Nga Azgan HAKLAJ

Koalicioni, apo më qartë kuarteti Putin-Erdogan-Rama-Thaçi, një aleancë
antiperëdimore e antishqiptare, njëherësh kanë hyrë në dimrin e vetmisë së
madhe. Dy të parët, lider autokratë dhe diktatorë kanë zgjuar ëndrrat dhe po
përpiqen të jetësojnë ish-perandoritë ruso-otomane, njëherësh duan të ndajnë
zonat e influencës në Ballkan përmes satelitëve të tyre Rama-Thaçi.
Edhe pak
ditë festojmë 11-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Pak ditë na ndajnë nga
20-Vjetori i Rambujesë.
Ky vit është 20-Vjetori i Çlirimit të
Kosovës.
Edhe pak javë na ndajnë nga 20-Vjetori i fillimit të bombardimeve të
NATO-s, Koalicionit të Lirisë, mbi Serbinë gjakatare të Millosheviçit. Në 78
ditë makineria luftarake serbe u shkërmoq si një kështjellë rëre e kasapi
Millosheviç së bashku me gjeneralët e tij kanibalë u detyrua të kapitullonte pa
kushte. Atë kohë Rusia e Boris Jelcinit, megjithë presionin diplomatik e Veton
në OKB, nuk mundi t’u vijë në ndihmë vëllezërve serbë. Presidenti Klinton,
Sekretarja e Shtetit Medlin Olbrajt, gjenerali Klark, Londra-Parisi-Roma i
treguan mbarë botës se NATO dhe Perëndimi nuk do të lejonin kurrë që në zemër të
Europës të ushtrohej dhunë, genocid e spastrim etnik. Makineria ushtarake
kolosale e fitimtare e NATO-s mbështeti djemtë e vajzat e Kosovës e shumë bijë e
bija nga mbarë hapësira etnike shqiptare që ishin rreshtuar në UÇK dhe me
kurajo, vetmohim e trimëri të pashoqe rrokën armët e u hodhën si shqiponja në
zjarrin e betejave për liri.
Kosova e mbretërve dardanë, e Lekë Dukagjinit, e
Zhuj Selmanit, e Ymer Prizrenit, e Sylejman Vokshit, e Mic Sokolit, e Sef
Koshares, e Haxhi Zekës, e Ali Ibres. Kosova e Lidhjes së Prizrenit, e Lidhjes
së Pejës. Kosova e Kuvendit të Verrave të Llukës. Kosova e Kryengritjeve të
mëdha 1908-1909-1910. Kosova e Kuvendit të Junikut, e trinomit të lirisë Hasan
Prishtinës-Isa Boletinit-Bajram Currit më 21-25 maj 1912 hartoi Platformën e
Kryengritjes së Përgjithshme që finalizoi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë
dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në Vlorë nga Plaku i Vlorës, Ismail
Qemali.
Kosova – ky djep i kuvendeve, besëlidhjeve e kryengritjeve të mëdha
për liri e pavarësi u mbyt nga gjaku i dragojve të ri të saj: Zahir Pajaziti,
Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Adem Jashari, Luan Haradinaj, Shkëlzen
Haradinaj, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Adrian Krasniqi,
Bedri Shala, Bekim Berisha, Iliaz Kodra e mijëra djemve dhe vajzave që dhanë
jetën për liri e çlirim kombëtar.
Numri i të vrarëve është aq i madh sa çdo
pëllëmbë toke është e larë me gjak.
20 vjet më parë Bota e Lirë u ba
dëshmitare e Masakrës barbare e çnjerëzore të Reçakut, ku dhjetra shqiptarë të
pafajshëm u ekzekutuan nga falangat gjakatare të Millosheviçit dhe Arkanit. Kjo
ngjarje shënoi një pikë kthese për Diplomacinë Euro-Atlantike e përmes saj për
vet të ardhmen e Kosovës e të Kombit Shqiptar.
Sot kohët kanë ndryshuar në
disfavor të armiqëve tanë historik serbo-sllav-ruso-otoman.
Shqiptarët në
Ballkan janë një armatë 10 milionëshe e rreshtuar në krah të Aleancës më të
madhe e më të fuqishme që ka njohur bota: NATO-s, SHBA e BE.
Shqipëria shënon
10-Vjetorin e antarësimit në NATO.
