Rreth 11 milionë njerëz nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga anë të ndryshme të botës kanë vizituar Prekazin, i cili është bërë vend pelegrinazhi, që nga ditët kur aty ranë heroikisht komandanti i UÇK-së Adem Jashari, anëtarët e familjes së tij, si dhe pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje. Lagjja “Jasharaj” tani vlerësohet në gjithë botën si simbol i rezistencës, sakrificës dhe i dashurisë për atdheun.
Lufta e i ikonës së UÇK-së, Adem Jasharit, dhe e familjes Jashari, në ditët e para të marsit të ftohtë të vitit 1998, historia e familjes, periudhat e rezistencës përballë sulmeve të forcave policore e ushtarake serbe, u janë shpjeguar me mijëra herë vizitorëve, nga ciceronët, të cilët edhe veten e konsiderojnë të mishëruar me historinë e lavdishme që bëri kthesën e madhe dhe nxori popullin nga robëria.
Të mishëruar me historinë e Jasharëve
Kullat e Prekazit, ajo e Shaban Jasharit, e Ahmet Delisë, Tahir Mehës e Ilaz Kodrës, të cilat janë dëshmi e rezistencës dhe e qëndresës së shqiptarëve të Drenicës përballë pushtuesve dhe sunduesve sllavë për gati një shekull në robëri, vazhdojnë të mbesin përjetësisht në kujtesën e popullit të Kosovës. Rifat Bejta, njëri prej ciceronëve në Kompleksin Memorial në Prekaz, thotë se që nga fillimi ka mbajtur evidencë të saktë të vizitorëve. Ai shprehet i entuziazmuar me numrin e madh të njerëzve dhe përkushtimin e tyre për ta nderuar heroizmin e Jasharëve.
“Me mijëra herë ua kemi shpjeguar vizitorëve gjithë historinë e familjes Jashari, luftën e 5, 6 dhe 7 marsit, rezistencën e familjes Jashari dhe të komandantit Adem Jashari, më 30 dhjetor 1991, më 22 janar 1998 dhe më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Ne, ciceronët jemi mishëruar me këtë histori dhe asnjëherë nuk mund të pajtohemi që ndonjë vizitori të mos ia rrëfejmë luftën e lavdishme dhe historinë e familjes Jashari”, thotë Bejta. Bejta ka precizuar se në vitin 1999 prej ditës së çlirimit Kompleksin Memorial në Prekaz e kanë vizituar 279 mijë njerëz, nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe të huaj, shumica prej të cilëve kanë mbetur të habitur me sakrificën e komandantit Adem Jashari dhe të familjes së tij. “Këtë sakrificë, pothuajse të gjithë ata të huaj që kanë ardhur në Prekaz, përfshirë politikanët, njerëzit e kulturës e të artit e historianë, e kanë vlerësuar të pashembullt në botë”, thotë ai.
Sipas Bejtës, brenda ditës Kompleksin Memorial në Prekaz e kanë vizituar në mes të 600 dhe 1400 njerëz, e që i bie se për 14 vjet ka pasur rreth 3.2 milionë vizitorë. “Për rezistencën e parë (30 dhjetor 1991) kemi regjistruar 13 mijë vizitorë, e që për 14 vjet i bie të ketë pasur 18.200 vizitorë, për rezistencën e dytë (22 janar 1998) 133 mijë vizitorë, ndërsa për rezistencën e tretë të Jasharëve (5, 6 dhe 7 mars 1998) brenda tri ditëve janë regjistruar mesatarisht 48 mijë vizitorë, e që për 14 vjet i bie të ketë pasur vetëm për 3 ditë të “Epopesë së UÇK-së” 672 mijë vizitorë”, ka precizuar Bejta.
Sipas tij, për 14 vjet nga ekskursionet e shkollave të mesme dhe të ulëta nga të gjitha trojet shqiptare (Shqipëria, Ulqini, Maqedonia, Lugina e Preshevës), janë regjistruar ta kenë vizituar Prekazin mbi 5.2 milionë nxënës. Bejta e ka ndarë numrin e vizitorëve edhe sipas festave që janë kremtuar e që qytetarët anekënd vendit e kanë shfrytëzuar për ta vizituar Prekazin dhe për ta nderuar komandantin Adem Jashari. “Për 28 Nëntor, për 14 vjet Prekazin e kanë vizituar 448.000 njerëz, për Festën e Bajramit 308 mijë njerëz, për 17 Shkurt 126 mijë njerëz, për 18 Qershor (Dita e Çlirimit të Drenicës) 224 mijë vizitorë”, ka precizuar ai. Sipas tij, për 14 vjet, në total Kompleksin Memorial në Prekaz e kanë vizituar rreth 11 milionë njerëz nga të gjitha trojet shqiptare dhe vizitorë të huaj.
Ciceronët frikësohen të mbesin pa punë
Por, ciceronët e Kompleksit Memorial në Prekaz, Rifat Bejta, Xhevat Imeri dhe Xhemile Jashari – Barani, tani shprehen të frikësuar për të ardhmen e tyre, pasi që, siç thonë ata, Agjencia Turistike për komplekset ka shpallur konkursin për ciceronë edhe për Kompleksin Memorial në Prekaz.
“Ka mundësi që të mbesim pa punë. Për gjithë këto vjet nuk kemi kursyer asgjë dhe kemi dhënë gjithçka nga vetja, e tani mund të na “merren” vendet e punës. Nekemi kryer trajnimet dhe jemi të licencuar për ciceronë, por thjesht frikësohemi se do të mbesim pa punë dhe këtu të vijnë njerëz të tjerë, ashtu edhe siç po dëgjojmë”, thotë njëri prej tyre, Xhevat Imeri. Ai shton se deri më tani as statusi i tyre nuk ka qenë i zgjidhur, pasi që pagat i kanë siguruar nga shitja e literaturës, shitja e librave të autorëve të ndryshëm, të portreteve të heronjve, shenjave dhe të simboleve të UÇK-së.
Sipas Imerit, 60 për qind e çmimit të librave, të literaturës së ndryshme dhe të shenjave e të simboleve u shkojnë autorëve, ndërkaq 40 për qind mbesin në fondacion dhe ata i shfrytëzojnë për pagat e tyre. “Shpesh nuk kemi mundur t’i mbulojmë pagat dhe në këtë mënyrë u kemi mbetur borxh autorëve të librave. Edhe ata po kanë mirëkuptim për ne, sepse e dinë gjendjen”, ka thënë Xhevat Imeri, njëri prej ciceronëve në Kompleksin Memorial në Prekaz. /gazetalajm/