqipe, shkruan në librin e tij ‘’Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881 – 1912’’ mr. Riza Rexha.Poashtu në të njëjtin libër, vetë princ Nikolla i cili viziton Ulqinin pas aneksimit të tij nga ana e Malit të Zi, në gusht të vitit 1881, konstaton: ‘’Kur kalova Mozhurrin duke ardhur nga Tivari, u takova me një popull tjetër si për nga gjuha ashtu edhe për nga feja. Tërë qyteti dhe rrethina ishte e banuar me shqiptarë të fesë islame dhe katolike. Banorët e Ulqinit me rrethinë, në tërë hapsirën nuk flisnin ndryshe,vetëm shqip’’ ( Mr. Riza Rexha: “Ulqini dhe Politika e Malit të Zi 1881-1912 “, faqe 27).

      Gjithashtu,sipas të dhënave të kohës Tuzi (sot qendër e Malësisë),në vitin 1908 ishte i banuar me popullsi 100% me përkatësi kombëtare shqiptare,kurse sipas regjistrimeve të vitit 2011,shqiptarët përbëjnë rreth 50% të popullsisë.

      Pra, derisa gjymën e shekullit XIX dhe mbarë shekullin XX e karakterizon dhuna, vrasjet,masakrat si metoda kryesore për dëbimin,asimilimin ,çkombëtarizimin e shqiptarëve, nga regjimet e ndryshme sllave, sot në shekullin XXI, ndonëse kanë ndryshuar metodat,qëllimet vazhdojnë që jenë gjithënjë të njëjta ndaj asaj pjese të popullsisë që jetojnë në trojet shqiptare që kanë mbetur jashtë kufijëve politik të Shqipërisë dhe Kosovës ,pra në Serbi (Lugina e Preshevës), Maqedoni (Iliridë), me një theks të veçantë në trojet etnike shqiptare nën Mal tëZi. 

Vazhdon procesi i tkurrjes demografike të shqiptarëve në Mal të Zi

      Me qëllim që të shihet se procesi i tkurrjes demografike,çkombëtarizimit dhe i asimilimit të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Mal të Zi vazhdon gjithënjë edhe në ditët e sotme, duhet bërë një analizë e shkurtë e disa të dhënave demografike  të periudhës së post-monizmit,pra gjatë periudhës së sistemit shumëpartiak .

     Për këtë arsy,në këtë analizë, përmes ilustrimeve, do të merrën për bazë tre regjistrimet zyrtare të Entit Statistikor të Malit të Zi që janë mbajtur gjatë kësaj periudhe, pra ai i vitit 1991, 2003 dhe 2011.  

    Në vitin 1991 shqiptarët përbënin 6.57 % të popullsisë së Malit të Zi (apo 40,415 banorë), në vitin 2003 përbënin 7.09%,(apo 47,682 banorë)  duke përfshirë edhe shqiptarët në botën e jashtme, kurse në vend (pra pa disaporën) ata përbënin 5.03% të popullsisë ( apo 31.163 banorë). Dhe në regjistrimet e fundit të vitit 2011 shqiptarët përbëjnë 4.91% ( apo 30,439). Regjistrimet e vitit 2003 ishin të vetmet regjistrime të cilat numruan edhe pjesëtarët e diasporës.

    Për hir të argumentit do të bëjmë krahasimin e shifrave vetëm të numrit apo përqindjes së popullsisë shqiptare në vend, pra pa llogaritur kësaj radhe ata që jetojnë në botën e jashtme,me qëllim që të përfitojmë një pasqyrë të qartë të zhbërjes demografike apo shpopullimit të shqiptarëve në këtë republikë. Sipas të këtyre të dhënave për 20 vite me radhë (1991-2011),numri i shqiptarëve pësoi një rënie prej 2.18% apo me shifër prej 17,243 banorëve.

Shqiptarët si popullsi autoktone gravitojnë në gjashtë komuna të Malit të Zi; Ulqin, Tivar, Podgoricë, Plavë, Guci dhe Rozhajë. Pasi që Tuzi fitoi statusin e komunës së pavarur në vitin 2018 dhe si komunë e tillë duhen pritur të dhënat e  regjistrimit të radhës në të ardhmen, në ndërkohë do të shfrytëzojmë të dhënat e tanishme që kemi në dispozicion, pra shifrat statistikore të Tuzit në kuadër të komunës së Podgoricës.

