Nga Frank Shkreli
Ishte viti 1970, kur për herë të parë e takova Mons Dr. Zef Oroshin, në lagjen Bronks të Nju Jorkut. Gjatë qëndrimit tim si refugjat në Itali, (1969-1970), për Dom Zefin dhe për aktivitetin e tij fetar dhe atdhetar në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork, më kishte folur miku im në Romë, Dom Prenkë Ndrevashaj. Por edhe në dy tre takime që kisha pasur me Ernest Koliqin në Romë, më kishte këshilluar që kur të arrija në Amerikë të takohesha menjëherë me Dom Zef Oroshin dhe t’i rrija afër, pasi mund të më ndihmonte në vazhdimin e studimeve në Amerikë, duke marrë parasyshë moshën time të re.
Ashtu edhe u bë! Më të ardhur në Nju Jork, në fund të vitit 1970, kushëriri i nënës time Ndoc Vulaj, mik i ngushtë i Dom Zefit, më prezantoi tek Monsinjori të dielën e parë pas arrijtjes time në Amerikë — tek Kisha e parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e themeluar prej tij në Bronks të Nju Jorkut. Ishte një takim, pas meshës, me Dom Zefin dhe me Ndoc Vulajn në qëndrën e kishës, sipër ndërtesës ku zhvillohej ceremonitë fetare. Pyetja e parë që më bëri Monsinjor Oroshi, pasi u përshëndetëm ishte: si je me anglishten? Unë ju përgjigja se kisha filluar ta mësoj anglishten gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, por jam i vetdijshëm, i thashë, se do të më duhet kohë që ta përvehtësojë si duhet. Pa asnjë vonesë, madje edhe pa më pyetur fare, Dr. Oroshi merr telefonin dhe i telefonon dikujt. Flet me të në anglisht për nja 5-6 minuta.
Merrja vesh ndonjë fjalë aty këtu, por thelbin e bisedës nuk e kuptova fare. Sidoqoftë, Dom Zefi i kishte telefonuar një prifti jezuit që e njihte, në Universitetin e njohur Fordham në Nju Jork, i cili administrohet nga Kuvendi Jezuit. Pas bisedës me të, Dr Oroshi më shpjegon se e kishte njoftuar profesorin amerikan se në zyrën e tij kishte një djalosh të ri shqiptar refugjat i posa ardhur nga Evropa dhe se i kishte kërkuar atij të bënte çmos që të më mundësonte me çdo kusht dhe sa më parë,regjistrimin në Universitetin Fordham për kurse anglisht –për të mësuar anglishten sa më mirë dhe sa më shpejt, me objektivin për të vazhduar studimet që i kisha ndërpre, si përfundim i arratisjes. “Nëqoftse dëshiron të përparosh në këtë vend”, më këshilloi Dom Zefi në takimin e parë me të, “Duhet të mësosh gjuhën e vendit, sepse pa gjuhën anglishte ke me mbetë mbrapa”, mu drejtua ai me një fytyrë serioze.
Monsinjor Oroshi ishte në dijeni se unë kisha kryer 5-vjet në një seminar katolik në Kroaci dhe natyrisht ia dinte vlerën gjimnazit klasik dhe donte që të mos habitesha duke gjetur çfardo pune në Amerikë, si të gjithë të rinjë shqiptarë të moshës time në atë kohë, sepse ashtu ishin rrethanat – shumë të vështira për imigrantët e rinj. Dom Zefi më porositi të mos ndërprisja shkollën, por të vazhdoja studimet me çdo mënyrë.
Në të vërtetë, ashtu edhe ndodhi. Me rekomandimin e Mons Zef Oroshit u regjistrova në Universitetin Fordham për kurse fillestare për gjuhën anglisht dhe mbrenda 6 muajsh e përvehtësova anglishten në nivelin e duhur, sa që u regjistrova si student i rregullt në Kolegjin shtetëror Lehman, në Bronks, pasi Univresiteti Fordham, si universitet privat, ishte shumë i shtrenjtë dhe nuk i kisha mundësitë financiare për tu regjistruar aty.