Këtë vit Kosova shënon 20-Vjetorin e
Çlirimit dhe 11-Vjetorin e Pavarësisë.
Shqiptarët e Malit të Zi me votën e
tyre përcaktuan antarësimin e Malit të Zi në NATO dhe vazhdimin e qeverisjes pro
perëndimore.
Shqiptarët e Maqedonisë u banë përcaktues të rrugës së
Maqedonisë në NATO dhe BE si dhe ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së
Veriut dhe zyrtarizuan Gjuhën Shqipe, gjuhën e Aleksandrit të Madh, Pirros,
Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), Shenjtores Nanë Terezës.
Identiteti historik
e kulturor i shqiptarëve, e drejta e tyre zakonore, vyrtytet e kodi i tyre i
nderit solidariteti e humanizmi i trashëguar në shekuj, në genin e tyre, janë jo
vetëm pashaportë e Identitetit Europian, por dhe themel i vlerave të Europës së
civilizuar.
Beteja për Kosovën e Lirinë e saj nuk ishte vetëm betejë
ushtarake.
Ajo ishte për një kohë të gjatë betejë diplomatike e morale, një
gurë prove për vlerat e civilizimit perëndimor e kancelaritë e tyre.
Sot
imperativ i kohës për Kombin Shqiptar është mbrojtja e Kosovës nga coptimi dhe
mbrojtja e çdo pëllëmbe tokë të saj.
Kombi Shqiptar ka patur fatin të kishte
nga gjaku i tij avokaten hyjnore, Nanë Terezen; gjeniun e politikës Ibrahim
Rugovën; mendimtarin e filozofin, mendjendriturin, illuministin, “Volterin
Shqiptar”- Ukshin Hotin, të cilin sherbimet sekrete serbo-sllave e vranë 20 vite
më parë në shkurt 1999.
Kosova mbi trungun e saj ka provuar traktate,
konferenca e protokolle, ka kaluar një sagë të gjatë sakrificash e kasandrash,
humbjesh të mëdha jetësh njerëzore, genocid të pashembullt, shfarosje masive të
popullsisë, spastrim etnik, me elaborate e operacione që nga Doktrina e Vuk
Karaxhiqit – pyka shqiptare e Çubriolloviçit; elaborati i Qosiçit deri tek
Operacioni “Patkoi” i Millosheviçit.
Në 11-Vjetorin e Shpalljes së
Pavarësisë, në 20-Vjetorin e Çlirimit, Kosova është më afër se kurrë për t’u
bërë pjesë e strukturave Euro-Atlantike dhe e Familjes Europiane.
Garante e
mbrojtjes së këtyre arritjeve janë Ushtria e saj dhe SHBA. Kjo do të thotë së në
trojet etnike shqiptare krahas Flamurit krenar të Gjergj Kastriotit do të
valvitet edhe ai ngadhnjimtar i NATO-s, i SHBA dhe i BE.
Perëndimi e vlerat e
lirisë, demokracisë e civilizimit kanë qënë gjithnjë ylli polar i shqiptarëve,
të tilla janë sot e përgjithmonë.
Burrështetasit e shquar, themeluesit e
shtetit të Arbërit, Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali, Mbreti Zog. Rugova, Ramush
Haradinaj, Ali Ahmeti, korifejtë e Rilindjes Kombëtare e të mendimit –
Frashëllinjtë, De Rada, Mjeda, Pashko Vasa, Konica, Fishta, Arbër Xhaferi e
Ismail Kadare ju kanë treguar bashkëkombasve të tyre se për shqiptarët dielli
lind nga përendon.
Shqiptarët sot janë faktor madhor i pamohueshëm e
fuqiplotë në trojet e tyre etnike në Ballkan.
Koha e pazarlleqeve dhe e
traktateve të fshehta, siç është ky i ndryshimit të kufijve, pra shkëmbim
territoresh në këmbim të njohjes, një teatër sharlatan politik, me skenaristë
binomin Putin-Erdogan e aktorë trinjaket Vuçiç-Thaçi-Rama, ka perënduar
përgjithmonë.
Shqiptarët në shekulln e kaluar edhe pse në kushte shumë herë
më të rënda e të pafavorshme se sot kanë ditur t’u tregojnë vendin Haxhi
Qamilëve dhe Esadistëve të tyre.
