Nga Frank Shkreli
Shumë vërejtës dhe ekspertë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e konsiderojnë gjëndjen e sotëme politike në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe si rrjedhim edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ndoshta si periudhën më të rrezikshme ç’prej shembjes së komunizmit e këndej dhe ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 10-vjet më më parë. Shpresat ishin të mëdha për shqiptarët kudo, se me rrëximin e Murit të Berlinit, historia — më në fund — do t’i ishte më njerëzore ndaj tyre dhe do t’i trajtonte shqiptarët, si komb, më mirë në të ardhmen e tyre.
Dhe pse jo! I shkatërruar nga dy luftërat botërore dhe pothuaj gjysëm shekulli i vuajtur nga komunizmi i imponuar sllavo-aziatik, kishim shpresë se ja më në fund erdhi rasti dhe mundësia për një ri-mëkëmbje të vërtetë të Kombit shqiptar në fillim të shekullit 21. Madje disa prej nesh e kishim shpallur shekullin 21, si “Shekullin e Shqiptarëve”. Megjithë pengesat në rrugën e shtet-ndërtimit gjatë këtij tranzicioni — me rënjen e komunizmit — Shqipëria siguroi më në fund lirinë dhe demokracinë e mohuar nga komunizmi për disa dekada. Kosova, pas vuajtjeve e sakrificave shpesh mbinatyrore nga ana e shqiptarëve çlirohet nga zgjedha komuniste sllavo-serbe dhe pas një shekull robërimi, vrasjesh e shpërnguljesh të detyruara, nisur nga ideja serbe e spastrimit etnik të Kosovës dhe pas krimeve çnjerëzore nga forcat serbe kundër shqiptarëve, siguron mbështetjen ndërkombëtare dhe çlirohet më në fund nga fashizmi serb, duke shpallur pavarësinë e saj, sot për sot të njohur nga më shumë se 100-vende nga mbarë bota, përfshirë vendet më të rëndësishme perëndimore.
Është një skenë në rrjedhën e historisë së shqiptarëve, që patriotët më të shquar të Kombit, megjithse do ta kishin dëshiruar, ndoshta nuk mund ta kishin paraparë: shqiptarët ndonëse, fatkeqsisht, të cunguar dhe të ndarë gjeografikisht gjatë shekullit të kaluar, megjithëse jo të bashkuar në një shtet – aktualisht janë me dy shtete. Të lirë për të vendosur vet fatin e vet nën një sistem demokratik dhe të lirë, të udhëhequr nga vet shqiptarët — nën hijen e madhe gjithpërfshirse të Flamurit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.
Megjithë këto bekime të cilat i gëzojnë sot shqiptarët, diçka nuk po shkon mirë. Në të vërtetë aq keq po shkojnë punët në trojet shqiptare, si rrjedhim i veprimeve ose mosveprimeve të politikanëve aktualë, sa që vet shqiptarët përpiqen t’i bëjnë ball kësaj situate tragjike duke kërkuar rrugëdalje. Shqiptarët, të papërgatitur për tu përballur me këtë ngërç politik dhe me korrupsionin që ka prekur nivelet më të larta shtetërore, kanë vendosur të largohen, legalisht dhe ilegalisht, nga trojet mijëra vjeçare të tyre, pothuaj në përmasa biblike. As armiqtë më të përbetuar të shqiptarëve nuk kishin mundur të parashikonin kurrë një shpërngulje të tillë të shqiptarëve nga hapësirat e tyre gjeografike.
Thuhet se rrallë kund mund të ketë një klasë politike më të ndarë dhe më të pëçarë se klasa e sotëme politike e shqiptarëve – në të dy anët e kufirit – të pakën jo në Evropë, pjesë e të cilës pretendojnë se duan të bëhen. Çdo ditë jemi dëshmitarë të një shembulli ose një tjetri — konfliktesh personale e partiake, konflikte këto që po prishin jo vetëm rendin shoqëror dhe politikën e mbrendshme, por edhe marrëdhëniet historike të Kombit shqiptar me miqët, për mbështetjen e të cilëve shqiptarët kanë gjithnjë nevojë. Jemi dëshmitarë të një mungese të lidhjes aq të nevojshme morale dhe patriotike, jo vetëm midis përfaqsuesve të kësaj klase politike me njëri tjetrin, por mbi të gjitha, shohim se shumicës i mungon gjithashtu edhe përgjegjësia politike dhe morale madje edhe ndaj Atdheut dhe Kombit – një përgjegjësi kjo për të cilën ata janë betuar se do ta përfillin si përfaqsues të zgjedhur të këtij populli.