Në këtë ndërkohë, si në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për mbështetjen që Mons. Oroshi tregoi ndaj meje — në atë kohë kritike për mua në një vend të huaj — unë bëja çmos që t’i gjëndesha pranë kishës, për të ndihmuar me çfardo mundësie që kisha në dispozicion, atë dhe aktivitetet e qendrës së parë katolike shpiptare në Shtetet e Bashkuara. Unë kisha filluar të tregoja shënja interesimi për gazetari, pasi edhe në Lehman College kisha marrë disa kurse në këtë degë dhe madje kisha filluar të shkruaja edhe artikuj modest, në anglisht, për gazetën studentore të kolegjit Lehman.
Mbështetjen e Mons Oroshit për mua, gjatë atyre viteve fillestare kritike për çdo immigrant në një vend të huaj, sidomos për një të ri si unë në atë kohë — e ruaj si një kujtim të pashlyeshëm dhe si një ndihmë të pazëvendsueshme për të ardhmen time, të cilën e kam vlerësuar gjithmonë si një besim të tij në mua personalisht, por edhe në breznitë e ardhëshme të shqiptarëve në këtë vend dhe në cilësitë dhe aftësitë e tyre pozitive për të ndërtuar një jetë të re dhe më të mirë në një vend të lirë e demokratik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishim gjetur strehim e mbështetje nga ky vend.
Autori me Mons. Zef Oroshin në demonstratë kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës — për të protestuar vrasjen barbare të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist në vitin 1973 — para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përball Misionit të Shqipërisë Komuniste në OKB.
Kisha Katolike Shqiptare dhe Lidhja Katolike botonin në atë kohë – revistën, “Jeta Katolike Shqiptare”, revistë e cila vazhdon të botohet edhe sot. Monsinjor Oroshi, ndërkaq,më kërkonte ndihmën time në përgatitjen e shkrimeve nga autorë të ndryshëm që dërgonin artikujt e tyre për botim në revistën e Lidhjes Katolike – siç e kuptova më vonë, më shumë për të ndihmuar zhvillimin tim në këtë fushë, se sa i ndihmojshe unë atij, por në të vërtetë, qëllimi i tij përfundimtar ishte që të merrja përvojën e duhur në përgatitjen e revistës, ndërsa njëkohësisht më inkurajonte të shkruaja edhe artikuj me subjekte që preferoja unë. Kështuqë, me ndihmën e Mons. Oroshit, unë hodha hapat e para drejtë gazetarisë, duke shkruar edhe artikuj në gjuhën shqipe për një organ, siç ishte revista Jeta Katolike e Nju Jorkut. Kjo nismë, për një 20-vjeçar, më dukej mua një arritje e madhe duke marrë parasyshë se përveç shkollës 8-vjeçare unë nuk kisha përdorur gjuhën shqipe në shkollë ndërkohë që shqipja ime linte shumë për tu dëshiruar. Me hapa të ngadalshëm por të sigurtë, nën mbikqyrjen e Mons Oroshit, revista filloi të botonte aty këtu ndonjë shkrim timin dhe eventualisht, falë edhe interesimit tim për këtë fushë veprimtarie, arrijta të bëhem edhe anëtar i redaksisë. Kështuqë, jepja kontributin tim modest në përgattijen e secilit numër të Jetës Katolike, për atë kohë që isha pranë Kishës Katolike Shqiptare dhe nën mbikqyrjen e Drejtorit Përgjegjës, Mons Zef Oroshit. Kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1974, kur u largova për në Washington për të filluar punën pranë Zërit të Amerikës, në gjuhën shqipe.