Në ilustrimin e mëposhtëm janë bërë krahasimet e regjistrimeve të popullsisë në mes vitit 1991 dhe 2011 me qëllim që të vërehen ndryshimet e përqindjes së popullsisë shqiptare gjatë  periudhës 20 vjeçare.

Në Komunën e Ulqinit ka pas rënie prej 1.8%, të Plavës 2.9%, të Tivarit prej 6.6%, të Podgoricës prej 3.4%, kurse në Komunën e Rozhajës ka pasur rritje prej 1.1%. Rënia më e lart e popullsisë shqiptare është në Komunën e Tivarit,në përbërjn e së cilës gjindet treva e Krajës. Kurse rritja e përqindjes së popullsisë shqiptare në Komunën e Rozhajës nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka ardhur deri te rritja e numrit të shqiptarëve në këtë komunë,por mund të shpjegohet me faktin se ka pasur rritje të numrit të atyre banorëve të cilët janë deklaruar si shqiptarë në regjistrimet e vitit 2011 në krahasim me ato të vitit 1991.

Tani të analizojmë të dhënat statistikore të ndryshimeve të strukturës kombëtare në komunat ku banojnë shqiptarët. Siç u përmend më lart popullsia shqiptare në Komunën e Ulqinit ka pësuar një rënie prej 1.8% gjatë periudhës 1991-2011. Derisa përqindja e popullsisë malazeze ka qëndruar e njëjtë gjatë kësaj periudhe, vërehet rritja e përqindjes së popullsisë myslimane/boshnjake prej 1.62%. Vlen të përmendet se në vitin 1991 boshnjakët nuk kanë egzistuar si kategori etnike (kombëtare).

Popullsia serbe përafërsisht ka mbetur e njëjtë,duke pasur parasysh faktin se në regjistrimet e vitit 1991 një pjesë e konsiderueshme e tyre janë deklaruar si jugosllavë, pra një përkatësi kombëtare e cila për shkaqe objektive, nuk ka egzistuar në regjistrimet e vitit 2011.

Në Komunën e Podgoricës,ku përfshihet treva e Malësisë me kryeqendrën e vet Tuzin, popullsia shqiptare për një periudhë 20 vjeçare ka pësuar rënie prej 3.27%.Derisa shifra prej 3.27% mund të mos duket si shifër e lartë,vlen të shikohet përqindja e rënies së popullsisë shqiptare në kuadër të territorit të Malësisë e cila është tepër shqetësuese. Prej vitit 1991 e deri në vitin 2011 shqiptarët në këtë territor kanë pësuar rënie të popullsisë prej 24.3%. Është evidente se në rënien e numrit të shqiptarëve ka ndikuar shkalla e lartë e emigrimit të tyre në botën e jashtme, dukuri kjo e cila është karakteristikë  e të gjitha trevave ku banojnë shqiptarët.

      Gjithënjë sipas regjistrimeve zyrtare,numri i popullsisë boshnjake në Tuz mes dy regjistrimeve të popullsisë, pra prej vitit 2003-2011 ka pasur rritje për 461 banorë apo 43.90% çka është një rritje e madhe dhe tëpër shqetësuese për një vendbanim i cili historikisht ka qenë i banuar me shumicë absolute shqiptare. Kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë duke pasur parasysh se që gjatë kësaj periudhe në këtë trevë kanë ardhur banorë nga viset e tjera të Malit të Zi dhe kanë ndërtuar shtëpi banimi në mënyrë ilegale .

  

Për Plavën,siç u thek su edhe më lart, në fillim të shekullit 20-të ishte me përqindje absolute shqiptare, kurse sot shumicën e kësaj komune (rreth 55 % të popullsisë) e përbëjnë boshnjakët dhe myslimanët, në damarët e të cilëve rrjedh gjaku shqiptar dhe që tjetërsimi i tyre kombëtar është rrezulltat i  politikës së asimilit të vazhdueshëm të shqiptarëve nga ana  pushteteve (regjimeve)  të ndryshme jugosllavo-serbo-malazeze.