Sot për sot, shqiptarët kanë aq shumë probleme me të cilat përballen. Unë do të dëshiroja të njell mirë për rrjedhën e zhvillimeve politike të Shqipërisë, të Kosovës dhe për të ardhmen e mbarë shqiptarëve. Por, problemet që, kryesisht, janë të vet-shkaktuara nga një klasë politike që vetëm shikon interesat e veta politike dhe partiake, në kurriz të problemeve me të cilat përballen shqiptarët – është vështirë të zgjidhen ndërsa vazhdojnë përçarjet dhe konfliktet aktuale politike midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri dhe në Kosovë. Kështu, të ndarë e të përçarë, sfidat dhe problemet vetëm shumëfishohen dhe zgjidhja e tyre bëhet edhe më e parealizueshme. Prandaj, si rezultat i gjendjes së krijuar, është i nevojshëm një fillim i ri politik, me njerëz të ri dhe ide të reja. Mbi të gjitha bota shqiptare, jo vetëm që ka nevojë për një përtëritje politike, por për më tepër ka nevojë edhe për një ripërtëritje morale dhe shoqërore në të gjitha nivelet e jetës – jo vetëm në politikë, por në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore.
Kemi nevojë gjithashtu edhe për politikanë që, mbi të gjitha, e duan Shqipërinë dhe të cilët punojnë për të mirën e saj dhe të gjithë shqiptarëve pa dallim. Ekziston nevoja të kemi politikanë që mendojnë dhe punojnë për Shqipërinë, se për botën ka kush mendon. Shqipëria dashurohet duke i ruajtur nderin e saj dhe emrin e mirë të shqiptarëve, mbrenda dhe jashtë vendit. Mbështetja dhe mbrojta e kriminelëve dhe e të korrupturave nga përfaqsuesit më të lartë të qeverisë nuk është as dashuri për Atdheun as ndonjë akt heroik, me të cilin mund të mburret kush. Përkundrazi, me këto akte po ia nxini fëtyrën Shqipërisë dhe Shqiptarëve, si asnjëherë më parë – sidomos në nivelin ndërkombëtar dhe në radhët e atyre që me të vërtetë ruajnë ndjenja pozitive për Shqiptarët në përgjithësi.
Nuk dua të njell zi, por pa dashuri të vërtetë ndaj Atdheut dhe pa respekt për njëri tjetrin — pa i shtrirë dorën edhe kundërshtarit politik — nuk ka zgjidhje të problemeve aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri dhe as nuk ka dalje nga ky qorrsokak, në të cilin e keni hedhur vendin. Por çka është edhe më keq, si rezultat i këtyre konflikteve të vazhduesheme, bashkjetesa kombëtare bëhet shumë më e vështirë midis shqiptarëve, kur të merren parasysh konfliktet aktuale politike në radhët e partive dhe të politikanëve shqiptarë.
Larg nga këta njerëz që me qëllimet e tyre të errëta po cenojnë në thelb vëllazërimin kombëtar midis shqiptarëve dhe të cilët po e çojnë vendin në prag të një gremine. Larg nga ata që duan të krijojnë një Shqipëri sipas qejfit të vet, ku duan të jenë – vet ali e vet kadi — vet shkruaj e vet vulos. Në vend të këtyre, sot për sot, kemi nevojë për individë – si në politikë ashtu dhe jashtë politikës – për individë që kanë mundësitë dhe dëshirën që të mbjellin – jo përçarje, ndasi e konflikte — por harmonizim midis mendimeve dhe ideve të ndryshme në radhët e shqiptarëve. Persona që, duke marrë parasysh debatin e sotëm në median shqiptare të përfaqsuesve të elitës shqiptare – fatkeqsisht, nuk shihen kund në horizont. Kjo është edhe arsyeja për pesimizmin tim, përball gjëndjes aktuale në Shqipëri, sepse nuk është vetëm politika që është mbërthyer në një konflikt të pazgjidhëshëm, por duket se e mbarë shoqëria është e ndarë dhe e përçarë, sipas vijave të caktuara nga politika.