Gjekë Gjonlekaj/New York

Të hënen pas dite Elez Biberaj më dërgoi një e-mail me një shkrim të shkurtër për vdekjen e gazetarit të përditshmes “ The New York Times” David Binder. Për David Binder kisha dëgjuar në pranverë të vitit 1981. Në kohën kur David Binder ishte njëri prej redaktorëve kryesor, gazeta “The New York Timës” botonte shkrime të korrespondentëve të saj në Ballkan dhe të agjencive të ndryshme të lajmeve për gjëndjen kritike në Kosovë. Pavarësisht se vepronte në Washington, zoti  Binder herë pas here botonte shkrime për Kosovën dhe Shqipërinë, edhe pse e kishte pasur të ndaluar hyrjen në Shqipëri. Në fillim të viteve 80 fillova punën pranë “Zërit të Amerikës”. Në atë kohë isha shumë i interesuar për një takim me këtë gazetar amerikan. Një ditë e thirra në telefon dhe bisedova me të, por jo tepër gjatë. Gjatë bisedës i tregova se isha nga Mali i Zi dhe se kisha qënë student në Prishtinë deri në janar të vitit 1970. Ju luta për takim dhe mundësinë e një dreke në njërin prej atyre restauranteve afër pallatit ku përgatitej gazeta” The New York Times”. Kërkova nga ai që të ishin të pranishëm edhe Elez Biberaj dhe Frank Shkreli. Edhe pjesëmarrjen e tyre e pranoi me dëshirë, por përpara se të shkojmë për drekë dua që të vizitoni gazetën “Thë New York Timës. Unë personalisht u gëzova për pjesëmarrjen e tyre sepse ata kishin më shumë se unë përvojë në gazetarinë amerikane, pastaj fjalori i tyre politik ishte shumë më i pasur se imi, ndërsa për Kosovën mbase kisha më shumë njohuri sepse kisha qënë atje nxënës dhe student për 7 vjet. Ne shkuam sipas kërkesës së tij për vizitë dhe gjatë kohës sa qëndruam aty, na tregoi shumë gjëra, bile edhe tryezën e kryeredaktorit dhe drejtorit përgjegjës të kësaj gazete Bill Kovach. Kjo tha David Binder është tryeza e bashkombasit tuaj Bill Kovach. Ndërsa qëndruam pranë tavolinës së këtij gazetari të famshëm amerikan me origjinë shqiptare ai tha fjalë të shkëlqyeshme për këtë gazetar. Ne u gëzuam shumë që kishim aty një  gazetar  aq të madh. Nuk e takuam, sepse Bill Kovach nuk ishte ato ditë në Washington. Pas kësaj vizite shkuam për drekë dhe atje biseduam gjerë e gjatë për Kosovën dhe për Shqipërinë. Për Kosovën, David  Binder kishte shumë njohuri. Ai në vitin 1966 kur shërbente si korrespondent në Beograd, kishte botuar disa shkrime për largimin e Aleksandër Rankoviqit dhe torturat e sigurimit jugosllav në Kosovë. Qëndrat krysore të veprimtarisë së tij ishin Boni dhe Beogradi. Ai kishte botuar disa shkrime në mbështetje të poltikës antistaliniste të Josip Broz Titos. Këto shkrime ia kishin lehtësuar udhëtimin në Beograd. Gjatë atyre udhëtimeve kishte vendosur lidhje me disidentin e njohur jugosllav Millovan Gjillas.
Ishte ditë e diel, disa ditë pas demonstratave të 11 marsit 1981 në Kosovë, David Binder u paraqit me një artikull në rubrikën e posaçme”Pasqyra e Fundjavës”(Weekend in Review). Në atë shkrim shumë serioz e përshkruante shtypjen një shekullore të Kosovës nga forcat jugosllave. Ai shkruante se ata që po demonstrojnë sot në Kosovë janë pasardhësit e shqiptarëve që ishin pushkatuar nga forcat jugosllave. Ata që po protestojnë sot kishin parë me sytë e tyre dënimin me vdekje të baballarëve të tyre dhe se ata nuk do të pajtohen kurrë me tragjeditë dhe masakrat e Kosovës. Mbase mund të ketë ndikuar edhe gazetari i madh amerikano-shqiptar Bill Kovach për shkrimet e tij në gazetën “The New York Times”. S’ka dyshim se jugosllavët antishqiptarë në Beograd dhe në viset tjera i kishin dhënë informata shumë të gabura për shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti. Shkrimet e tij shumicën e kohës ishin objektive, por jo gjithëmonë. 