    Siç tregon edhe ilustrimi i mëposhtëm, Komuna e Plavës për një periudhë 20 vjeçare (pra prej vitit 1991-2011) ka pësuar një rënie prej 1.38% .

      

Kur shikohet përqindja e popullsisë shqiptare në komunën e Tivarit janë parasysh shifrat e vendbanimit të Krajës, e cila është pjesë administrative e kësaj komune.Siç shihet nga ilustrimi i mëposhtëm,pëqindja e popullsisë shqiptare në komunën e Tivarit,përkatësisht Krajës,brenda një

periudhe 20 vjeçare, ka pësuar një rënie prej 6.4% . S’ka dyshim se faktori kryesor i cili ka ndikuar në mënyrë drastike në rënien e numrit të popullsisë të Krajës,ashtu si edhe të vendbanimeve  të tjera me popullsi shqiptare në Mal të Zi,ështe emigrimi në botën e jashtme,posaçërisht në SHBA.

Procesi i ndryshimit të strukturës kombëtare kalon nepër  tre faza kryesore:

1)Përmes ushtrimit të presionit ndaj popullsisë vendase në shpërnguljen e tyre. Ky presion sot bëhët në formë politike dhe ekonomike. Presioni politik ndodh atëherë kur pushteti punëson individ në baza partiake,pra kur punëson anëtarë apo simpatizusit e partisë në pushtet (PDS) duke i konsideruar të tjerët si të “papërshtatshëm”. Kjo vjen në shprehje posaçërisht në sferën e arsimit me ç’rast drejtorët e shkollave dhe këshillave drejtuese të institucioneve arsimore zgjidhen kuadrot e Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS). Për të gjithë të tjerët të cilët e kanë vështirë që të punësohen,nuk iu mbet gjë tjetër përveç që të marrin rrugën e mërgimit.

Kurse presioni ekonomik ndodh atëherë kur pushteti nuk investon në trevat shqiptare çka ndikon në mospërspektiven e banorëve e cila gjithashtu rrezulton në emigrimin e tyre në botën e jashtme. Vetë statistikat e Malit të Zi dëshmojnë se trevat ku shqiptarët jetojnë me shumicë, janë trevat më të pazhvilluara, janë trevat ku investohet shumë pak apo aspak, janë trevat ku përqindja e papunësisë është më e lart, janë trevat ku ( për ata të cilët punojnë) kanë pagat më të ulta mujore dhe si pasojë e këtyre rrethanave, këto treva kanë përqindjen më të lartë të emigrimit të popullsisë. Një faktor tjetër i cili

ka lën pasoja të rënda në ekonominë e vendbanimeve shqiptare ka qenë procesi i privatizimit të ndërmarrjeve gjatë periudhës post moniste të cilat dikur operonin me sukses dhe punësonin shumë banorë . Po marrim vetëm një shembull .Portali informativ në gjuhën malazeze “Vijesti” e datës 6 Shkurt 2013 lidhur me privatizimin e objekteve (ndërmarrjeve) ekonomike në Ulqin shkruan: “ Pas shumë potezave të gabuara të cilat e kanë sjelll qytetin  faktikisht në shkopin e të varfërit,sepse privatizimet në Ulqin kanë lënë pa punë më shumë se 3.000 punëtorë ,në qytetin i cili numron rreth 20.000 banorë”;