Kanë kaluar pra pothuaj 50-vjet ç’prej asja kohe kur Dom Zefi më ndihmoi të hidhja hapat e parë drejtë gazetarisë – një fushë veprimi kjo, që eventualisht u bë profesioni im i jetës për më shumë se 30-vjetë, për një ent ndërkombëtar lajmesh dhe informacioni, me fame botërore, siç ishte Zëri i Amerikës. – duke më hapur kështu rrugën e punësimit në Zërin e Amerikës. Ishte Dom Zef Oroshi ai që më dha mundësitë e para për të zhvilluar mëtej interesimin tim në fushën e gazetarisë, duke më bërë pjesë të redaksisë së revistës, “Jeta Katolike”, të cilën ai me disa bashkpuntorë të tij e kishte themeluar disa vite më parë. Mund e them pa asnjë dyshim, se përvoja ime fillestare në gazetari — me mbështetjen dhe durimin e Monsinjor Oroshin — në revistën Jeta Katolike, më ka hapur përspektiva të pa imagjinueshme në jetën dhe në karierën time prej më shumë se 30-vitesh në Zërin e Amerikës, ku kam ushtruar detyra të ndryshme në fushën gazetareske, si korrrespondent, si redaktor, producent, shef i Shërbimit shqip të VOA-s dhe detyra të tjera më të larta, përfshirë, ndër të to, edhe Drejtor i Divizionit Evropian dhe zëvëndës Drejtor për ish-Bashkimin Sovjetik, gjatë periudhës ndoshta më interesante të historisë së shekullit të kaluar, atë Luftës së Ftoftë dhe më vonë, pas pensionimit nga qeveria federale, si autor e publicist modest, që falë të Madhit Zot, vazhdoj edhe sot, sipas mundësive.
Nuk jam i sigurt se cila do të kishte qenë kariera ime dhe çfarë drejtimi do të kishte marrë jeta ime në përgjithësi, po të mos kisha pasur ndihmën dhe këshillat e Mons. Zef Oroshit dhe bashkpuntorëve të tij në atë kohë. Për këtë ndihmë dhe mbështetje fillestare, Monsinjor Oroshit i mbetem mirënjohës për gjithmonë. Ai ishte burrë, fetar dhe patriot, ashtu siç ishin shumë burra të brezit të tij të pas Luftës së dytë Botërore– në kuptimin e vërtetë të fjalës — mësimet e të cilit për gazetari dhe këshillat e tija për jetën dhe dashurinë për Atdheun, në përgjithësi, për një refugjat 20-vjeçar në atë kohë, ishin të pazëvendësueshme. Por mbi të gjitha, atdhedashuria e tij dhe veprimtaria e tij fetare dhe patriotike, pa asnjë interes personal — ishin dhe mbeten një mësim tjetër jetësor për mua – një përvojë që më ka ndjekur gjithë jetën dhe karierën time.
Si njëri që ka shërbyer në moshë të re, si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane (LKSHA) dhe si anëtar i Këshillit Redaktues të organit Jeta Katolike të LKSHA, në fillim të 1970-ave – pra, si një bashkpuntor i ngusht i Mons Oroshit në botimin e revistes Jeta Katolike Shqiptare — e ndjejë veten të nderuar dhe të privilegjuar me ftesën që më bëri autori Tomë Mrijaj për të kujtuar me pak fjalë Mons Zef Oroshin, në librin e tij të posa botuar, në këtë 50-vjetor jubilar historik – veprimtaria e të cilit mbetet trashëgimi e pashlyeshme jo vetëm për Kishën Katolike Shqiptare në mërgim, por edhe për Kishën e shumë vuajtur në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare. Dom Zef Oroshi, me rastin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, (LKSHA) më 16 Qershor, 1962, në një kohë kur Kisha Katolike Shqiptare po martirizohej nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – ish-udhëheqsi i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, me fjalë optimiste dhe profetike, ishte shprehur se me themelimin e kësaj qendre:“Jemi nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe.” Në të vërtetë ashtu edhe ndodhi. Ishte Mons. Rrok Mirdita, të cilin Mons Oroshi e kishte sjellur nga trojet shqiptare nën Malin e Zi për të punuar me të në Nju Jork–ai i cili pas shembjes së komunizmit u caktua nga Vatikani për tu këthyer në Shqipëri për të ngritur Kishën Katolike në Shqipëri, të shkatërruar nga komunizmi.
Profecia e tij u vërtetua. Veprimtaria fetare dhe atdhetare e Monsinjor Zef Oroshit ishte vendimtare, jo vetëm për mbajtjen gjallë të traditës dhe historisë së Kishës Katolike Shqiptare në mërgim, por edhe për Kishën e shumë vuajtur në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare. Themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptare në vitin 1962 dhe themelimi më vonë i Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë, nga Mons. Oroshi me ndihmën e At Andre Nargaj, me shumë bashkpuntorët e tyre, i parapriu, jo vetëm, asaj që sot është famullia e parë katolike shqiptare në Amerikë, “Famullia e Zojës së Shkodrës” në Hartsdale të Nju Yorkut, që sot është një qëndër veprimtarie të larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan në pëgjithësi dhe pa dallime fetare as krahinore – por edhe simbol i ringjalljes së Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pas pothuaj 50-vuajtjesh e persekutimesh komuniste — ndër më të egërat në ish-vendet komuniste.