Në verën e vitit 1986 më bëri telefon dhe njoftoi se do të shkonte në Kosovë dhe se do të qëndronte atje dy javë për një shkrim serioz dhe të hollësishëm për Kosovën dhe se ky studim do të botohej në revistën “The New York Times Magazine” që botohet çdo te dielë. Kjo revistë është shumë prestigjoze dhe deri vonë citimet nga kjo revistë ishin shumë të kufizuara.  Para se të nisej për Kosovë kërkova një takim me të në Washington. Ai e pranoi dhe pas disa ditësh udhëtova me aeroplan nga New Yorku në Washington për ti dhënë disa informata të rëndësishme për takime në Kosovë. Isha i sigurtë se amabasada jugosllave në Washington nuk do t’i jepte emërat e duhur për takime në Prishtinë dhe për këtë arsye shkova në Washington dhe shkuam për drekë së bashku. Dua të thëm të vërtetën se David Binder ishte shumë bujar. Gjatë atij takimi iu luta që të takonte akadamikët,profesorët, shkrimtarët dhe intelektualët e vertetë të Kosovës. Paraprakisht kisha përgatitur emërin e Esad Mekulit, Idriz Ajetit, Mark Krasniqit, Gazmend Zajmit, Rexhep Qosjes, Ali Hadrit e shumë e shumë të tjerëve. Sot nuk më kujtohet nëse jetonin në atë kohë Ali Hadri dhe Gazmend Zajmi. I tregova që Prishtina është qëndër universitare ku studionin dhjetëra mijëra studentë, bile disa prej tyre gjënden edhe në Shtetet e Bashkuara për studime me bursën Fulbright. E gjithë kjo përpjekje më shkoi kot, ngase ai nuk kishte takuar asnjërin nga emërat që i kisha dhënë. Dy javë pas kthimit nga Kosova kishte botuar një artikull të mbrapshtë  për Kosovën dhe tregonte se ishte takuar me disa shqiptarë besnikë të Jugosllavisë. Ai ishte takuar edhe me Halit Trnavcin dhe kishte shënuar disa komente të tij për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Zotni Trnavci kishte përkthyer këtë Kanun nga gjuha shqipe në gjuhën sërbo-kroate dhe David Binder kishte fituar bindje se Trnavci ishte eksperti I Kanunit. Në shkrimin që ishte botuar në “The New York Times” ky Kanun nuk kishte asnjë vlerë,dhe se ishte pjellë e një populli primitiv.  Pasi lexova komentet e tij për Kosovën dhe për Kanunin u zemërova aq shumë sa që i ndërpreva lidhjet me të. Ky zëmërim më shtyri t’i lutem professor Leonard Fox për mundesinë e përkthimit dhe botimit anglisht. Ai e pranoi kërkesën time dhe në nëntor të vitit 1989 doli botimi i parë në gjuhën anglishte i Kanunit. Kopjen e parë ia dërgova dhuratë David Binder dhe pas disa javësh mora prej tij një letër të shkëlqyeshme urimi, ku e krahasonte Kanunin me Testamentin e Vjetër. Me 4 nëntor të vitit 1994 shkruajti në gazetën “The New York Times” një artikull të mrekullueshëm, dhe kështu  u bë adhuruesi më i madh I Kanunit në Shtetet e Bashkuara. Përsëri u bëmë miqë, pasi Shqipëria komuniste i kishte dhënë vizën për të vizituar atë vend. Kjo kërkesë i ishte mohuar për më shumë se 27 vjet. Ai kishte deshirë ta vizitonte Shqipërinë, ngase edhe babai i tij Caroll Binder e kishte vizituar këtë vend në vitin 1930 me rolin e gazetarit amerikan. Para se të shkonte në Shqipëri iu luta të takonte Isamil Kadarenë dhe të më sillte numrin e telefonit të tij. Në një shkrim nga Tirana tregonte për takimin