Shkruan Gjylije Rexha

Interneti ka ndryshuar sistemet e mediave dhe po transformon të bërit gazetari. Në shekullin e teknologjive të reja dhe kalimit në “rrjetin e rrjeteve” (Couldry, 2012), mediat kanë pësuar ndryshime në të gjitha aspektet e zhvillimit të veprimtarisë dhe realizimit të funksioneve shoqërore. Siç vlerësojnë studiuesit, teknologjitë e reja po riformësojnë gazetarinë, strukturën e mediave, mënyrat e përcjelljes së përmbajtjes ashtu si edhe konsumimin e tyre nga audiencat.
Pavlik argumenton se këto teknologji po riformësojnë gazetarinë në katër mënyra:
-së pari, mediat e reja po transformojnë mënyrën se si e bëjnë punën e tyre gazetarët;
-së dyti, mediat e reja po shkaktojnë ristrukturim të organizatave dhe institucioneve gazetareske;
-së treti, mediat e reja po krijojnë forma të reja të përmbajtjes në media;
-së katërti, mediat e reja po çojnë në riintegrimin e raporteve ndërmjet dhe në mesin e gazetarëve, organizatave gazetareske dhe kategorive të shumta të publikut të tyre, sidomos këtyre pesë: audiencave, burimeve, rregullatorëve, financuesve dhe konkurrentëve (Pavlik et Eadie, 2009).
Në rastin e radios, kalimi nga mënyrat tradicionale të përgatitjes dhe përcjelljes së përmbajtjes te dëgjuesit përcillet me ndryshime në të gjitha nivelet e raportit të radios me audiencat e saj, por procesi i konvergjencës, nuk e ka dëmtuar radion si media. Edhe në shekullin XXI ajo mbetet pjesë e rëndësishme e ekosistemit të mediave, pavarësisht nëse bëhet fjalë për vende me nivel të lartë të përdorimit të teknologjive të reja ose vende më pak të zhvilluara ekonomikisht.
Karakteristikat kryesore tradicionale të radios, i shërbejnë asaj për t’u transformuar lehtësisht në media të zhvilluar në disa platforma njëkohësisht, duke ruajtur vlerat tradicionale dhe duke kërkuar audienca me mënyra të reja dhe në platforma të reja. 

