Ana e Malit, Ulqini, Plava e Gucia, vetë Podgorica, Kraja e kështu me rradhë janë vetëm disa nga trojet shqiptare në Mal të Zi. Për të parat me siguri keni dëgjuar të flitet shumë dhe shpesh. Ndërsa mbi Krajën, në këndvështrimin tim që i njoh mirë ato vise, dijmë shumë pak, për aq sa në fakt përfaqëson. Këtu e kam fjalën mbi të gjitha për potencialin e fortë që Kraja ka në drejtim të turizmit, me bukurinë natyrore që i është falur me bollëk por që fatkeqësisht nuk ka pasur fatin të jetë aq popullore sa psh Ulqini e qendrat e tjera.

Kraja m’u kthye në vëmendje pas insistimit të miqve që ndjekin punën time por mbi të gjitha për lajmin e mirë, ndonëse të vonuar, për miratimin e projekt rezolutës për hapjen e pikës kufitare Zogaj-Skje. Sot Kraja është një zonë qe ndodhet rreth 37 km nga Ulqini e diku 45 nga Tivari. Kjo ka bërë që të kthehet në një oaz të vetmuar e të panjohur nga shumica.

Megjithatë pika e re kufitare premton te ndryshojë tërsisht këtë realitet. Këtu vlen të përshëndetet mes të tjerash insistimi mëse i drejtë dhe i vazhdueshëm i banorëve të trevës pranë Liqenit të Shkodrës të cilët kanë kërkuar hapjen e pikës me Shqipërinë, që do të ndihmojë shkëmbimin apo qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave si dhe do ta rriste mirëqenien e kësaj zone, që për fat të keq ka qenë e izoluar.

Me një popullësi thuajse 100 përqind shqiptare, Kraja përbëhet nga 8 fshatra, Arbneshi, Skjeja, Ostrosi Madh, Ostrosi Vogel, Martiq, Boboshti, Keshtenja, Ftjani, të bazuar kryesisht në sektorin e bujqësisë. Por, Kraja për fat të keq sikundër është bërë prezente disa herë në media, është goditur më fortë nga vala e emigrimit, kryesisht për shkak të mungesës së projekteve zhvillimore të zonës dhe mungesës së infrastrukturës, që mund të sillte investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. E mbi të gjitha për shkak të interesit të vazhdueshëm të autoriteteve malazeze për ta shuar, për ti marrë frymarrjet, e gjurmët e kohëve.

Tashmë më siguri do të jenë më të shumtë ata që do të shohin me sytë e tyre se vetëm në 25 kilometra, natyra është treguar bujare sa më s’ka, porse njeriu nuk ka gjetur edhe aq shumë kohën dhe vullnetin t’ja promovojë siç duhet këtë nder natyrës. E jo vetëm kaq. Vizita në Krajë duhet të jetë si një thirrje rrënjëve, një thirrje për të mos lejuar humbjen e kësaj zone me një histori, traditë e kulturë të jashtëzakonshme. Ështe koha të njohim Krajën, aty në atë tokë autoktone shqiptare. /Blitz.al/

By admini