me Ismail Kadarën dhe nga ato fjali për Kadarenë në “The New York Times” shihej se shkrimtari ynë ishte për ndryshime të rëndësishme politike në Shqipëri. Unë shfrytëzova rastin dhe e thirra në telefon në Tiranë një ditë nga Zëri  i Amerikës aty dikur rreth orës 4 të pasditës, dhe pas një ndërprjeje të shkurtër u lidhëm përsëri. Më bëri disa vretje për Zërin e Amerikës. Një ditë më vonë Elez Biberaj bisedoi me Kadarenë dhe atë ditë filluan lidhjet serioze me shkrimtarin tonë të madh. Këto lidhje ishin meritë e David Binder. Gjatë viteve 90′ David Binder  bëri shumë miqë por edhe armiqë në Shqipëri. Kishte një natyrë të ashpër prej kauboji(cowboy).  Ai pinte shumë alkol. E pëlqente shumë rakinë  e rrushit dhe rakinë e kumbullave , atë të rrushit e kishte mësuar nga shqiptarët, ndërsa atë të kumbullave nga sërbët. Ai kishte mësuar shumë barcaleta për popujt e Ballkanit, sidomos për boshnjakët, serbët e shqiptarët. Gjithë ditën mund të tregonte barcaleta. Barcaletat për boshnjakët kishin më shumë humor se të tjerat. Kishte mësuar pothuajse të gjitha veset e ballkanasëve. Kur pinte shumë tregonte për ato sjelljet e tij qesharake në Ballkan. Ai ka shkruar për Ismail Kadarenë më shumë dhe më mirë se asnjë gazetar tjetër amerikan. Në fund të viit 1996 në në bashkëpunim me biznesmenet  Demë Balidemaj dhe Palokë Vulaj kisha organizuar një intervistë të David Binder me Ismail Kadarenë në Plaza Hotel në New York. Për këtë intervistë që u botua dy javë më vonë kishte ardhur nga Washingtoni  ditën e vitit të ri 1997. Titulli i asaj interviste ishte :”Me më të adhuruarin dhe me më të famshmin. (Most venerateted and best known). Pothuajse krejt faqen e mbulonte intervista e këtij gazetari të madh me shkrimtarin tonë të madh. Ai e quante Kadarenë shkrimtar gjenial dhe Mark Twain i shqiptarëve. Gjatë krizës politike në Shqipëri të vitit 1997 ishte në anën e socialistëve. Kurrë nuk e kishte thënë një fjalë të keqe  për Fatos Nanon, aty këtu shkruante mirë për të sidomos për humorin e tij. Ky kishte shkruar gjërësisht në “The New York Times” për vdekjen e Enver Hoxhës, ku kishte cituar profesor Arshi  Pipën. As për politikën e Ibrahim Rugovës nuk kishte shkruar shumë. Me 13 mars të vitit 1998 ne shqiptarët e Amerikës bëmë një demonstatë në Washington. Atë ditë ambasadori amerikan në Beograd Robert Gilbard kishte dhënë dëshmi në Kongres për Kosovën dhe Ushtrinë Çlirimtare të saj. Atë ditë Robert Gilbard kishte e deklaruar se UÇK ishte ushtri çlirimtare. Kjo kishte ndodhur një javë pas rënjes heroike të Adem Jasharit. Unë e ftova David Binder atë ditë për drekë. E pranoi ftesën time dhe gjatë atij takimi iu luta që të shkonte në Kosovë dhe të vizitonte Prekazin pas asaj tragjedie. Nuk e përfilli fare kërkesën time, bile nuk foli mirë për Adem Jasharin. Ato ditë kishte bërë komente të mbrapshta për Kosovën në televizionin amerikan. Në kohën më kritike nuk kishte thënë asnjë fjalë të mirë për Kosovën. Në atë kohë ishte në dashuri me një grua sllave dhe mbase ajo e frymëzonte kundër Kosovës. Këto qëndrime bënë që përsëri t’i presim lidhjet me këtë gazetar të përmendur amerikan.