Radio e re, vlera të vjetra
Interneti ka personalizuar komunikimin. Radio tradicionalisht është zhvilluar si media masive e karakterizuar nga afërsia me dëgjuesin. Ishte ajo media masive që i fliste e shoqëronte dhe arrinte të tërhiqte vëmendjen e dëgjuesit sado i pavëmendshëm të ishte dhe pa e penguar derisa kryente edhe punë të tjera. Kjo mbetet vlerë e shtuar e saj dhe mundësi e jashtëzakonshme për të rritur nivelin e komunikimit ndërpersonal në epokën e transformimit nga media one to many, në media one to one.
Platformat e reja zgjerojnë hapësirat që dikur kufizoheshin nga frekuencat dhe mëyrat tradicionale të komunikimit të dëgjuesit me radion. Tani nuk ka më nevojë të priten me ditë letrat e dikurshme të dëgjuesve dhe as të kushtëzohet qasja në komunikim nga cilësia e linjave telefonike. Me radion shumëplatformëshe dëgjuesi mund të komunikojë 24 orë në shtatë ditë, përmes platformave të reja që e shndërrojnë atë dëgjues/lexues aktiv dhe i shtojnë rëndësinë. Dëgjuesi fiton vlerë të re, sepse i janë shtuar mundësitë për ta pasur më afër, për të komunikuar dhe për ta konsumuar më lehtë përmbajtjen e medias që e gjen kudo dhe sido që ai e kërkon.
Karakteristika tradicionale e njerëzve të radios si komunikues të zot dhe profesionistë të mësuar me raportimin e shpejtë të ngjarjeve derisa ndodhin, i ndihmon radios së shekullit XXI që ta shndërrojë bashkëveprimin me audiencat, në përmbajtje me karakteristikat e gazetarisë me vlerë të shtuar. Qytetari gazetar apo raportues në rastin e radios shndërrohet lehtësisht në burimin e vlefshëm të informacionit. Ai përfshihet me lehtësi në mënyrën e funksionimit të trashëguar nga radio tradicionale. Gazetari, redaktori, moderatori i radios zotëron që nga shekulli i kaluar teknikat e përpunimit dhe hulumtimit të shpejtë të përmbajtjes së ofruar nga burimi. Transformimi i shpejtë i saj në produkt gazetaresk, bazuar në fuqinë e verifikimit, ofrimit të përmbajtjes që bart dije, është ndër specifikat kryesore të punës në radio. Kjo vlerë mbetet e pandryshuar pavarësisht nga mënyrat e reja të kthimit të këtij informacioni te dëgjuesi. 
Fuqia tjetër e vlerave të vjetra lidhet me mënyrën specifike të raportimit dhe shkrimit për radio si dhe për zhanret më të zbatueshme në radio. Lajmi i shkurtër dhe i qartë me parimet e të shkruarit për radion tradicionale, ka mbetur lajm i pranueshëm dhe i kuptueshëm edhe për dëgjuesin/lexuesin dinamik të shekullit XXI. Raporti është prapë guri themeltar që audiencës vazhdimisht në lëvizje i jep detaje të mjaftueshme dhe e mban në rrjedhë të ngjarjes varësisht nga ritmi i zhvillimit të saj me fuqinë karakteristike të përditësimit të informacionit në radio. Intervista kuptimplote, me pyetjet e shkurtëra dhe mundësitë e zgjeruara të radios për realizimin e saj, është model që zbatohet si praktikë edhe në mediat tjera të reja të këtij shekulli. Reportazhi është bërë edhe më tërheqës, me mundësitë për pasurimin e tij me efektet që gjenden dhe realizohen gjithnjë e më lehtë falë teknologjive të sofistikuara. Realizimi i radiodokumentarëve cilësor është bërë më i lehtë, sepse komunikimi me burimet dhe qasja në informacione janë më të mëdha. Realizimi i emisioneve të drejtpërdrejta si dhe gjetja dhe mbajtja e audiencës përmes informacionit të dobishëm, vazhdon të jetë ndër vlerat kryesore dalluese të radios në ekosistemet mediatike.
Të bërit radio moderne të shekullit XXI bazohet në parime të vjetra të radiogazetarisë së shekullit XX. Është koha e zhvillimit të mediave shumëplatformëshe përmes transformimit të vlerave të mirëkonsoliduara në praktikë pune në rrethana të reja. Në këtë drejtim radio është ende siç e përkufizonte Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-së Irina Bokova: 
“mediumi më dinamik, më reagues dhe më i angazhuar, duke iu përshtatur ndryshimeve të shekullit XXI dhe duke ofruar mënyra të reja të bashkëveprimit dhe pjesëmarrjes”. 
Ajo vazhdon të jetë media e entuziastëve profesionistë, të pasionuar pas gazetarisë dhe komunikimit të vazhdueshëm me dëgjuesin të cilin tashmë mund ta kenë edhe lexues, ashtu si edhe shikues. Me teknologjitë e reja njerëzit e radios nuk janë më vetëm zëri tërheqës që krijon piktura në mendjet dhe zemrat e dëgjuesve, por edhe gazetarët e vërejtshëm të cilët hapin studiot e tyre përmes transmetimeve të drejtpërdrejta me pamje video.
Në aspektin ekonomik, radio vazhdon të jetë media e lirë dhe tërheqëse për reklamuesit. Zgjerimi i platformave transmetuese shumëfishon mundësinë për depërtimin te konsumatorët potencialë. Njohja dhe zbatimi i modeleve të financimit të radios në përputhje me ndryshimet që ka sjellë interneti, i ndihmon asaj të mbetet media konkurrente në epokën kur modelet e vjetra të financimit të mediave kanë pësuar ndryshime rrënjësore. Edhe si kompani ajo mbetet media e profesionistëve, që ndërthurin në veprimtarinë e tyre aftësitë menaxhuese me pasionin dhe vullnetin për transformime të vazhdueshme. Radio shfrytëzon këto karakteristika për metamorfozën e radhës, që as nuk e shemb as nuk e largon nga peizazhet mediatike, por i ofron mundësi të reja. Me zotësitë tradicionale ajo kthen në dobinë e saj transformimet e vazhdueshme përmes ruajtjes dhe përsosjes së vlerave të mirëkonsoliduara, të përshtatura për realitete vazhdimisht të reja…

Për radion dhe studentët,
me dashuri!

/Marrë nga faqja e autores/

By admini