Nga Gjekë Gjonaj

 Të gjithë shqiptarët iu gëzuan lajmit se  partitë politike shqiptare  në Tuz, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve  u pajtuan të dalin në një listë të përbashkët në zgjedhjet  lokale të datës 3 mars 2019. Ky koalicion, ndonëse i vonuar, megjithatë vjen në kohën e duhur për maksimalizimin e potencialit të votës  dhe vullnetit të zgjedhësve të Malësisë, me qëllim të marrjes  së pushtetit në  përbërjen e parë të Kuvendit të Tuzit , pas mëvetësimit të kësaj komunë.  Ky formalizim i vullnetit të qytetarëve  dhe zgjedhësve të Malësisë menjëherë pati reflektim pozitiv dhe jehonë jo vetëm në Malësi, por edhe në  hapësirën mabrëshqiptare dhe diasporë. . Një përgjegjësi dhe pjekuri e tillë politike e liderëve politikë shqiptarë është edhe një shenjë e mirë që po ndodh midis tyre.  Kjo marrëveshje, natyrshëm, ndodhi për shkak se përvoja e deritashme dhe rezultatet  e zgjedhjeve  në  sistemin shumëpartiak ( pluralist)  në Malin e Zi  dëshmoi qartë se përçarja   dhe ndarja   e  partive politike shqiptare  gjithmonë përfunduan me  humbje (disfatë).

Ky bashkim i faktorëve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi është hapi i parë i rëndësishëm  drejt fitores së parë poltike të shqiptarëve në Malësi. Nuk thonë kot: “ Bashkimi bën fuqinë”. Thuajse të gjithë e dimë  se kjo  thënie  e famshme është një nga sentencat më të njohura botërisht, por rrallë herë e vëmë re se kjo frazë është e vlefshme edhe në veprimet më të vogla tonat.  Po ashtu e dimë se fuqia të ruan. Të mbron. Të bën të mundur vendosjen e raporteve të mbështetura në interesin e ndërsjellët midis njerëzve, popujve, shteteve. Muret dhe kufijtë janë pengesa të papranueshme për secilin popull, pra edhe për kombin shqiptar. Rrënimi i tyre është akt  civilizues, sepse çliron energjitë e mëdha të  bllokuara dje, të penguara sot të një kombi që mund të prodhojë vlera dhe t’i sjellë të mira jetës në paqe dhe harmoni midis popujve. Përveç kësaj klima e mirë politike forcon mungesën e  bashkëpunimit dhe  prodhon marrëdhënie të shkëlqyera mes faktorëve politikë shqiptarë.  Vetëm të bashkuar jemi  më të fuqishëm.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për politikën që ruan ndarjen  brenda shqiptare. Shqiptarëve kurrë nuk iu ka dashur platforma politike qe ec ne trendin që ruan ndarjen brenda tyre. Sa herë që ka qenë Malësia e bashkuar ka qenë fitimtare. Shumë vendime të rëndësishme, disa prej të cilave edhe historike,  që janë dukur të vështira e të rënda , por të duhura për kohën dhe rrethanat,  janë sjellë falë bashkimit të malësorëve  dhe besës së dhënë njëri-tjetrit. Vetëm të  bashkuar malësorët ( shqiptarët)  mund të çojnë përpara amanetin  e  të parëve. Vetëm  duke qëndruar të bashkuar shqiptarët në Malin e Zi mund të arrijnë të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutën dhe ligjet e   këtij shteti shumëkulturor, shumetnik  dhe shumëkombësh ,  në ruajtjen e dinjitetit dhe identitetit të tyre nacional, gjuhësor, kulturor e të tjera. Pa asnjë dilemë nuk ka shpëtim tjetër, përveçse asimilimit dhe zhbërjes së plotë të shqiptarëve në trojet e veta etnike në Malin e Zi. Mbase  popujt e vegjël ( lexo pakicë) nëse nuk bashkohen ata zhduken.

Le të shpresojmë se me bashkimin  e subjekteve politike shqiptare në prag të zgjedhjeve  vendore  në Tuz  përfundimisht do të lihen anash demonstrimet e inatosura  politike kundër njëri-tjetrit  dhe  do të marrë fund politika e deritashme e mbrapshtë, që ka prodhuar situata të pa lakmueshme  për shqiptarët.

Rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve do të tregojnë realitetin,  duke menduar se nuk do të ketë shkelje ligji në këtë garë. Por kam frikën, qofsha i gabuar,  se  prapë do të gabohet pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve. Andaj themi: A do të sjellë bashkimi i partive politike shqiptare pranverën në Malësi ?

By admini