 2) Pas fazës së shpërnguljes së banorëve autokton ,atëherë pason faza e  ndryshimit të  strukturës kombëtare,e cila realizohet përmes vendosjes së pjesëtarëve të  kombësive të tjera në vendbanimet me popullsi shqiptare,pra kolonizimi i këtyre trevave me popullsi joshqiptare. Shembull tipik i kësaj dukurie është Dheu i Zi në Komunën e Tuzit.Shtrohet pyetja se pse pushteti malazez nuk i vendosi banorët e  kombësisë boshnjake apo myslimane p.sh. në  qytetet e Bijello Polës apo Berane, pasi që aty jeton një përqindje e konsideruar e kombësisë boshnjake (myslimane) dhe adaptimi i tyre me rrethin e ri shoqëror do të ishte më i lehtë duke pasur parasysh se ata  ndajnë  gjuhën, kombësinë dhe religjionin e përbashkët me vendasit e atyre  vendbanimeve. Në rastin e Malësisë,ardhacakët nuk kanë të përbashkët, as gjuhën,as kombësinë, kështu që vendosja e tyre trevën shqiptare të Malësisë nuk mund të kuptohet ndryshe vetëm si tentim i ndryshimit të strukturës kombëtare të kësaj treve. Shqiptarët nga natyra janë një popull tolerant dhe këtë e kanë dëshmuar edhe ndaj bashkësive të tjera etnike në Mal të Zi duke përfshirë edhe pakicën boshnjake dhe këtu as që bëhet fjalë për ndonjë llojë mostolerance ndaj një pakice tjetër, por thjeshtë kemi të bëjmë me  politizimin dhe shfrytëzimin e një pakice( pra pakicës bosnjake)  për qëllime të caktuara nga ana e pushtetit malazez.

Ndryshimi i strukturës kombëtare të një vendbanimi shqiptar zakonisht shoqërohet  me ndryshimin e toponimeve me prejardhje shqiptare si për shembull: Ujëmira bëhet ” Dobrovoda”, ” Bjeshkët e Nemuna” bëhen

” Prokletije” , Mali i Brisë bëhet “Briska Gora”, Balsha bëhet ” Balšić”,

Dheu i Zi bëhet “Karabuško Polje” e kështu me radhë. E gjithë bëhet kjo me qëllim që të humben gjurmët  etno-gjeografike të banorëve shqiptarë autokton.

3) Dhe faza e tretë përfundimtare  është asimilimi i plotë dhe tjetërsimi kombëtar i shqiptarëve apo i shumicës së banorëve vendas (autokton) në vendbanimet ku ata jetojnë  me qëllim të defaktorizimit të tyre në aspektin demografik.Pjesë e këtyre skenareve famëkeqe ështe edhe ndarja administrative dhe parcializimi i kompaktësisë territorriale të  vendbanimeve etno-gjeografike shqiptare. Shembulli më i mirë për këtë është Gucia e cila në emër të ligjit të ashtuquajtur për organizimin territorial në Mal të Zi, në vitin 2013 iu dha statusi i komunës në vehte edhe përkundër faktit se Gucia si në aspektin historik ashtu edhe ate etno-gjeografik, gjithëmonë ka qënë  pjesë e një territori kompakt me Plavën.

    Me këtë rast duhet të përmendet edhe një fakt tjetër interesant që aludon dukurinë e asimilimit të shqiptarëve në vazhdimësi.Sipas  regjistrimeve të popullsisë së vitit 2011 në Mal të Zi ,numri i atyre që u deklaruan që kanë gjuhën shqipe, gjuhën e tyre amtare, dual më i madh se numri i atyre që u deklaruan me përkatësi kombëtare shqiptare. Konkretisht numri i përgjithëshëm i shqiptarëve, sipas statistikave të Malit të Zi, është 30,439 ( 4.91 %), kurse numri i atyre të cilat deklaruan gjuhën shqipe si gjuhën e tyre amtare,ishte 32,671 ose 5.27 % të popullsisë së përgjithëshme. Pra, 2,232 banorë u deklaruan se për gjuhë amëtare kanë gjuhën shqipe,por jo dhe përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare.Kjo dukuri mund të shpjegohet me faktin se ky grup, është në humbje e sipër të identitetit të vet kombëtar dhe është një shembull konkret i procesit të asimilimit kombëtar shqiptar. Nu ka të dhëna se si kjo pjesë ( përqindje) e shqiptarëve është  deklaruar në baza kombëtare, si sllavë apo si boshnjakë/ myslimanë apo ndonjë kombësi tjetër, por një gjë është e sigurtë: nuk janë deklaruar si shqiptarë, dhe kjo është për tu brengosur.Ka mundësi që kjo pjesë e popullsisë në regjistrimet e ardhshme të jetë në përqindje edhe më të madhe.