Edi Rama, siç shkruante me të drejtë këto
ditë një analist nga Kosova, e ka shitur praktikisht Shqipërinë te Turqia.
Portet, aeroportet, minierat e hidrocentralet, ajkën e pasurisë kombëtare të
cilat janë mushkëritë e ekonomisë tonë, ua ka varur në qafë barbarëve të
Azisë.
Edi Rama e ka pushkatuar Kauzën Çame duke ua falur grekëve sëbashku me
Detin.
Teza e ndryshimit të kufijve, kjo dosje e zezë e kulisave politike
ruso-turke e filluar qysh me çlirimin e Kosovës para dy dekadash, është hapur
nga sivllau i Putinit, krushku i Erdoganit, nga Vuçiçi dhe po mbështetet nga
dyshja kuislinge Thaçi-Rama, për interesat e tyre utilitare.
Vendosmëria e
Kryeministrit Haradinaj dhe e Qeverisë së Tij, e Liderit të Opozitës së Bashkuar
të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, opinionit publik në Kosovë e në Shqipëri dhe nga
patriotët e Kombit Shqiptar, për të mbrojtur çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare
qoftë dhe me jetë njerëzore, është vija e kuqe që nuk mund ta kalojnë despotët e
Kremlinit e të Ankarasë dhe shërbëtorët e tyre në Beograd e në të dy anët e
kufirit etnik shqiptar.
Në epilogun e Çlirimit të Kosovës, ditës së madhe të
triumfit kombëtar, sikur ta parandjente skenarin ogurzi për të cilin apostrofova
më sipër e madhja Shkurte Fejza këndonte në kor me piskamen e shpirtit të një
Kombi:
“Pa u farue djem e çika
Jo nuk ndahet Mitrovica
Nuk i lëshojmë
trojet tona
Krejt Kosova është e Jona”.
Në rivarrimin e eshtrave të Isa
Boletinit në Mitrovicë, ish Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, u shpreh me
këto fjalë: “Varri i Juaj Baca Isë do të jetë piramidë e kufirit me Serbinë dhe
ju do të jeni gardiani i mbrojtjes së trojeve tona.”
E Drejta Ndërkombëtare
ka në themel të saj sovranitetin e popujve dhe kjo është thembra e Akilit e
projektit antishqiptar të ndryshimit të kufijve përmes shkëmbimit të
territoreve, për të cilin punojnë prej kohësh armiqtë tanë shekullor.
Kancelaritë ruso-turke dhe ajo e Beogradit janë mëse të bindura se nuk mund
ta ndalojnë zgjerimin e NATO-s e as të BE-së në Ballkan.
E provuan me
skenarin malazez dhe maqedonas dhe dështuan me turp.
Në të dy rastet ishin
shqiptarët që i dogjën skenarët e tyre dhe i rreshtuan këto shtete në anën e
NATO-s e të Perëndimit.
Me frontin e dytë antiperëndimor e antishqiptar, me
aktor kalifët Rama e Thaçi, është përpjekja e fundit e carëve të rinj ruso-turk
Putin-Erdogan për ta mbajtur Ballkanin peng të politikës së tyre.
Shqipëria
sot është e uzurpuar nga Edi Rama e Qeveria e Tij kriminale.
Është kjo
arsyeja madhore që i bashkon opozitën dhe popullin në një flamur të vetëm, atë
Kuqezi.
Më 16 shkurt është Marrshimi i pandalshëm i Lirisë.
Sovrani zbret
si tajfun në sheshet “Skenderbej” e “Nanë Tereza” dhe në Bulevardin “Dëshmorët e
Kombit” për të shpeëtuar demokracinë e Shtetin e së Drejtës të marrë peng nga
Sulltan Rama, i cili po shet edhe trojet amtare për pushtetin e tij.
Ky
uragan, me rrëzimin e Sulltan Ramës i then një këmbë oktapodit antishqiptar e
antiperëndimor.
Japonezët kanë një postulat: “Më fal tokë që të shkel”. Thaçi
dhe Rama trojet shqiptare të mbytur nga gjaku i derdhur nga martirët e rënë për
mbrojtjen e tyre duan t’ia bajnë bonos Vuçiçit.
Mitrovica dhe çdo pëllëmbë
tokë shqiptare është e jona. Ato do t’i mbrojmë me jetën tonë me moton : “Një
kokë për çdo pëllëmbë tokë”.