Gjatë luftës së shqiptarëve në Maqedoni në pranverë dhe verë të vitit 2001, më bëri telefon, duke cituar një shkrimtar shqiptar se ushtarët Shqiptarë të Ushtrisë Kombëtare kishin qënë bolshevikë, klyshë të Enver Hoxhës e të tjera. David Binder ishte dakord me deklaratën e një intelektuali shqiptar dhe më kritikoi se unë isha gabim. Ai ishte në dijeni se  isha zëdhënës i tyre në Shtetet e Bashkuara I asaj ushtrie. Ky qëndrim i tij më zemëroi shumë. Para se ta ndërprisnja lidhjen  telefonike i thashë: “The qafën dhe të lutem mos më thirrë më, se ti je armik i shqiptarëve”. E ula telefonin dhe nuk fola me të, për më shumë së 7 vjet. Pas 7 vjetësh e mora telefonin e tij nga Elez Biberaj i cili kishte pasur shumë fërkime dhe mospajtime me të. Elezi është analist i çështjeve ballkanike dhe doktor i shkencave politike dhe mbante kontakte më të, sidomos gjatë ligjëratave në institutet e larta akademike amerikane. Më kujtohet një bisedë e ashpër midis tyre para Shtëpsië se Bardhë në lidhje me Shqipërinë në pranverë të vitit 1997. Zotni Biberaj më dha telefonin e tij. Pas disa ditësh e thirra në telefon. Ai vet e mori telefonin. Zëri i tij mu duk i panjohur. Ju luta nëse mund të flisja  me David Binder. Unë tha ai jam David Binder. Por sipas zërit nuk ishte ai David Binder që kisha njohur shumë vjet më parë.  Ai tha se vitetet e fundit kishte qënë shumë i smurë. U gëzua shumë për telefonatën time. Më pyeti për disa shqiptaro-amerikanë. Më tregoi për një shkrim që kishte botuar  në revistën Mediterranean Quarterly për shqiptarët dhe për Kanunin e Lekë Djukagjinit. E pyeta nëse vazhdonte të pinte raki rrushi dhe kumbullash? Po tha, por jo si dikur. Pas disa ditësh i dërgova me postë një shishe raki rrushi nga Malësia. Ai kishte mësuar shumë për Malësinë e Madhe gjatë udhëtimeve nga Podgorica në Tiranë. Bile në veprën e tij “Lamtumirë Iliri ((Fare well Illyria) shkruan për coptimin  e fisit të Hotit ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë në vitin 1913. Gjatë udhëtimeve në Shqipëri sidomos në Shkodër kishte mësuar shumë për At.Gjergj Fishtën. Për Shqipërinë dhe historinë e saj ishte objektiv, por jo për Kosovën, ngase në veprën e tij të fundit që e përmenda më lart, vazhdon ta quajë Kosovën sipas emërtimit sërb Kosova dhe Metohija. David Binder ishte mik i shqiptarëve por jo mik i madh. Gjatë karrierës së tij në fushën e gazetarisë kishte bërë edhe gabime të mëdha për të cilat ishte kritikuar dhe dënuar nga përgjësit e kësaj gazete. Ishte shumë i privilegjuar sepse kishte mbaruar studimet në Universitetin Harvard dhe më vonë kishte fituar bursën Fulbright për specializime në Këln të Gjermanisë. Në funeralin e presidentit të Rumanisë Georgie Dezh në mars të vitit 1965 rastësisht ishte takuar me kryeministrin e Kinës Chou En-lai, dhe ashtu siç ishte ai prej natyre të jashtzakonshme I guximshëm I kishte bërë disa pyetje kryeministrit kinez. Ai ishte zemëruar dhe I ishte përgjigjur: “Kam ardhur këtu në funeral dhe jo për të dhënë intervistë”. Kërkova ta ndërpres thotë Binder dhe më tha: Largohu nga këtu ti imperialist amerikan”. Tha se nuk kishte kohë për mua pasi do të udhëtonte për në Shqipëri. Ndërkohë David Binder e kishte pyetur nëse mund të udhëtonin së bashku me aeroplanin e tij. Chou En-lai kishte thënë se nuk kishte vend për të në aeroplan. Kjo thotë Binder e kishte tronditur dhe ishte larguar në heshtje. Për mua dhe për Donika Bardhën kishte një konsideratë të madhe, që ai ma kishte shprehur disa herë gjatë takimeve tona. Konsiderata e tij për mua kishte lidhje me rolin tim pranë Zërit të Amerikës, botimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe aktivitete të ndryshme për çështjen tonë. Ndërsa për Donika Bardhën kishte konsideratë të madhe për inteligjencën dhe elegancën e saj dhe për atdhedashurinë e madhe që e shprehi me kthimin e saj në Shqipëri në fillim të viteve 90 për të jetuar atje përgjithmonë. Unë personalisht ruaj kujtime të mira por edhe të hidhura nga ky kolos i gazetarisë amerikane. E kujtoj me shumë respekt sidomos për modestinë e tij. Dijë shumë nga e kaluara e tij,ngase një pjesë të tyre mi kishte treguar në mirëbesim. Ai vdiq në Chicago pranë familjes së tij.
Dritë e paqë në përjetësi o mik I dashur David Binder.  

By admini