       Një dukuri e cila kërkon më shumë analizë është fakti se edhe përkundër disa të drejtave të cilat janë të sanksionuara në Kushtetutën e Malit të Zi dhe lejohen me Ligjin për të drejtat e popujve pakicë, megjithate ka një  hezitim të pashpjeguar  në implementimin e tyre në praktikë nga vetë shqiptarët. P.sh. të drejtën e heqjes së prapashtesave sllave -viq dhe -iq nga mbiemrat e tyre,pra të drejtën e shqipërimit të mbiemrave,nuk e shfrytëzojnë të gjithë ata shqiptarë të cilët e kanë mundësinë ta bëjnë një gjë të tillë, por që edhe më tutje vazhdojnë ti mbajnë këto mbrapashtesa të imponuara dhe që janë në kundërshtim me idetitetin shqiptar.

     Gjithashtu, është raportuar në mediume se edhe e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në administratat e komunave ku me ligj është e lejuar dygjuhësia nuk është në  nivel të duhur. Kurse përdorimi privat i gjuhës shqipe është gjithashtu në rënie e sipër. Këtë dukuri shqtësuese e elaboron përmes shifrave Dr. Haxhi Shabani në librin e tij

 “Rrezikimi i gjuhës shqipe” (2007), ku në faqen 99 të këtij libri thuhet : “… Shqipja për 10 vjet ka pësuar një zvogëlim të dukshëm të saj. Ajo në vitin 2006 nga folësit e saj përdoret përdoret për 61 herë më pak,në krahasim me vitin 1996… Gjatë këtij dhjetëvjeçari ndërkohë serbishtja ka arritur përdorimin e saj për 50 herë …”.

Përfundim

      Pra,shqiptarët në Mal të Zi, të cilët numerikisht vijnë duke u zvogëluar, gjeografikisht janë të shpërndarë ,si etni ata janë të rrezikuar pasi që gjithënjë janë të ekspozuar asimilimit dhe çkombëtarizimit të mëtejshëm të tyre. Historia e hidhur  e Plavës dhe Gucisë, Rozhajës si edhe e Tivarit duhet të n’a shërbejë si mësim se nëse nuk angazhohemi në maksimum dhe jemi këmbëngulës dhe të vendosur në ruajtjen e gjuhës e identitetit tonë kombëtar  si dhe parandalimin e emigrimit të shqiptarëve apo shpopulimin e mëtejshëm të vendbanimeve shqiptare,ka gjasa që edhe  trevat e tjera shqiptare të jenë të destinuara të kenë fatin e njëjtë.

     Kur kësaj i shtojmë edhe dimenzionin politik,me ç’rast gjatë afër tre dekadave të sistemit shumëpartiak faktori politik shqiptar ka pësuar rënie graduale në aspektin e përfaqësimit në organin më të lartë legjislativ të Malit të Zi (pra në Kuvend), len të kuptojë se shqiptarët janë të rrezikuar edhe në aspektin politik ( Më shumë për këtë lexo shkrimin  “Ngritja dhe rënia e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi,në këtë libër.

Zgjedhjet historike lokale për komunën e Tuzit që u mbajtën me 3 Mars 2019,me ç’rast kualicioni parazgjedhor  i tre subjekteve politike shqiptare që veprojnë në Malësi, fitoi  numrin më të madh të mandateve në këto zgjedhje dhe me këtë edhe udhëheqjen me pushtetin në komunën e Tuzit në katër vitet e ardhshme. Ky bashkim dhe kjo fitore  ngjall shpresën e vetëdijësimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar të subjekteve të shumta politike shqiptare që egzistojnë sot në Mal të Zi . Gjithashtu shpresoj se këto zgjedhje do të ndikojnë njëherë e pergjithëmonë në formimin e bindjes dhe botëkuptimit tek partitë politike shqiptare se bashkimi i tyre ( qoftë kjo në formën e kualicioneve zgjedhore apo paszgjedhore) nuk është opcion por është e vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre politike. Megjithate,mbetet të shihet se nëse një bashkim i tillë i faktorit politik shqiptar në Malësi do të reflektohet edhe në zgjedhjet e ardhshme të radhës,posaçërisht në zgjedhjet qendrore ku synohet të merren sa më shumë mandate në Kuvendin e Malit të Zi.