Rëndësinë fetare, kulturore dhe kombëtare të përurimit të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Nju Jork, e ka shprehur, ndoshta, më së miri në atë kohë, Ernest Koliqi, i cili në revistën “Shëjzat” ka shkruar me atë rast, se përveç dobisë shpirtërore, kisha e re do të shërbente edhe si qëndër veprimtarishë kombëtare: “Na tue u nisë nga pikëpamja shqiptare, dëshirojmë të theksojmë këtu vlerën e një organizimi i cili, në flakë e në dritë të fesë – nevojë urdhënore e njerëzve sidomos kur mjerohen nga goditjet e fatit si janë të mërguemit – synon të mbajë gjallë zakone e doke, thjeshtë kombëtare, dmth. të ruaj në vend të huaj pasuninë ethnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon m’u quejtë Shqiptarë në botë.’’
Nuk kam asnjë dyshim se përveç nevojave shpirtërore të besimtarëve katolikë shqiptarë, themelimi i Kishës dhe Qendrës Katolike Shqiptare në Nju Jork, në mendjen dhe zemrën e Mons. Zef Oroshit, kishte për objektiv gjithashtu edhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe të traditës kombëtare, përfshir gjuhën dhe kulturën shqiptare. Një prej kontributeve të Mons. Oroshit në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe – është edhe botimi i Katër Ungjijve, sipas Matheut, Markut, Lukës e Gjonit, si edhe Punët e Apostujve – një përkthim ky që Martin Camaj e kishte cilësuar si një “ngjarje kulturore”, në të cilin shton ai, Mons Oroshi ka ndjekur mjeshtrin e vet, Dom Ndre Mjedën, të cilit Oroshi edhe ia ka kushtuar atij ketë vepër fetaro-kulturore.
Veprimtaria e përgjithëshme prej dekadash e Mons. Zef Oroshit duhet të shikohet nga kënd-veshtrimi i punës së tij me moton e Lidhjes Katolike Shqiptare, për objektivin e rëndësishëm për të ardhëmen — “Për Fe e Atdhe” — të lidhura e të bashkuara ngusht me unazën, “Përparim”, trashëguar nga para-ardhësit e tij kishtarë dhe atdhetarë shqiptarë, edukatorët e tij, si Dom Ndre Mjeda dhe At Gjergj Fishta. I frymëzuar nga mësuesit e tij, Fishta e Mjeda, Dom Zefi ishte një vijues i denjë i traditave të mira Kombëtare, të gërshetuara me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane. Ky pra ishte Monsinjor Oroshi që kam njohur unë dhe të cilin e kujtoj gjithmonë me nderim dhe respekt, i cili ka patur një influencë jashtzakonisht të madhe në jetën, karierën dhe veprimtarinë time në përgjithësi.
I lavdishëm qoftë sot dhe gjithmonë kujtimi i Mons Dr. Zef Oroshit dhe i të gjithë atyre burrave dhe burrneshave të asaj gjenerate – të cilët u detyruan të largoheshin nga regjimi komunist enverist prej Atdheut të tyre, të cilin e donin pa asnjë kusht., e për të cilin nuk pushuaan kurrë së punuari për t’ia ruajtur nderin dhe emrin e mirë në botë – burra këta që sot i mungojnë kombit dhe që, fatkeqësisht, nuk jam i sigurt nëse vinë më në trojet tona.
Frank Shkreli*
*Këto kujtime janë pjesë e librit, “Mons Dr. Zef Oroshi-Në Jubileun e 50-Vjetorit të meshës së parë shqip në Shtetet e Bashkuara”,të autorit, Tom Mrijaj, botuar këtë fund jave në Shkodër, e të cilin e falënderoj që më dha mundësinë të bëhem pjesë e kësaj nisme, për të nderuar, Mons. Dr. Zef Oroshin.