      Viteve të fundit janë rritur vizitat e përfaqësuesëve  të Tiranës zyrtare në trevat shqiptare në Mal të Zi çka është për tu përshëndetur. Por nëse këto vizita nuk mbajnë në vehte vepra konkrete si dhe ndihmë dhe përkrahje specifike të cilat do të kishin efekt pozitiv në kultivimin dhe avancimin e stutusit kulturor, gjuhësor dhe edukativo-arsimor të shqiptarëve në Mal të Zi, atëherë si të tilla do ata e humbin efektin e vet. Pra, shteti amë- Shqipëria por edhe Kosova duhet të kalojnë nga përkrahja e tyre deklarative në përkrahje me vepra konkrete ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Kontributi i qindra abetareve për nxënësit e shkollave shqipe në Mal të Zi është akt i rëndësishëm simbolik por jo edhe i mjaftueshëm dhe se duhet bërë edhe më shumë në këtë aspekt. Janë të njohura investimet me projekte konkrete që për shembull Greqia dhe Serbia bëjnë për pakicat  e veta në Shqipëri,respektivisht në Mal të Zi. Para pak viteve, qeveria e Serbisë përmes një investimi konkret dëshmoi përkujdesjen e saj për pakicën serbe duke ndarë 3.4 milion euro për ndërtimin e qendrës kulturore  në Podgoricë,qendër kjo e cila do të ketë për qëllim ruajtjen e trashigimisë kulturore të pakicës serbe në Mal të Zi. Nuk e shoh arsyen se përse një vepër apo projekt të ngjajshëm ta realizojnë edhe shteti-amë Shqipëria ,për bashkëkombasit e vet, në një nga vendbanimet apo komunat me shumicë shqiptare në Mal të Zi.

     Kur flitet për kontributin dhe ndihmën konkrete nuk mund të mos përmendet roli i diasporës shqiptare, në veçanti roli i diasporës shqiptare në SHBA e cila përmes formave të aksioneve humanitare, investimeve në infrastrukturë, ndërtimin e objekteve të ndryshme të kulturës dhe të arsimit (shkollave),përkrahjen financiare ndaj studentëve shqiptarë në vendlidje (përmes bursave), etj. kanë ndikuar në lehtësimin e gjendjes ekonomike të bashkëvendasëve të tyre. Gjatë dy-tre dekadave të fundit,pra diaspora shqiptare në SHBA,përkatësisht shoqatat dhe fondacionet shqiptare të cilët rreth vehtes grumbullojnë anëtarë me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi, kanë kontribuar në mënyra të ndryshme që u cekën më lart, me vlerë prej disa miliona dollarë dhe përkushtimi i përhershëm i saj mund të shërbejë si shembull i përkujdesjes së një diaspore ndaj vendit të vet.

        Por,megjthate rolin strategjik dhe detyrën kombëtare të shtetit-amë,Shqipërisë,por edhe të Kosovës,lidhur me përkujdesjen ndaj asaj pjese të popullit të vet që jeton jashtë kufirit të tyre administrativ,respektivisht të shqiptarëve në Mal të Zi,  nuk mund ta zëvendësoi askush. Është nevojë dhe domosdoshmëri e kohës që në suaza të ushtrimit të së drejtës së vet kushtetuese, dy qeveritë e shteteve tona,përmes një strategjie kombëtare,të angazhohen drejtëpërdrejti në përkujdesjen e bashkëkombasëve të vet.

     Çdo fuqi e jona njerëzore,intelektuale,ekonomike dhe politike duhet të shfrytëzohet vetëm për një qëllim: RUAJTJEN, KULTIVIMIN DHE AVANCIMIN E GJUHËS, IDENTITETIT DHE QËNIES SË ETNISË SHQIPTARE NË PËRGJITHËSI  NË TREVAT SHQIPTARE NË MAL TË ZI !

Xheladin Zeneli

(Marrë nga libri me  titullin e njëjtë, botuar në gusht të vitit 2019 )

By admini